Washington Post i ka kushtuar një artikull të veçantë marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe cështjes së integrimit, duke konkluduar se BE duhet të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në një analizë të gjatë Washington Post thotë se BE ka 16 vite që i premton Ballkanit, por asgjë nuk është bërë deri më sot. “Përgjatë 16 viteve të fundit, Brukseli i ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë edhe rajoni më vulnerabël i Kontinentit të vjetër, se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Euorpian, por gjatë vitit të fundit, Brukseli ka kryer një rrokullisje të madhe, duke vënë dyshim idenë e zgjerimit”, thuhet në shkrimin me titullin “Si Bashkimi Evropian po e tradhton Ballkanin Perëndimor”. Sipas shkrimit të Jasmin Mujanovic, politiolog i specializuar në politikën e Europës Juglindore, tema e zgjerimit është zhdukur nga axhenda e liderëve të BE, ndërsa kujton edhe rrezikun rus, kinez dhe turk në Ballkan.
“Ndërsa
shtetet anëtare hyjnë në zgjedhjet e Parlamentit Europian, Komisioni Europian
pa asnjë pengesë e ka hedhur idenë e vitit 2025 si data e ardhshme më e hershme
për një raund të ri zgjerimi. Por në Paris, Emmanuel Macron është i qartë: Nuk
do të ketë zgjerim, të paktën jo në të ardhmen e parashikueshme. Edhe në Berlin,
zgjerimi është bërë politikisht një temë toksike”, vazhdon analiza.
Por Washington
Post thotë se BE ende mund të ndryshojë kursin dhe këtë mund ta bëjë duke hapur
negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Ajo duhet të fillojë
formalisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe
të paktën të lejojë statusin e kandidatit të Bosnjes. Kjo do të stabilizojë
njëkohësisht anijen.
Detyra e
madhe, megjithatë, është krijimi i një plani afatgjatë të qëndrueshëm për
rajonin, i cili do të sjellë jo vetëm një angazhim të besueshëm ndaj normave
dhe praktikave liberale-demokratike, por edhe një pengesë të fuqishme ndaj
pëlqyrave të Rusisë”, thuhet në shkrim.
E për këtë,
Washington Post analizon që nëse BE rrëshqet nga komuniteti euro-atlantik,
liderët europianë do të fajësojnë vetëm veten e tyre. Nëse BE nuk zgjerohet,
politika e Ballkanit shumë shpejt do të bëhet e dëshpëruar dhe e rrezikshme,
sidomos për vetë Bashkimin Europian.