Basha në rrugën e arsyes, Meta “lan duart” nga dhuna, Rama gati për dialog. A thua paqja afër?

AKTUALITET


Lulzim Basha jep sinjalin e parë se është gati për të bërë një marrëveshje politike për zgjedhjen e krizës në vend? Nga selia Blu, Basha foli këtë të enjte pasdite në një konferencë për shtyp, ku dha sinjale se mund të futet në rrugën e dialogut, por ai vendos një kusht të ri. “Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave”, tha Basha. Por deri dje, Basha nuk fliste për marrëveshje. Deri dje Basha fliste vetëm për një gje: pika numër 1, ishte një tjetër: Rama ik. Në deklaratë gjithsesi Basha e klasifikoi Kryeministrin si kreun e bandës, por duket se fokusi ishte tek pergjimet dhe jo tek akuzat politike. Dhe tek përgjimet e BILD, emrat e përfolur janë të tjerë….

Nëse i sheh gjërat kështu, edhe dalja e Arta Markut të enjten në Kuvend, ishte si dalje nën presion për të shpejtuar hetimet e të famshmeve dosje 339 dhe 184. Duke sikur palët janë në kërkim të dhënies së sinjaleve dhe garancive për një marrëveshje të mundshme, të negociuar sigurisht nga ndërkombëtarët.


Nëse dëshiron t’i besosh jo vetëm intuitës, jo vetëm deshirës se mirë që ky vend të mos shkojë për lesh, të paktën duhet t’i besosh fakteve. Dhe fakt është se dhunë të enjten nuk pati. Askund. Edhe Voltana, ndryshoi qendrim me shpejt sesa c’do ndryshonte modelin e flokëve. Tani ajo thotë se do të marshojë qetesisht kundër Ramës të enjten ne darkë.

Pra, lexuar ndryshe, Edi Rama dhe Lulzim Basha, pavarësisht shumë ndasive, po arrijnë në një pikë të përbashkët, ndëshkimin e krimeve elektorale. Këtë ka kërkuar Rama publikisht prej ditës që kanë dalë përgjimet, këtë po kërkon sot dhe Basha. Deklarata e Ramës e bërë mbrëmjen e së mërkurës fliste pwr vullnetin e tij pwr dialog, megjithwse kaloi heshturazi nën zë nga shumë media, ndonëse edhe për shkak të publikimit të audiopërgjimeve të reja të nxjerra nga gazeta gjermane Bild.

Gjithsesi deklarata e Bashës është ndoshta sinjali i parë nga Selia Blu se mundësia për marrëveshje është rritur. Cuditërisht pak më herët, në të njëjtën valë ishte edhe Presidenti Meta. Guerrilas për dhjetë ditë rresht, deklarata e të enjtes ishte shumë më ndryshe. Ajo i referohej dekretimit te shfuqizimit të zgjedhjeve në kohën e shkuar. Dekreti sipas tij për  “ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfliktit civivil në vend”, nuk doli sipas pritshmërive. Ndaj, këtë të enjte edhe kreu i shtetit kërkoi që palët të ulen në dialog, pasi sipas tij nuk është koha për matje force. pasdite krerët e kishës katolike (të cilët që prej vitit 1991 kanë luajtur rol zbutës në momente krizash historike), bënë thirrje që të “harrohen britmat kërcënuese, dhe të nisin ato pajtuese”.

Nëse i lexon me kujdes, të tre liderët kryesor, pavarësisht se deri më sot kanë bërë “thyerje krahu”, duket se nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë historike ta çojnë vendin në një konflikt civil me pasoja në jetë njerëzish. Të tre, ndoshta e kanë kuptuar (fatkeqësisht më vonë se të gjithë), se ky zhvillim, nuk do t`i sillte askujt përfitime politike, ndoshta do të ishte fundi politik i të treve, por jo në të njëjtën radhë! Ndaj, arsyeja duket se po fiton terren, vetëm se tashmë duhet që dikush të bëjë hapin e parë konkret drejt dialogut. Nëse këto sinjale do jenë reale, do testohen mbremjen e së enjtes nëse Rama do kontestohet paqësisht në Shkodër, dhe një ditë më pas edhe në Tiranë. Prej dy ditësh pritej një ndërhyrje e fortë ndërkombëtare. Mesa duket rruga nga Uashingtoni në Tiranë, doli më e shkurtër sesa ajo për në Korenë e Veriut. Jo vetëm nga numri i kilometrave. /realstory.al/ 




Skip to toolbar