A ka marrëveshje Rama-Basha? Ja çfarë thotë Taulant Balla

POLITIKË


Në seancën e sotme parlamentare kanë qenë dy deputetë të opozitës që shprehën shqetësim për ekzistencën e një marrëveshje Rama-Basha. Ka qenë Rudina Hajdari ajo që tha e para se Rama e Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës në dëm të shqiptarëve.

“Unë e ndjej se këto kanë bërë marrëveshje, por jo për shqiptarët, por për zuzarët”, tha Hadari. Në të njejtën linjë foli dhe deputeti i LSI-së, Ralf Gjoni. “A ka marrëveshje politike, sepse kjo mbetet për t’u sqaruar, pasi po përflitet se Rama-Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës politike, edhe këto janë kthyer në element statistikor, 2008, 2017, mund të bëhet edhe ndonjë tani. Marrëveshjet nuk kanë sjellë asgjë, veç për 2-3 peshq të mëdhenj të pa ndëshkuar dhe cënuar”,- tha ai.


Në përgjigje të tyre foli kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor dhe se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Bashën në dëm të Kushtetutës.

“Për parantezë meqë m’u kërkua për çështje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit do u them qartë, ju patjetër, por të gjithëve se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Aq i sigurt është detyrimi për të zgjidhur zgjedhje në 30 qershor, njëlloj si dielli lind në lindje dhe perëndon në perëndim. Nuk do i japim mundësi Bashës dhe bandës së tij që të marrin peng vendin dhe të përdhosin Kushtetutën. Në 29 maj shqiptarët do të marrin lajmin e mirë nga KE për të rekomanduar fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Përpjekja e fundit do të bëhet në paradën e fundit të huliganëve në 25 maj. Sa për LSI-nuk quhet pengmarrje, pasi është trashëgimi brenda familjes. Sot shumica do të rrëzojë dekretin e zotit Meta dhe ftesa ime për opozitarët e rinj ësht që të bashkoheni për ta mbështetur. Dhuna e së shtunës së kaluar urdhërohet politikisht dhe kriminalisht nga Berisha dhe Basha. Përdorimi i molotovit është akt terrorist. Zoti Gjoni, Murrizi dhe Hajdari nuk bëjmë kurrë marrëveshje në kurriz të Kushtetutës, zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor”,- tha Balla.




Skip to toolbar