Sarri me pneumoni, braktis stërvitjen e Juventusit

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, është përfshirë nga gjendje gripale këtë fillim jave, duke e detyruar atë të mos drejtojë seancën stërvitore këtë fillim jave. Lajmin e ka dhënë faqja zyrtare e Juventus, e cila ka shkruar se tekniku ka pasur një gjendje gripale, e cila është në fazën e pneumonisë.

“Maurizio Sarri, ishte i pranishëm në qendrën stërvitore të Juventusit, duke koordinuar punën e stafit të tij. Por fatkeqësisht ai nuk ka mundur të drejtojë stërvitjen në terren për shkak të gripit, që e ka goditur atë që javën e kaluar. Në orët e vona të pasdites ai iu nënshtruar testeve mjekësore, duke konfirmuar se pneoumonin, për të cilën duhet një trajtim specifik. Trajneri ka autorizuar klubin të komunikojë gjendjen e tij shëndetësore”, shkruhet në njoftimin e Juventusit.

Sarri është i sëmur prej një jave nga gripi, por gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, pasi ka kaluar në fazën e pneumonisë. Trajneri, edhe pse me grip, drejtoi skuadrën e Juventus në ndeshjen miqësore më 14 gusht ndaj ekipit B të Juves, sfidë e mbyllur me fitoren e ekipit të parë me rezultatin 3-1.

Zyrtare: Juventus prezanton Maurizio Sarrin

Maurizio Sarri është trajner i Juventusit. Të gjitha dilemat janë shuar këtë fundjavë, teksa kampionët e Italisë kanë publikuar në faqen zyrtare të tyre lajmin për emërimin e Sarrit trajner të ekipit për sezonin e ardhshëm.

Sarri mbylli një sezon të shkëlqyer me Chelsea në Londër, teksa u shpall fitues i Europa League, ndërsa në fund të sezonit e renditi klubin anglez në vendin e tretë, pas Liverpool dhe Manchester Cityt.

Pasi ka ngritur trofeun e tij të parë kontinental, tani Maurizio Sarri kthehet në Itali, ku ai ka trajnuar gjatë gjithë karrierës së tij, me përjashtim të eksperiencës që pati me Chelsea për një sezon.

Sarri ka  firmosur një kontratë tre vjeçare me Juven, e cila përfundon më 30 qershor të vitit  2022. Gjashtëdhjetë vjeçari, i lindur në Napoli, ka jetuar gjatë në Toskanë. Në vitin 2001, pasi la futbollin, Sarri nisi karrierën e tij si trajner me kohë të plotë.

Ai ka drejtuar shumë klube gjatë karrierës së tij si trajner në Itali, ku padyshim ndër eksperiencat më të suksesshme mbeten ato me Empolin dhe Napolin, me këtë të fundit që e drejtoi për pesë sezone.

Pavarësisht se me këtë të fundit nuk arriti të fitonte “Scudetton” në Itali, Sarri arriti që për tre sezone radhazi, Napoli të dilte në vend të dytë  në kampionat, duke grumbulluar përkatësisht nga 82, 86 dhe 91 pikë në sezonet 2015/2016; 2016/17 dhe 2017/18.

Negociatat mes Sarrit dhe Juventusit nisën disa javë më parë, fill pas shkarkimit të Masimiliano Allegrit. Ish-trajneri i Chelsea zhvilloi dhe një takim me presidentin Agnelli në prani të menaxherit shqiptar, Fali Ramadani, vetëm pak orë para finales së Europa League, ku Chelsea triumfoi ndaj Arsenalit.

Agnelli takon Sarrin në Azerbajxhan, ndërmjetës është një…shqiptar

Juventus është në kërkim të një trajneri të ri, pas shkarkimit të Masimilliano Allegrit. Zonja ka nisur kërkimet, teksa mediat kanë publikuar shumë emra, nga Ancelotti, Guardiola, Pochetino e Maurizio Sarri.

Në fakt ky i fundit duket se do të jetë dhe kandidati më i mundshëm për të drejtuar Juven sezonin e ardhshëm. “Tuttosport” ka zbuluar dhe ka publikuar një foto këtë të mërkurë, ku shihet presidenti i Juventusit Andea Agnelli në një hotel në Baku të Azerbajxhanit. Në fakt, deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme.

Në fakt, Agnelli ka zgjedhur të qëndrojë, ndoshgta për të ndjekur finalen e Europa League sonte në mbrëmje, në hotelin ku është duke qëndruar ekipi i Chelsea.

Media italiane shkruan se mëngjesin e kësaj të mërkure ka pasur dhe një takim mes Agnellit dhe Sarrit, ku gjasat janë që të dy të kenë biseduar edhe për arritjen e një marrëveshje të mundshme.

Në tavolinë ka qenë i pranishëm dhe agjenti shqiptar Fali Ramadani, i cili është duke bërë ndërmjetësin në negociatat mes Sarrit dhe Agnellit.

Tashmë priten zhvillimet e reja nga kampi bardhezi, ku ndoshta pas finales së sotme të Champions League, Sarri mund të rikthehet në Itali.

Skip to toolbar