Policia e Matit arrestoi një të ri, 23 vjeç, i cili akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ky shtetas ishte me precendent të mëparshëm penal, pasi ishte dënuar për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vjedhja” dhe “Kundërshtim i urdhrit të punonjësit të Policisë”. Ky shtetas u kap në kuadër të operacionit operacionit policor “Stadiumi”.
Policia kishte rreth disa javë që hetonte për veprimtarinë kriminale të të riut dhe një ngjarje ku ai ishte përfshirë duke përdorur armën. Mbi bazën e hetimeve dhe informacioneve të marra, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat bënë lokalizimin e vendodhjes së autorit M. H., 23 vjeç, banues në Burrel dhe në kuadër të operacionit policor “Stadiumi” u bë kapja e tij, i cili kur ka parë që Policia kishte rrethuar banesën e tij është fshehur në tavanin e saj, por pas kontrollit është vënë në prangat e Policisë.
Ky shtetas, në orët e vona të natës së datës 30 tetor në afërsi të stadiumit të qytetit Burrel është përfshirë në një konflikt me shtetasin K. Ll., duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit K. Ll. Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së përdorur nga shtetasi i lartpërmendur. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprime të mëtejshme.