Arta Marku: Lufta ndaj terrorizmit, kërkohet një bashkëpunim më i gjerë

Shqipëria ka marrë masat ligjore për të goditur këdo që synon të bashkohet me terroristët ose që rekruton luftëtarë kundër njerëzve të pafajshëm ka thënë Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku gjatë një takimi me Kryetarë të Gjykatave Supreme dhe Prokuroreve të rajonit  në Mal të Zi. Marku cilësoi se “personat që i janë bashkuar këtyre formacioneve janë persona me nivel të ulët arsimor dhe vështirësi të mëdha ekonomike, të cilët besojnë se duke u bashkuar me terrorin, mund të jetojnë më mirë.”

Gjatë konferencës, Marku theksoi se vendet duhet të kenë një bashkëpunim më të madh me njëri-tjetrin për të parandaluar terrorizmin dhe për të luftuar këto fenomene.

Bashkëpunimi duhet të jetë shumë i gjerë dhe jo vetëm për hetimin e çështjeve. Bashkëpunimi duhet të jetë i hershëm, i vazhdueshëm, me një shkëmbim intensiv informacionesh.” – tha kryeprokurorja Arta Marku gjatë fjalës së saj.

Haradinaj mban taksën, Serbia dhe Bosnja nisin kërcënimet

Vendosja e taksës 100 % nga kryeministri Haradinaj për produktet serbe dhe ato të Bosnjë Hercegovinës është kundërshtuar me forcë nga ndërkombëtarët dhe ka qenë edhe objekt debatesh të nxehta në politikën shqiptare.

Ndërsa Haradinaj duket të mos ndryshojë nga qëndrimi i tij, Bosnja dhe Serbia kanë vendosur t’i kundërpërgjigjen kësaj mase.

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiç si dhe ministri i Tregtisë dhe Marrëdhënieve Ekonomike i Bosnjës dhe Hercegovinës, Mirko Sharoviç i kanë dhënë afat Kosovës deri më 1 Korrik për të rishikuar edhe një herë vendimin e saj, datë e cila përkon me takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris. Të dy ministrat deklaruan se do të koordinojnë aktivitetet dhe do marrin masa të ashpra për të rritur presionin ndaj Kosovës për të shfuqizuar taksën.

Që pas vendosjes së taksës 100 % humbja në sektorin ekonomik për Serbinë dhe Bonjë Hercegovinën kanë qenë tepër të mëdha. Periudha 21 nëntori 2018 deri më 21 maj 2019, ka shënuar humbje për Serbinë me 189,5 milionë euro ose 80 % më pak mallra në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa Bosnja ka shënuar rënie të dërgimit të mallrave në Kosovë prej 97 % ose 27 milionë euro më pak.

Bllokimi i zgjedhjeve, Lleshaj: As mos e mendoni

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me prefektët dhe drejtuesit e policisë lidhur me marrjen e masave për mbarëvajtjen e fushatës dhe procesit zgjedhor në vend. Gjatë fjalës së tij Lleshaj foli edhe për kërcënimet e opozitës se nuk do të lejojë që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor dhe do të bllokojë kutitë e votimit. Ministri Lleshja tha se askush nuk ka të drejtë dhe as mos ta mendojë të shkel kushtetutën e këtij vendi.

“Zgjedhjet janë krye-institucioni i një vendi demokratik, që qëndrojnë mbi Parlamentin, mbi Qeverinë, mbi Presidentin, mbi Kryeministrin, mbi Ministrin, mbi Drejtorin, mbi Prefektin. Dita e zgjedhjeve dhe zgjedhjet si institucion janë mbi të gjithë këta dhe askush nuk mund të ketë të drejtë, as mundësi, as shans, që të mendojë apo të veprojë për të prekur sado pak qoftë integritetin e një procesi që është thelbi i demokracisë dhe Kushtetutës së këtij vendi.” – tha Lleshaj

Skip to toolbar