7 anëtarë të një fondacioni në Tiranë që
mashtronte njerëzit me kredi false janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër
të operacionit të koduar “Kredia”.
Policia njofton se përmes mashtrimit me kredi
fiktive këta persona kanë përfituar jo pak, por 3.7 milion euro.
Arrestimi është bërë pas akuzës së bërë nga
drejtuesit e fondacionit të cilët kishin akuzuar se një pjesë e stafit të këtij
fondacioni kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin
marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm. Menjëherë pas kësaj
akuze janë vënë në punë specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik në drejtorinë
vendore të Policisë së Tiranës, të cilët kanë arrestuar 7 anëtarë të këtij fondacioni,
emri i të cilit nuk bëhet i ditur.
Në pranga kanë rënë: A. I., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë
Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit.
B. K., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë
Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M. D., 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me
detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit.
M.H., 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën
ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
E. V., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere
kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit.
O. D.,
41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave
për kredi fiktive.
A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin
ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht
është me masë sigurie “Arrest në burg”, për një tjetër vepër penale dhe akuza
do t’i komunikohet në ambientet e burgut.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një
shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e
tij.
Si funksiononte skema e mashtrimit
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se
shtetasja A.I., në pozicionin e drejtoreshës së njërës nga degët e filialit të
fondacionit, kishte krijuar ketë skemë mashtrimi dhe në bashkëpunim me personat e tjerë të
ndalur kanë lëshuar kredi në mënyre fiktive dhe klientët që kanë përfituar
kreditë nuk janë paraqitur fare në zyrat e fondacionit në momentin e aplikimit
për kredi.
Ata paraqiteshin vetëm në momentin që
disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe nga shuma e përfituar
e kredisë, këta persona përfitonin 25 deri në 35% të shumës së kredisë dhe
pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e degës, Oficeret e Kredisë dhe
Sekserët që siguronin klientët dhe në përfundim të këtij procesi nga
Drejtoresha e degës lëshohej një vërtetim fiktiv, sikur e gjithë shuma e
kredituar ishte likuiduar nga klienti.
Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf,
deri tani ka shkuar në vlerën 2 000 000 euro dhe në përditësimin e saj shkon në
rritje.
Nga Drejtoresha e Degës, shtetasja A. I., janë
marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar
këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1.7 milion euro.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin
kanë konsumuar elementet e veprave penale “Skemat mashtruese dhe
piramidale”, “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe përfitimet në
total deri tani llogariten deri në 3.7 milion euro.
Policia njofton se vazhdojnë hetimet intensive
për evidentimin e përmasave të kësaj
skeme mashtrimi dhe përftimit nëpërmjet këtyre kredive fiktive.