Negociatat, Rama: Macron nuk ndikohet nga gjykatat tona

Kryeministri Edi Rama shprehet se Gjermania nuk i vendosi 9 kushte Shqipërisë, por vetëm dy, për negociatat. Por, dhe këto, nuk janë kushte që kushtëzojnë hapjen e negociatave, por marrjen e datës për uljen në tryezën ndërqeveritare me vendet e Bashkimit Europian. “Dy kushtet e Bundestagut janë të rëndësishme se na çojnë në konferencën ndërqeveritare të BE-së. Çdo hap, në çdo kapitull, në çdo paragraf ka nga një kusht, që duhet përputhur legjislacioni, për peshkun, për tërmetin, për ajrin, për detin, për për…janë të gjitha gjëra që na bëjnë shtet anëtar. Na përshpejtojnë të bërit shtet evropian, siç ndodhi me drejtësinë”, tha Rama.

Në fakt, Realstory.al lajmëroi disa ditë  më parë, se kushtet gjermane ishin për kapitujt dhe jo për negociatat, pra, për uljen në tryezën ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Gjithashtu, në datë 26 shtator, para se të thoshte “Po” me 395 vota, Bundestagu publikoi deklaratën ku caktonte qartë kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të marrë datën për tryezën ndërministrore. Ngritja e Gjykatës  Kushtetuese, Gjykatës së  Lartë dhe Reforma Zgjedhore, janë ato që kërkon Gjermania, në mënyrë që Shqipëria të marrë datën për bisedimet në nivel teknik.

Megjithatë, Shqipëria është ende në fazën që pret datën 18 tetor, pra “Po”-në përfundimtare për negociatat nga vendet e Bashkimit Europian. Por, te disa vende, përfshirë Holandën apo Francën, skepticizmi ende nuk është larguar. I pyetur në konferencën për shtyp të ditës së mërkurë, Kryeministri Rama u shpreh se “negociatat nuk varen nga qeveria”. Kryeministri, duke argumentuar “Po”-në e Bundestagut, u shpreh se për “Francën nuk e di se cili do të jetë përfundimi”, por shtoi se “vendimi Francës, nuk do të ndikohet nga gjykata kushtetuese në Shqipëri”.

“Sa i përket negociatave, nuk dua të bëj përsëritje: Por nuk varet nga ne! Varet  nga të tjera arsye jashtë nesh. Nëse me Bundestagun kemi një marrëdhënie për shkak të një marrëdhënie tjetër, një raport partiak me Shqipërinë. Reformën e BE  dhe vizionin e kësaj reforme për ndryshimin rrënjësor të BE që ka Presidenti i Francës s’e ndikon as gjykata kushtetuese në Shqipëri e as reforma zgjedhore, nuk kanë lidhje. Unë nuk jam në gjendje të them se cili do të jetë përfundimi nga ana e Francës, por mirëkuptoj që Franca është një vend i madh, një nga dy themeluesit e idesë së BE-së, ka të drejtën të mendojë dhe të shohë ndryshe, dhe ka të drejtën të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht sa e padrejtë mund të na duket dhe pavarësisht sa të padrejtë e mendoj unë. Është e rëndësishme që kemi kaluar barrierën e Bundestagut, kemi marrë një PO që është e qartë”, tha Rama. /Realstory.al/

Ngatërrimi i himnit, Macron mesazh ndjese Ramës: E patolerueshme

Presidenti i Francës Emmanuel Macron i ka përcjellë një mesazh ndjese kryeministrit Edi Rama, për gabimin e patolerueshëm të Federatës Franceze të Futbollit gjatë ndeshjesh Francë-Shqipëri, ku në vend të himnit shqiptar u vendos ai i Andorës. Macron e ka cilësuar një gabim të patolerueshme dhe e konsideronte të nevojshme shprehjen e një ndjesë të sinqertë. Ndjesë që u pranua Kryeministri Rama, i cili çmuar gjestin e Presidentit Macron, duke e falënderuar atë për mesazhin e tij të ndjesës dhe duke uruar ekipin francez për fitoren.

Rama gjithashtu ka vlerësuar edhe mesazhin e ndjesës nga vetë Federata Franceze e Futbollit si dhe nga mediat franceze të cilat shkruan mbi këtë gabim të ndodhur gjatë ndeshjes.

Sfida  e djeshme nisi me një skandal, pasi organizatorët ngatërruan himnin e Shqipërisë, duke luajtur atë të Andorra-s, por kuqezinjtë nuk pranuan që të fillonte ndeshja deri në momentin që u luajt himni i saktë. Gjithashtu gabimi u dyfishua edhe nga fonia e stadiumit, ku në përpjekje për të kërkuar ndjesë në vend  tu kërkonte falje tifozëve të Shqipërisë, tha Armenia.

Mbyllet takimi i G-7, Trump e Macron flasin për ‘unitet’

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai francez Emanuel Macron thanë se në takimin e Grupit G-7 në Francë kishte pasur unitet, megjithë mosmarrëveshjet që u manifestuan gjatë takimt që u mbizotërua nga çështjet e tregëtisë, programi bërthamor i Iranit dhe zjarret që kanë përfshirë Amazonën. Ata folën në një konferencë shtypi në mbyllje të takimit.

Presidenti Trump foli për “një unitet të jashtëzakonshëm”, ndërsa zoti Macron tha se të gjitha palët “kanë arritur të gjejnë pika takimi”. Presidenti francez tha se shpresonte që të ketë një takim mes Presidentit Trump dhe atij iranian, Hasan Rouhani në javët e ardhshme.

“Ne jemi në një mendje që Irani duhet të respektojë detyrimet e veta bërthamore dhe të ketë një sjellje të përgjegjshme në Gji dhe të punojmë së bashku”. Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe gjendja atje nuk duhet të dëmtojë stabilitetin e rajonit”, tha zoti Macron.

Presidenti Trump nuk konfirmoi nëse do të ketë një takim së shpejti por tha se nëse Irani ndryshon qëndrim që takim ishte i mundur. “Ne nuk po kërkojnë ndryshim të udhëheqjes (në Iran). Një gjë e tillë nuk ka funskionuar. Ne duam që të mos kenë armë bërthamore. Dhe mund ta arrijmë në një kohë të shkurtër. Dhe vërtet besoj se Irani mund të bëhet përsëri një vend madhështor. Do të doja që kjo të ndodhte. Por nuk duhet të kenë armë bërthamore.”

Zoti Trump hodhi poshtë më herët zërat për tensione të mundshme mes tij dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pasi udhëheqësi francez u takua të dielën me ministrin e jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif. Ai tha se i kishte dhënë zotit Macron miratimin për ardhjen e zotit Zarif, por në konferencë për shtyp presidenti francez tha vetëm se e kishte informuar zotin Trump.

Presidenti Trump shprehu optimizëm para gazetarëve edhe për marrëveshje të mundshme tregëtare me Kinën, megjithëse kritikoi praktikat tregëtare të Kinës. “Ndoshta duan ose ndoshta nuk duan një marrëveshje por unë mendoj se duan të arrijnë një marrëveshje. Nuk besoj se kanë rrugë tjetër. Dhe nuk e them këtë si kërcënim. Por nuk kanë alternativë”.

Udhëheqësit e G-7-ës kanë shprehur shqetësime për shkallëzimin e luftës tregëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Zoti Macron tha se shpreson që udhëheqësit të tërhiqen nga një luftë tregëtare. Më herë të hënë, presidenti Trump tha se Kina kishte kontaktuar zyrtarët amerikanë të tregëtisë, duke u bërë thirrje të ktheheshin në tryezën e negociatave. “Do të fillojmë bisedime shumë serioze. Të shohim se si do të shkojë”, tha zoti Trump./VOA/

Franca ‘tradhton’ Trump, fton ministrin Iranian në samitin e G-7

Ndërkohë që 7 udhëheqësit e botës ishin duke diskutuar masat kundër Iranit, Ministri i Jashtëm i shtetit islamik në azinë  e mesme, Mohammad Javad Zarif ka befasuar me praninë e tij në Biarritz të Francës, ku është duke u mbajtur samiti i G-7. Lajmin për praninë e Zarif në Biarritz e ka konfirmuar Ministria e jashtme iraniane, e cila është shprehur se “Mohammad kishte ftesë nga homologu i tij francez”, për të shkuar në Biarritz.

Ndërkohë, një zëdhënës i kësaj ministrie, është shprehur se nuk do të ketë takime me zyrtarë amerikanë. Për vizitën e papritur të diplomatit iranian në samitin e G-7, presidenti francez Emanuel Macron, kishte informuar liderët e tjerë pjesëmarrës në samit, përfshirë dhe Donald Trump.

I pyetur nga mediat për këtë vizitë të ministrit të jashtëm iranian, Trump është shprehur “s`kam koment”. Ndërkohë, Sekretari i thesarit amerikan, Stephen Mnuchin është shprehur se ‘presidenti amerikan nuk do ta përjashtonte një takim’.

Gjatë takimit të së dielës në samit, Macron kishte hedhur idenë për një plan duke shuar tensionet në rritje në zonën e Gjirit, duke hequr pjesërisht embargon amerikane të naftës ndaj Iranit, ndërsa Teherani do të angazhohej për të respektuar marrëveshjen e vitit 2015 që kufizon programin e tij bërthamor.

Merkel kërkon tërheqjen nga politika, Macron e dëshiron në krye të KE

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka deklaruar se do të tërhiqet nga jeta e politike pas mbarimit të mandati të saj të katër si kreu i CDU në 2021, por janë të shumtë persona që synojnë që ta shohin atë si presidenten e ardhshme e Komisionit Europian. Një prej tyre është edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha të martën se do të mbështeste kancelaren gjermane Merkel në qoftë se ajo do të kërkojë të zërë vendin e Jean-Claude Juncker si president i Komisionit Evropian.

Macron, i pyetur në një intervistë në televizionin RTS nëse ai do të mbështeste një kandidaturë të Merkel, tha se nuk mund të flas dot në emër të saj, “por nëse ajo donte të ishte drejtuesja e KE, unë do ta mbështesja atë,” tha ai.

Sigurisht që do të bëja sepse së pari mendoj se kemi nevojë për një njeri të fortë. Evropa ka nevojë për fytyra të reja dhe fytyra të forta, kështu që ne kemi nevojë për personalitete që në fakt e mishërojnë këtë. “ – tha Macron

Aktualisht si kreu i Komisionit Europian zgjidhet kandidati kryesor i grupit parlamentar më të madh në Parlamentin Europian, që pas zgjedhjeve të majit i takon gjermanit Manfred Weber.

Weber ishin dhe arsyeja që vuri në përplasjeje Merkelin me Macronin. Mbështetjen që i mohon Weberit, Macron thotë se do t’ia jepte me kënaqësi Merkelit./ realstory.al

Merkel e Macron përplasen për emrin e kreut të KE-së

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron nuk arritën të bien dakord të martën se kush duhet të jetë shefi i ardhshëm i Komisionit Evropian, ndërkohë që krerët e BE-së po negociojnë rreth emrave në postet më të larta të bllokut për pesë vitet e ardhshme. Diplomatët thanë se zonja Merkel ishte zhgënjyer nga mënyra se si Presidenti Macron kishte hedhur poshtë me shpejtësi kandidaturën e preferuar të Berlinit, ligjvënësin gjerman të qendrës së djathtë, Manfred Weber.

Të 28 udhëheqësit e BE-së u takuan pas dyerve të mbyllura pa ndihmësit dhe pa telefona celularë. Zgjedhjet e javës së kaluar për Parlamentin Evropian sollën një parlament me një qendër të copëzuar, ku fituan liberalët pro-BE-së dhe të Gjelbërit nga njëra anë, si dhe nacionalistët euroskeptikë të së djathtës ekstreme në anën tjetër, duke e bërë më të vështirë arritjen e një axhende të përbashkët.

“Ne nuk do të zgjedhim sot zotin apo zonjën Evropë, por thjesht do të bëjmë një bilanc të zgjedhjeve evropiane”, tha kryeministri liberal i Luksemburgut Xavier Bettel. Zgjedhjet e Bashkimit Evropian që mbahen një herë në pesë vjet, kërkojnë zëvendësimin e krerëve të institucioneve kryesore të BE-së.

Zonja Merkel tha se ajo dëshironte që ligjvënësi Weber të ishte kreu i ardhshëm i Komisionit Evropian, ekzekutivi i fuqishëm i BE-së, pas zotit Jean-Claude Juncker të Luksemburgut, i cili largohet më 31 tetor.

Por Presidenti Macron nuk ishte dakord, duke renditur komisioneren e BE për çështjet e konkurrencës, danezen Margrethe Vestager, negociatorin e bllokut për çështjen Brexit, francezin Michel Barnier dhe socialdemokratin hollandez Frans Timmermans si kandidatë më të përshtatshëm. Spanja dhe Suedia mbështesin zotin Timmermans, ndërsa Irlanda dhe Kroacia janë për zotin Weber. Luksemburgu dhe Sllovenia mbështesin zonjën Vestager, një nga të paktat gra që konkurrojnë për këtë post.

Udhëheqësit lindorë kërkojnë të ruhet drejtpeshimi gjeografik në zgjedhjen e kandidatëve për postet më të larta.

Kryeministri holandez Mark Rutte, ai grek Alexis Tsipras dhe Charles Michel i Belgjikës, janë ndër disa udhëheqësit të cilët mund të largohen nga posti pas paraqitjes së dobët në zgjedhje. Pozita e dobët e tyre e komplikon më tej debatin për postet e larta dhe kursin strategjik që do të ndjekë Bashkimi Evropian./Marrë nga VOA

Sulmi në Lion, Macron: Jam pranë të lënduarëve nga shpërthimi

Një bombë ka shpërthyer në qendër të Lionit, duke plagosur të paktën 13 persona, mes tyre dhe një vajzë të vogël, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Fatmirësisht nga sulmi nuk raportohen jetë njerëzish të humbura, megjithëse shpërthimi ka qenë i fortë dhe të plagosurit kanë marrë plagë të rënda.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka reaguar për sulmin, duke shkruar një status në Twitter, ku shprehet se i gjendet pranë familjeve të personave të plagosur nga sulmi i sotëm.

“Sot mendoj vetëm për të plagosurit nga shpërthimi në Lion, familjet e prekura nga dhuna që ka rënë mbi të dashurit e tyre në rrugë dhe gjithë Lionin. Jemi në mbështetjen tuaj”, ka shkruar shkurtimisht Macron.

Sakaq, ministria e brendshme franceze ka urdhëruar rritjen e vigjilencës nga ana e prefekturave, për të marrë masa sigurie në ambientet publike, vendet ku organizohen evente sportive dhe kulturore.

“Kam marrë garanci nga Merkel dhe Macron. Turp për Saliun dhe kadrinjtë!”

Kryeministri Edi Rama i sapo kthyer nga samiti i Berlinit sqaroi dhe njëherë sesi qëndron çështja e hapjes së negociatave me BE-në. Ai tha se progresi i Shqipërisë është vlerësuar si nga kancelarja gjermane ashtu edhe nga Presidenti francez, por se çështja e negociatave varet edhe nga politika e brendshme e BE-së, zgjedhjet që janë në prag, por edhe qëndrimet e partive anti zgjerimit evropian në secilin shtet. Rama tha se hapja e negociatave pra varet nga shumë faktorë dhe nuk lidhet vetëm me ecurinë e Shqipërisë, ndërsa ironizoi qëndrimet e opozitës shqiptare.

“Gramafonët dhe filxhanët e Tiranës që njoftuan mbylljen e dyerve të Europës, ishte një shprehje e atyre që duan të marrin me çdo kusht Shqipërinë. Përpjekje ekstreme për të shitur pallavra që negociatat nuk hapen janë të turpshme. Vendimmarrjet nuk lidhen vetëm me sa bëjmë ne por me atë që ndodh me vend ku rritet partia anti-europiane. Askush nuk i thotë dot më Kosovës që nuk ke përmbushur kriteret. Disa qeveri në BE i friken forcave anti-europiane ne vendet e tyre nëse i japin Kosovës atë që i takon. U tha se Macron ka firmosur për të mos i dhënë viza Kosovës. Aspak e vërtetë. Pa pikë turpi që nga Saliu e deri tek dajë Titi fajësuar qeverinë tonë në emër të Macron, i cili e ka vlerësuar uljen me 40 % të numrit të azilkërkuesve për vitin e shkuar. Mjerë ky vend për rrugëhumburit dhe Kadrinjtë që shpikin çdo ditë. Ne e kemi çuar Shqipërinë në derën e paradhomës së BE. Është e sigurtë se kemi sot marrëdhëniet me të mira me Gjermaninë dhe Francën. Merkel dhe Andera Nales, edhe nënkryetari i grupit parlamentar të VDU  e kanë vlerësuar qartësisht progresin e bërë në procesin e integrimit. Na kanë siguruar në njohjen e meritave të Shqipërisë për zyrtarizimin e çeljes së negociatave. Vitin e kaluar KE shkruajti se në qershor do jepet vendimi pozitiv dhe nga ana tjetër shumë e rëndësishme për procesin, Shqipërisë pikërisht se ka kryer detyrat i është lejuar të nisë një proces i cili niset kur negociatat hapen zyrtarisht. I vetmi problem është se në ditën e vendimmarrjes në qershor është tejet e shkurtër. Pse KE vendosi këtë vit që ta nxjerrë raportin në fund të Majit, për shkak të zgjedhjeve të BE. Problemi nuk është ecuria e Shqipërisë por dinamika e brendshme politike. Është folur për shtatorin”, tha Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS-së.

ERTV Live😊: FJALA NE MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR TE PS🌹

Publiée par Edi Rama sur Jeudi 2 mai 2019

Rama publikon videon, përqafime me Merkel dhe Macron

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar inkurajuese takimet e zhvilluara në Samitin e Berlinit me kancelaren Merkel dhe Presidentin francez Macron.

Për ta ilustruar më mirë këtë ai ka postuar në facebook një video ku shihet duke përqafuar miqësisht si kancelarin gjermane ashtu dhe presidentin francez.

“Pas një dite të gjatë me përfundime inkurajuese, mbi sfidat e vendit e të rajonit dhe procesin e paqes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, ku tanimë ka një angazhim të shtuar të Gjermanisë e të Francës, ju uroj një ditë të mbarë” shkruan Rama.

MIRËMËNGJES 😃dhe me pamjet e mbrëmjes së vonë, dje pas një dite të gjatë me përfundime inkurajuese, mbi sfidat e vendit e të rajonit dhe procesin e paqes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, ku tanimë ka një angazhim të shtuar të Gjermanisë e të Francës, ju uroj një ditë të mbarë 😊

Publiée par Edi Rama sur Lundi 29 avril 2019

Këshilli i Ambasadorëve i shkruan Merkelit dhe Macronit: Na ndihmoni!

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i është drejtuar me një letër të hapur kancelares gjermane Angela Merkel si dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të cilëve i kërkon ndihmë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri.

Letra i dërgohet dy drejtuesve kryesorë të BE-së në prag të samitit të Berlinit. Këshilli i Ambasadorëve, i cili drejtohet nga ish ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe në përbërjen e tij ka figura me kontribute në fushën e diplomacisë, kërkon nga Merkel dhe Macron që të japin mesazhe të qarta për të inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.

Letra e hapur:

Tiranë 25 Prill 2019

Shkëlqesisë së saj, Zonjës Angela Merkel,

Kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë

Shkëlqesisë së tij, Zotit Emanuel Macron,

President i Republikës Franceze

Opinioni ynë publik është njohur për samitin që ju do të organizoni në Berlin më 29 prill 2019 me kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se kjo nismë vjen në kohën e duhur për t’i dhënë një shtytje të re procesit të ngadalshëm dhe plot konvulsione të ndërtimit të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në vendet e rajonit tonë.

Ne besojmë thellësisht, Shkëlqesi, se Ju, në emër të shteteve të fuqishme, bujare dhe me ndikim planetar për lirinë dhe demokracinë, që udhëhiqni, në emër të Bashkimit Europian do t’u përcillni udhëheqësve të shteteve të rajonit tonë mesazhe të qarta për paqe të qëndrueshme, stabilitetin pa cënuar standartin e demokracisë e të shtetit ligjor dhe zhvillimin ekonomik duke respektuar dinamikën e tregut të lirë dhe konkurrencën e ndershme.

Ky samit është një rast fatlum veçanërisht për përfaqësuesit e lartë të Serbisë dhe të Kosovës, dy vende shumë të rëndësishme të rajonit tonë, të cilat gjenden prej afro një dekade të përfshira në një proçes shumë të vështirë negociatash për të normalizuar marrëdhëniet midis tyre. Serbia dhe Kosova janë dy shtete sovrane, të cilat kanë të përbashkët një të kaluar të afërt të mbushur me urrejtje dhe luftë të përgjakshme ndëretnike. Por këto dy vende kanë sot të përbashkët edhe aspiratën për integrim europian.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se pikërisht kjo aspiratë përbën motorrin më të fuqishëm frymëzues për shoqëritë dhe institucionet e këtyre dy shteteve, për t’i shtyrë ato drejt pajtimit përfundimtar duke lënë pas të kaluarën e hidhur, në emër të ndërtimit të një fqinjësie të shëndetshme, miqësore, si interes jetik në radhë të parë për popujt e tyre, por edhe për të gjithë popujt e rajonit.

Ne shpresojmë se vizioni dhe autoriteti juaj i lartë, Shkëlqesi, do të nxjerrë njëherë e mirë nga rendi i ditës i negociatave midis këtyre dy vendeve çdo plan për ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh. Përcaktimin e kufijve midis këtyre shteteve sipas vijës së ndarjes etnike do të shënonte një kthim prapa dhe do të ishte i mbushur me rreziqe jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për vendet e mbarë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen e thellë se pajtimi i vërtetë serbo-shqiptar mund të arrihet vetëm sipas përvojës dhe modelit franko-gjerman, që ju mishëroni.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dëshirojmë të vendosim ne vëmendjen tuaj edhe disa problematika të vendit tonë.

Gjatë këtyre 28 vjetëve pas shembjes së diktaturës staliniste, Shqipëria ka bërë pa dyshim përparime substanciale në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të ekonomisë. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duke e bërë kështu të pakthyeshëm orientimin tonë perëndimor. Më shumë se 90 për qind e opinionit publik shqiptar mbetet i vendosur në mbështetje të perspektivës europiane.

Mbarë shoqëria jonë pret me shpresë që Këshilli Europian të vendosë në qershorin e ardhshëm për çeljen e negociatave, duke shënuar një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit europian të vendit tonë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreson se ju Shkëlqesi, dhe qeveritë që ju udhëhiqni, do të jeni në mbështetje të ëndrrës europiane të shqiptarëve. Kjo ëndërr e shenjtë frymëzoi shqiptarët për t’u ngritur kundër sistemit më represiv të kohës.

Shqipëria po kalon një tranzicion të stërzgjatur dhe shoqëria shqiptare vazhdon të përballet me një sistem endemik korrupsioni. Krimi i organizuar, sidomos ai që vepron në fushën e trafikimit të drogës, vazhdon të ketë lidhje me politikën.

Prej më shumë se një viti vendi është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është praktikisht jashtë funksioni, duke e futur krejt drejtësinë në kolaps.

Prej dy muajsh opozita parlamentare ka braktisur përfundimisht parlamentin, duke dalë në rrugë e kërkuar një qeveri tranzicioni, e vetmja mënyrë, sipas saj, që do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme, të pacënuara nga lidhjet e krimit me politikën.

Vendi po kalon një krizë përfaqësimi dhe riciklim të krizës politike pa precedent qysh nga rënia e diktaturës. Kjo krizë ka lëkundur shpresën e shoqërisë shqiptare dhe sipas statistikave gjatë pesë vitëve të fundit janë larguar nga vendi në rrugë legale dhe ilegale afro një e pesta e shqiptarëve.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se forcat politike shqiptare, edhe falë mbështetjes suaj, do të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët të dialogut për kapërcimin e krizës duke qene të bindur se ëndrra europiane nuk realizohet duke u larguar nga Shqipëria, por duke ndërtuar në Shqipëri vlerat europiane.

Ne gjithashtu shpresojmë që ju shkëlqesi, si miq të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të përdorni rastin e këtij samiti për të dhënë mesazhe të qarta dhe inkurajuar të gjithë faktorët politikë dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar rrugën e dialogut.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron suksese këtij samiti dhe u shpreh mirënjohje të përzemërt nismëtarëve dhe organizatorëve të tij.

Me respekt

Këshilli Ambasadorëve Shqiptarë

Skip to toolbar