Reforma e ujit, Shqipëria firmos dy marrëveshje me Gjermaninë

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan të premten dy marrëveshje të rëndësishme në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Marrëveshja e parë, e firmosur nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Amabsadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf, parashikon një program të pestë për infrastrukturën komunale. Nga ky program, bashki të cilat kanë përfituar më parë nga qeveria gjermane, do të përfitojnë përsëri për të pëfunduar projektet e nisura në sistemimin e rrjetit të kanalizimeve.

“Gjermania është një ndër partnerët më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë dhe partneri më i madh përsa i përket mbështetjes financiare në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Dy marrëveshjet, që firmosim sot vijnë në kuadër të zbatimit të reformës kombëtare në këtë sektor, me qëllim përmbushjen e kërkesave të legjislacionit europian për ujin. ‘Programi V për infrastrukturën komunale’, është në vijim të katër programeve të mëparshme dhe mbështetet në suksesin, që ato kanë pasur në përmirësimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë, në zonat ku është investuar”, u shpreh Balluku gjatë fjalës së saj.

Marrëveshja e dytë, parashikon zbatimin e parimeve udhëzueseve të reformës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve nga ana e aktorëve kombëtarë bashkiakë. Ky program parashikon forcimin e kapaciteteve, duke u orientuar drejt përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Marrëveshja e dytë, që nënshkruajmë sot ka si objektiv parësor zbatimin e parimeve udhëzuese të reformës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve nga ana e aktorëve kombëtarë e bashkiakë, veçanërisht orientimin në mënyrë të koordinuar drejt performancës dhe përgjegjshmërisë. Ky program është krejtësisht i orientuar drejt konsumatorit dhe performancës së shërbimeve të furnizimit me ujë, si fondi i garancisë për reformën e sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do të marrin mbështetje institucionale, për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e reformës me qëllim përmbushjen e kritereve të programit”, nënvizoi Balluku.

Nga ana e tij, ambasadori Zingraf tha se në fokus të mbështetjes së Qeverisë Federale Gjermane do të jenë 11 ndërmarrje të ujësjellësve, të cilat mbulojnë 80 përqind të popullsisë në Shqipëri duke përfshirë këtu edhe formimin dhe kualifikimin e ekspertëve në mënyrë që këta të fundit të mund të reagojnë më mirë ndaj kërkesave të sektorit.

“Në fokus të projektit do të vazhdojë të mbetet mbështetja e 11 ndërmarrjeve më të mëdha të ujësjellësve, përmes të cilave mbërrihet në më shumë se 80 përqind të popullsisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të mbërrijmë, duke pasur efekte pozitive në jetën e shumë qytetarëve shqiptarë. Përmes masave të mirë orientuara në formimin dhe kualifikimin e ekspertëve synohet, që këta të fundit të mund të reagojnë më mirë ndaj kërkesave të sektorit. Po kështu, me ngritjen e kapaciteteve synohet aftësimi i institucioneve për të menaxhuar në mënyrë të përshtatshme edhe investimet në kuadër të bashkëpunimit financiar”, u shpreh ambasadori Peter Zingraf.

“Programi Infrastruktura Komunale V”, që përfshin bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamëz, Elbasan, Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë financohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KfË, Qeveria Zviceriane nëpërmjet SECO, Bashkimi Europian nëpërmjet WBIF dhe IPA 2018. Programi në vetvete do të implementohet në dy faza, faza përgatitore dhe faza e zbatimit.

Marrëveshje Rama-Basha? Majko shton dyshimet

Ministri për diasporën, Pandeli Majko ka shtuar më shumë dyshimet e opozitës së re për një marrëveshje të re Rama-Basha. Ndërsa deputetët e opozitës në parlament akuzuan “dorën e shtrirë” të Ramës për dialog dhe bashkëpunim me opozitën jashtë parlamentit, ministri Majko duke dashur t’i qetësojë kolegët opozitarë, i ka shtuar më shumë dyshimet, teksa ka thënë se çfarëdo marrëveshje të arrihet ajo do të vijë në kuvend dhe duhen votat tuaja për ta miratuar.

“Për ju është e rëndësishme që çfarëdolloj marrëveshje që do të diskutohet, politika është matematikë do vijë në këtë sallë, duhet vota juaj pa votën tuaj nuk ratifikojmë asgjë. Nuk bëhet as me mollë, pjeshkë, ngjala, hamburger me ca të doni. Zëvendësuesit në sport kanë bërë historinë, këtë nuk e kanë bërë as me batuta, as sharje, por akte dhe lojë të ndershme”, tha Majko.

Para tij, deputetët Ralf Gjoni dhe Myslim Murrizi të opozitës së re parlamentare, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e së enjtes akuzuan Ramën se po flirton me Bashën për të bërë një marrëveshje për reformën zgjedhore. Ndërkohë që ata kërkojnë që marrëveshja të bëhet mes Ramës dhe deputetëve të opozitës në parlament, pasi do të jenë ata që do ta votojnë këtë reformë dhe jo Basha./realstory.al

Dështojnë negociatat, Barcelona-PSG nuk gjejnë marrëveshje për Neymar

Takimi i parë mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germain ka përfunduar pa një marrëveshje për Neymar. Një delegacion i klubit Blaugrana, i përbërë nga Oscar Grau, Javier Bordas, Eric Abidal dhe Andre Cury, udhëtoi në Paris të martën për t`u takuar me drejtuesit e PSG, për të negociuar kthimin e brazilianit në Camp Nou.

Të dy klubet do të vazhdojnë bisedimet e tyre gjatë orëve të ardhshme, pasi një takim tjetër mund të zhvillohet në orët e vona të mbrëjes. Le Parisien, shkruan se Barcelona ka ofruar deri në 170 milion euro, të cilat do të paguhen në dy këste, për të riblerë Neymar, të cilin e shiti te PSG dy vite më parë për shifrën rekord të 222 milion eurove.

Emri i Ousmane Dembele është vendosur gjithashtu në tavolinën e diskutimit, por kampionat e Ligue 1 nuk janë të kangur me ofertën. Në fillim të takimit mes dy palëve, Neymar ka njoftuar PSG se dëshira e tij e vetme ëhstë të bashkohet me Barcelonën. Real Madrid dhe Juventus kanë shfaqur gjithashtu inters për të nënshkruar me sulmuesin brazilian, parapara se të mbyllet dritarja e transferimeve.

Rama kujton marrëveshjen e 2017: I provuam ministrat e PD, bënë budallallëqe në qeveri

Në bisedë me banorët e njësisë 10 në Tiranë, kryeministri kujtoi marrëveshjen e 2017 me Bashën dhe ndarjen e qeverisë me PD-në.

Ai tha se në pak muaj, ministrat e PD-së bënë gjëra të paimagjinueshme në qeveri. Ai gjithashtu tha se asnjë shtet tjetër nuk ka fatkeqësinë te ketë Saliun.

“Më vjen keq, po asnjë shtet tjetër nuk ka fatkeqësi të ketë Saliun. Të gjithë ato që dolën nga ato historira ikën në punë të vet, ky vazhdon akoma.

Bëmë në 2017 marrëveshjen. Por aq muaj sa ndenjën, gjëra të pabesueshme, budallallëqe, i paaftë, a e kupton, jepja dhe njëherë ta bëjnë nga e para. Si luani njësoj, që nga mishngrënës, vegjetarian dhe fol me vete, është tmerr i madh”, tha kryeministri.

ERTV Live😊: Me banorët e Njësisë Administrative Nr.10 TIRANË #30QERSHOR🌹 ⭐BASHKIA QE DUAM⭐ SHQIPERIA🇦🇱QE🇪🇺DUAM

Gepostet von Edi Rama am Freitag, 7. Juni 2019

Mero Baze: “399”, pazari i Bashës për marrëveshje dhe prokurorët politikë

Nga Mero Baze

Është e treta herë që publikohet dosja “339”. Në fillim shqip, nga gazetarët që punonin si zëdhënësa jozyrtarë, të prokurorëve që u prekën nga reforma. Dhe në fakt, atëhere ishte dhe më serioze. Prokurorët që kishin dosjen nuk vepruan, pasi donin të bënin pazar me dosjen për vendin e tyre të punës, të rrezikuar nga Vettingu. Një prej tyre, më i famshmi, që furnizonte gazetarët me pjesë nga dosja në çdo emision, i humbi shpresat se mund të bënte punë me dosjen, dhe e çoi në zyrat e opozitës.

Pastaj dosjen e rimori BIRN dhe “Zëri i Amerikës”, të cilët bënë me të një raport më serioz. E dëgjuam dhe në anglisht. Me të u motivua ikja nga Kuvendi dhe djegia e mandateve.

Pastaj nisi lobimi i Bashës në Gjermani, me shpresë të bllokojë negociatat dhe të justifikojë bojkotin e zgjedhjeve. Dosja u përkthye dhe në gjermanisht, dhe ju dha një gazete gjermane. E dëgjuam dhe në gjermanisht, tani si justifikim për mos hyrje në zgjedhje. Prapë “Niçen” dëgjuam. Kemi shpresa ta dëgjojmë dhe në frëngjisht, spanjisht dhe holandisht.

E vetmja gjë e re, janë justifikimet për të cilën përdoret dosja këtë herë. Dosja është e vjetër, është dy vjeçare dhe është e rëndë për Prokurorinë, pasi tashmë ajo është bërë “Nul” dhe e papërdorshme nga ana ligjore. Dhe është bërë me qëllim, që të përdoret vetëm për shantazh.

Dosja ka pasur në qendër të hetimit një grup kriminal, i cili, siç del, është përzier dhe në zgjedhje. Meqë grupi ka qenë në përgjim për aktivitet kriminal, prokurori që ndiqte çështjen, sapo ka parë interferencë të grupit kriminal në zgjedhje, duhej të zbardhte përgjimet, të dokumentonte provat dhe të niste menjëherë procedimin penal.

Sipas nenit 328 i kodit penal, “Dhënia e shpërblimit në zgjedhje, është kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjashtë muaj, deri dy vjet”.

Pra këtu kemi të bëjmë me kundravajtje penale, dhe nëse gjatë përgjimit kanë dalë ato biseda, Prokuroria duhet të kishte marrë masat për vënien në vëzhgim dhe arrest në flagrance të personave të përfshirë.

Fatkeqësisht tani e vetmja vepër penale këtu është mos reagimi në kohë i Prokurorisë për t’i kapur në flagrancë, dhe përdorimi i dosjes për shantazh politik, që nga prokurori që e ka nxjerrë, ngaqë nuk e përdori dot si shantazh për t’u mbrojtur nga Vettingu, e deri tek Berisha e Basha, që kanë dy vjet që e mbajnë në zyrë, duke e shëtitur redaksi më redaksi.

Prokuroria duhet të dalë e të sqarojë vlerën jurdike të atyre provave, pasi gjithë prokurorët që i kanë “depozituar” ato prova, thjesht kanë siguruar prova të gatshme kundër tyre, për mos veprim.

Nga ana tjetër, është shumë banale kërkesa e sotme e Prokurorisë, që urdhëron shtypin në Shqipëri të ndalojë publikimin e atyre fashikujve. Ato po ribotohen për herë të tretë, dhe sot është burim një gazetë gjermane.

Askush nuk ndalon dot shtypin në Shqipëri të citojë një gazetë të huaj rreth disa fakteve, qofshin këto dhe të stërthëna. Prokuroria duhet të hetojë kush ka shantazhuar me dosjen dhe jo të ndalojë ribotimin e saj nëpër gazeta. Kjo është më tepër një alibi për të thënë se u prish hetimi dhe të shpëtojnë nga hetimi, shantazhuesit e vërtetë, se sa një kujdesje ndaj daljes së sekretit, për të cilin shtypi nuk ka asnjë përgjegjësi.

E gjithë historia e dosjes “339” është historia e një shantazhi nga një aleancë e gjerë mes Prokurorisë dhe politikës në Shqipëri, që ishin kundër reformës në drejtësi.

Në fillim prokurorët e rrezikuar nga reforma tentuan ta përdorin, duke u çuar fjalë në qeveri se kanë dosjen dhe mund ta mbyllin, pastaj kur humbën vendin e punës, duke e çuar dosjen në zyrën e opozitës.

Kjo dosje është përdorur edhe për të ikur nga Parlamenti, kjo dosje është përdorur edhe për të djegur mandatet, kjo dosje po përdoret edhe për të mos hyrë në zgjedhje, dhe po kjo dosje po përdoret edhe kundër hapjes së negociatave.

Në këtë pikë, PD dhe Basha meritojnë lavdërime, pasi e kanë shtrydhur aq shumë, sa nuk mban më, por në të vërtetë kjo është një arsye më shumë, përse reforma në drejtësi duhet të ecë shpejt, përse prokurorët dhe gjithëkush që e ka prekur këtë dosje me dorë që ditën e parë dhe e ka kthyer nga dosje penale në dosje shantazhi, duhet të shkojë para drejtësisë.

Së paku, të mos ndodhë siç e kemi traditën, që ata që dalin në dosje përgjimi, të ngrihen lart e më lart në detyrë, deri në President, apo akoma më keq, ata që janë subjekt krimesh, të kthehen në viktima.

Shqipëria është e mbushur me përgjime të tilla, që nga Saranda në Shkodër, ku bëhen pazare majtas e djathtas, se kë duhet të spostojnë, e kë duhet të mbështesin.

Ka kaseta që provojnë se kush e rrëzoi Kokëdhimën në Gjykatën Kushtetuese si “Pashai i Jugut” dhe kujt ju premtua influencë në jug, kaseta që provojnë pagesa të frikshme nga biznesmenë që janë në burg për politikanë, dhe plot histori të tjera. Por asgjë nuk vlen nëse Prokuroria nuk vepron në kohë dhe vendos drejtësinë, por i përdor këto dosje si shantazh.

Kjo dosje ka pasur në fokus një grup kriminal dhe e ka çuar në burg grupin kriminal, ndërsa Prokuroria politike ka tentuar të përdorë pjesët e tjera të dosjes për shantazh politik, duke e bërë të pavlefshme dosjen për t’u ndëshkuar autorët e krimit elektoral.

Si shantazh politik ja kanë nxjerrë zinë, por nuk është se kanë gjetur përkrahje. Thjesht ka shërbyer për të justifikuar aktet politike të opozitës. Lulzim Basha harxhoi tre ditë në Berlin këtë fundjavë me dosjen e përkthyer në gjermanisht, dhe as ndonjë punonjës të rëndomtë në Bundestang nuk takoi dot, përveçse u sigurua se dosjen do ta botonte për herë të tretë “Bild”.

Ndërsa dy ministra të Ramës, ai i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë, u pritën në Bundestag nga ata që Basha i konsideron përkrahës të tij.

Por dosja na tregon kulturën e keqe të shkatërrimit të drejtësisë në Shqipëri, ku drejtësia nuk vepron ndaj personazheve politikë, por i ruan për shantazh dhe i bën publike vetëm për të bërë politikë.

Tani kjo dosje ka prodhuar politikë më shumë se sa ka prodhuar vetë Basha që kur ka hyrë në PD. E mira do të ishte të prodhonte të pandehur, duke nisur nga ata që praktikisht kanë bërë “NUL” dhe të pëpërdorshme kundravajtjen penale të hasur në dosje gjatë fushatës së vitit 2017.

Kur Basha ishte i lumtur se i kishte funksionuar shantazhi i parë për bojkot dhe kishte pazar me Edi Ramën.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Basha tregohet i prerë: Jo pazare me Ramën

Kryedemokrati Basha përsëriti nga Berat se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Ramën. Zgjedhjet e lira do të realizohen vetëm nëse Rama largohet për t’i hapur rrugë garës së ndershme.

“Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka pazar me Ramën. Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do t’i bindej sovranit për të djegur mandatet. Kjo ndodhi! Këtu nga kjo sallë ju them: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme dhe zgjedhjeve të lira.” – tha Basha

A ka marrëveshje Rama-Basha? Ja çfarë thotë Taulant Balla

Në seancën e sotme parlamentare kanë qenë dy deputetë të opozitës që shprehën shqetësim për ekzistencën e një marrëveshje Rama-Basha. Ka qenë Rudina Hajdari ajo që tha e para se Rama e Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës në dëm të shqiptarëve.

“Unë e ndjej se këto kanë bërë marrëveshje, por jo për shqiptarët, por për zuzarët”, tha Hadari. Në të njejtën linjë foli dhe deputeti i LSI-së, Ralf Gjoni. “A ka marrëveshje politike, sepse kjo mbetet për t’u sqaruar, pasi po përflitet se Rama-Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës politike, edhe këto janë kthyer në element statistikor, 2008, 2017, mund të bëhet edhe ndonjë tani. Marrëveshjet nuk kanë sjellë asgjë, veç për 2-3 peshq të mëdhenj të pa ndëshkuar dhe cënuar”,- tha ai.

Në përgjigje të tyre foli kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor dhe se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Bashën në dëm të Kushtetutës.

“Për parantezë meqë m’u kërkua për çështje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit do u them qartë, ju patjetër, por të gjithëve se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Aq i sigurt është detyrimi për të zgjidhur zgjedhje në 30 qershor, njëlloj si dielli lind në lindje dhe perëndon në perëndim. Nuk do i japim mundësi Bashës dhe bandës së tij që të marrin peng vendin dhe të përdhosin Kushtetutën. Në 29 maj shqiptarët do të marrin lajmin e mirë nga KE për të rekomanduar fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Përpjekja e fundit do të bëhet në paradën e fundit të huliganëve në 25 maj. Sa për LSI-nuk quhet pengmarrje, pasi është trashëgimi brenda familjes. Sot shumica do të rrëzojë dekretin e zotit Meta dhe ftesa ime për opozitarët e rinj ësht që të bashkoheni për ta mbështetur. Dhuna e së shtunës së kaluar urdhërohet politikisht dhe kriminalisht nga Berisha dhe Basha. Përdorimi i molotovit është akt terrorist. Zoti Gjoni, Murrizi dhe Hajdari nuk bëjmë kurrë marrëveshje në kurriz të Kushtetutës, zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor”,- tha Balla.

Zbulohet drafti me 7 pika i opozitës. Kërkon rikthimin në Parlament

Gazeta “Shqip” dhe Top Channel shkruajnë sot se kanë zbuluar një dokument të hartuar nga selia blu dhe që përmban 7 pika kryesore që i japin fund protestave të dhunshme në vend.

Gazeta shkruan se drafti është siguruar nga burime të besueshme brenda të opozitës, të cilët po i diskutojnë edhe me ndërkombëtarët. Duket se kërkesa kryesore e opozitës është rikthimi në parlament dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

1- Qeveria të pranojë se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Është një nga kërkesat e panegociueshme nga ana e opozitës. Pikërisht për këtë kusht sakrifikoi deri dhe djegien e mandateve parlamentare. Ndërkohë, faktori ndërkombëtar ka përsëritur se zgjedhjet parlamentare do të mbahen sipas afatit kushtetues dhe ligjit, në vitin 2021.

2- Rama të jetë kryeministër deri në momentin që nga kompromisi kombëtar vendoset se në cilin muaj do të jenë zgjedhjet e parakohshme.

Deri më tani, opozita ka deklaruar se nuk ulet në negociata me Edi Ramën kryeministër dhe krijimin e një qeverie tranzitore, që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo pikë e propozuar duket se ka zbutur së tepërmi qëndrimin agresiv ndaj kreut të qeverisë.

3- Të bien dakord për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve.

Në kushtet kur ende nuk ka një Gjykatë Kushtetuese, opozita ka vendosur kusht parësor për formimin e këtij institucioni të rëndësishëm brenda 30 ditëve. Sipas opozitës, Gjykata Kushtetuese do të jetë garant për opozitën, që të ankimojë çdo paligjshmëri që ka të bëjë kryesisht me Reformën në Drejtësi dhe mandatet e reja të deputetëve.

4- Palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për zhvlerësimin e mandateve të deputetëve, dhënë nga KQZ-ja pas djegies së mandateve, dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në Parlament.

Kuvendi ka shfrytëzuar të plotë të gjithë hapësirën kohore prej 30 ditësh që i njeh ligji, pas marrjes së kërkesave për dorëzimin e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës. Për këtë arsye, opozita kërkon krijimin e Gjykatës Kushtetuese, për të quajtur të pavlefshëm mandatet e KQZ-së për deputetët e rinj. Kjo shpjegon se opozita është gati të rifutet në Parlament.

5- Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar.

Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është një nga kërkesat e opozitës dhe javën e shkuar, mazhoranca ngriti Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që parashikon ndërhyrje dhe modifikime në kod. Mazhoranca ka vendosur që në zgjedhjet e 30 qershorit do të shkohet me të njëjtin Kod Zgjedhor dhe se ndryshimet parashikohen për zgjedhjet e 2021. Kodi Zgjedhor nuk mund të ndryshohet 6 muaj para zgjedhjeve, por mundësinë e ndryshimeve Kushtetuese dhe në kuadër të një pakti kombëtar për zgjidhjen e krizës politike, gjithçka mund të ndodhë.

6- Të ndryshohet Kushtetuta, ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtare në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat pesëmujor, me ekspertë e jo me politikanë.

Është një nga kushtet e opozitës në platformën e saj për zgjidhjen e krizës. Duke parë se shpresat për një çelje të negociatave janë reduktuar këtë verë, PD dhe aleatët kërkojnë përfshirjen e ekspertëve për çeljen e negociatave.

7- Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga Parlamenti legjitim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Opozita kërkon zgjatjen e përkohshmërisë së Arta Markut, deri sa ajo të rifutet në parlament. Me zhvlerësimin e deputetëve që kanë marrë mandatin javët e fundit, opozita do të jetë e gatshme të votojë çdo kandidaturë që do të vijë si propozim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

DRAFTI I PLOTË:

1-Qeveria të pranoj se do shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

2-Rama të jetë kryeminister deri në momentin që nga KOMPROMISI KOMBETAR vendos se kur do jenë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet mund të jenë tetor-nentor 2019 ose mars-prill-maj 2020. Qeveria zgjedhore votohet 70 ditë para se të caktohen zgjedhjet e parakohshme.

3-Të bien dakort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese brenda 30 ditëve nga data e Marrëveshjes.

4-Palet t’i drejtohen gjykatës kushtetuese për çvlerësimin e mandatëve të deputetëve dhënë nga KQZ pas djegies së mandatëve dhe rikthimin e deputetëve siç ishin në parlament, pasi është shkelur ligji dhe Kushtetuta në zëvëndësimin e tyre.

5-Të ndryshohet Kodi Zgjedhor dhe të ketë sistem proporcional kombëtar

6-Të ndryshohet Kushtetuta ku të përcaktohet deri në momentin e hyrjes së Shqipërisë si anëtarë në BE të ketë qeveri zgjedhore me mandat katër mujor me ekspertë e jo me politikanë.

7-Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet nga parlamenti legjitim pas vendimit të gjykatës kushtetuese.

Basha: S’do lejojmë zgjedhje farsë. Të dënohet Rama, Dako e Gjiknuri

Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjeve me partitë aleate të Koalicionit Opozitar, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha për mediat se nuk do të ketë zgjedhje farsë dhe se kërkojnë dënimin e Ramës, Dakos e Gjiknurit për akuzën e krimit elektoral.

Basha gjithashtu tha se koalicioni opozitar do të jetë maxhoranca e re e vendit që do të vijë në pushtet vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“PD ka përfunduar paraditen e sotme nënshkrimin e marrëveshjes  se koalicionit politik dhe qytetar pë zgjedhjet e ardhshme. Në orët e ardhshme ky koalicion do të zgjedhohet me të tjera parti për t;i dhënë Shqipërisë të ardhmen që meritor. Pë r t’i dhënë fund zgjedhjeve false. Qëllimi është që të kthejmë vendimmarrjen në duart e shqiptarëve. Kjo qeveri ka detyruar shqiptarët të ndërmarrim një eksod. Do angazhohemi që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira. Do i japi, fund krizës kushtetues që gjykata të jetë larg ndikimeve politike për të vepruar me një standard. Do i japim fund krimit politik të vjedhjes së votave. Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do ketë, pa u ndëshkuar krimi elektoral. Pa u vënë para drejtësisë Edi Rama me Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknuri. Marrëveshja nuk është thjeshtë një konfirmim i vullnetit politike. Në supet tona qëndron një msion kombëtar. Në funksion të këtij misioni akti i parë do të jetë formësimi me gjithë faktorët shoqërorë i platformës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të sjellë mirëqenie për të gjithë shqiptarët. Largimi i shkaktarit të kësaj gjendje që shkaktoi politike, arsim dhe ekonomi false dhe krijimi i një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua të citoj Tomas Xheferson: Tirania është populli ka frikë qeverinë, liria është kur qeveria ka frikë popullin”, tha Basha.

LIVE

LIVE – Opozita u bashkua sot zyrtarisht në koalicion. Bashkë për Shqipërinë si Europa! #ShqipëriasiEuropa

Publiée par Lulzim Basha sur Mardi 23 avril 2019

Thaçi optimist për marrëveshjen me Serbisë: Firmoset brenda vitit

Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, në të njejtën linjë historike siç u arrit ajo mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, është e mundur të arrihet deri në fund të këtij viti, pavarësisht pengesave që ka pasur muajt e fundit.

Kështu është shprehur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për The Guardian.

Serbia ka refuzuar të njohë Kosovën si shtet të pavarur që nga vitit 2008, pra gati 10 vjet pasi administrata ndërkombëtare i dha fund luftës së përgjakshme mes dy shteteve që u zhvilluar në vitet 1998-99.

Lufta, e nxitur prej spastrimit brutal që po ushtronin forcat serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, latë paktën 10 mijë shqiptarë të vdekur, përpara se të nevojitej një fushatë bombardimi 78-ditore nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO, për t’i dhënë fund konfliktit.

“Duhet të ulemi e të bisedojmë edhe me armiqtë tanë të betuar, por pa parakushte, e të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin”, tha presidenti Thaçi në prag të zhvillimit të Konferencës së Berlinit që do të mbahet më 29 prill.

Bisedimet mes dy vendeve janë pezulluar që prej muajit nëntor, kur Kosova vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj produkteve që vinin prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Në rrethanat aktuale, me këto tensione, nuk shoh arsye se përse investitorët e huaj duhet të vijnë dhe të investojnë në rajonin tonë. Vetëm një marrëveshje paqeje do të sjellë prosperitetin e rajonit”, tha Thaçi ndërsa shtoi se nuk do të tërhiqet nga taksa ndaj mallrave serbe.

Skip to toolbar