Thaçi, delegacionit francezo-gjerman: Taksa nuk hiqet, dialogu duhet të vazhdojë

​Një delegacion francezo-gjerman ka vizituar sot Kosovën, ku ka pasur takime me krerët e shtetit të Kosovës për Samitin e Parisit. Ky delegacion në përbërje ka vetëm zyrtarë përgjegjës për rajonin tonë në ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë.

Takimin e parë e kanë zhvilluar me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku ky i fundit ka deklaruar se taksa 100 për qind për produktet serbe nuk do të hiqet. “Dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat duhet të mbeten në fuqi”, deklaroi Thaçi. Gjithashtu, presidenti u shpreh se “Kosova nuk do të pranojë kritere tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në formë të kërkesave për tarifat apo asociacionin”.

Presidenti Thaçi kërkoi që qytetarët e Kosovës të mos mbahen të izoluar padrejtësisht dhe të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Në fund, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse, e cila do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Delegacioni i përbërë nga zyrtarë të Francës dhe të Gjermanisë është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj. Ndërsa, pas këtij takimi, delegacioni do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

“Shqiptarët njerëz të malit”, Vuçiç: BE-ja të mos i mbajë predikime kryeministres

Pas reagimit të BE për deklaratën e kryeministres serbe, ka ardhur edhe reagimi i Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke mbrojtur deklaratën e kryeministres Brnabiç, ka thënë se BE-ja duhet të merret me zbatimin e shkronjave ligjore dhe jo të bëjë predikime ndaj “sjelljeve të mira” të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç.

Këtë reagim Vuçiç e bëri pasi u pyet nga gazetarët për të komentuar rreth qëndrimit të Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini për fjalët që kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka thënë për njerëzit në Kosovë të cilët i quajti si të “malit”.

Kocijancic kishte thënë se çdo retorikë që është fyese, konfrontuese, ndarëse shkon kundër qasjes bashkëpunuese dhe pajtimit për të cilat gjëra ka nevojë rajoni, për të ecur përpara.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, gjatë një konference për shtyp në Beograd, në prani të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, ka lëshuar një fyerje të rëndë në drejtim të liderëve të Kosovës, duke thënë se “janë njerëz të dalë nga mali”.

Skip to toolbar