Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me masat e marra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 30 qershor. Drejtori i Policisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj gjatë deklaratës së tij foli edhe për tubimet e kërkuara nga bashkitë që drejtohen nga opozita për tubime pa orar dhe pa vend përcaktimi nga periudha 27 qershor deri me 2 korrik. Dervishaj tha se këto tubime nëse bëhen gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore do të cilësohen të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, që parashikon masën nga 1-5 vite burg.
“Theksoj se gjatë ditëve të fundit nga subjekte politike janë dërguar njoftime në disa struktura vendore të policisë, nëpërmjet të cilave kërkohet organizimi dhe zhvillimi i tubimeve apo protestave në territorin e disa njësive të qeverisjes vendore, pa ndërprerje nga data 27.6.2019 deri në datën 02.07.2019, si dhe pranë KZAZ- ve e Qendrave të Votimit në territorin e disa bashkive. Kujtoj së në pikën 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, zhvillimi i mitingjeve ose veprimtarive të tjera zgjedhore…”. Sa më sipër sqaroj së çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet.” – tha Dervishaj,
Drejtori i Policisë së Rendit Publik tha më tej se janë marrë të gjitha masat në mënyrë që ditën e diel, më 30 qershor të ketë një votim sa më të qetë dhe të rregullt duke siguruar rendi publik. Dervishaj deklaroi se Policia e Shtetit ka që në shkurt të 2019 që detajon këtë plan masazh për të garantuar suksesin e çdo aktiviteti elektoral, të garantojë ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.
“Për sigurimin e rendit janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra të ndryshme gjatë zgjedhjeve. 5.876 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa 281 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë.” – tha Dervishaj
Dervishaj foli edhe për personat e përfshirë në lidhje me sulmet ndaj KZAZ, të cilët do të hetohen për veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor. “Në këto ngjarje janë përfshirë 250 autorë, nga të cilët 59 janë arrestuar 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 persona janë shpallur në kërkim.”
Dervishaj tha gjithashtu se nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në orën 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit.