Mero Baze: Republika “Meta-Berisha”, kundër Perëndimit

Nga Mero Baze

Presidenti u ngrit herët në mëngjes për ta na treguar se Republika e tij rrezikohet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian, dhe se ai është simbol i rezistencës ndaj tyre. Mendoj se ishte i sinqertë, edhe pse këtë mund ta thoshte qysh dje në drekë. Nuk besoj se do shumë kohë për ta menduar, vetëm nëse ka dashur të shmangë emocionet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore, realisht janë angazhuar në një betejë kundër Republikës paralele të Ilir Metës dhe Sali Berishës në Shqipëri.

Ato nuk kanë pranuar shkëputjen e tyre nga Parlamenti sovran i Shqipërisë, ikjen nga zgjedhjet dhe përpjekjen për të krijuar një Republikë paralele me Republikën e Shqipërisë.

Mbi të gjitha, ato nuk kanë pranuar dhe as kanë denjuar ta përmendin aktin e ç’dekretimit të zgjedhjeve, që në fakt është akti i zjarrëvënies ndaj Republikës së Shqipërisë nga Republika rivale e Ilir Metës dhe Sali Berishës.

Tani, pesë ditë para zgjedhjeve, është e qartë se Republika e Shqipërisë ka në krah të saj SHBA dhe BE, dhe është në luftë me Republikën e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Nuk kemi dyshime për këtë. Nuk ka as Ilir Meta dhe as Sali Berisha. Nuk ka as SHBA dhe as BE.

Problemi që kemi tani, është përse Ilir Meta do të jetë president i të dy Republikave, dhe i Republikës me të cilën ka hyrë në luftë, dhe i Republikës që ka krijuar me Sali Berishën.

Një president që nuk ka mbështetjen e shumicës që e ka zgjedhur, një president që ja ka hedhur poshtë Dekretin Kolegji Zgjedhor, duke provuar pavlefshmërinë absolute, një president që nuk ka mbështetjen e SHBA dhe BE për të qenë president i Shqipërisë, mund të sillet si pushtues i një karrigeje, por jo si president.

Një njeri që i kërkon dorëheqje kryeministrit, duke vënë në dyshim votat ndaj tij, vetë nuk ka më asnjë votë nga ato që e kanë zgjedhur president, nuk ka mbështetjen e SHBA dhe BE, është poshtëruar publikisht nga një gjykatë zgjedhjesh në Shqipëri, dhe vazhdon të sillet si pengmarrës i Presidencës.

Mbi të gjitha, Shqipëria e pas viteve ‘90, e ka të bazuar sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e saj, tek aleanca me SHBA dhe Bashkimin Europian. Një president që ngrihet herët në mëngjes, për t’i shpallur luftë SHBA dhe ambasadorëve të BE, mund të jetë president i Bjellorusisë, por jo Shqipërisë.

Ne nuk jemi kundër Republikës së tij të vetëshpallur me Sali Berishën. Shqipëria ka pasur gjithnjë, në fazat kritike të historisë së saj, një “Republikë” që ka tentuar të na pengonte në rrugën drejt Perëndimit.

Prej Haxhi Qamilit më 1914 e deri tek errësira e Berishës më 97, gjithnjë dikujt që i është rrezikuar pushteti, i ka shkuar mendja herë tek Turqia, herë tek Rusia, e herë tek Al Qaida.

Ilir Meta është i fundit i kësaj race dhe nuk është i vetmi. Por problemi është se të gjithë paraardhësit e tij që kanë tentuar këtë gjë, kanë humbur dhe nuk e kanë marrë dot me vete Shqipërinë.

Republika e Ilir Metës dhe Sali Berishës, është 1 mijë metra katrorë, sa grumbulli i molotovistëve që tentojnë të jenë Ushtria e Republikës së tyre.

Republika e Shqipërisë është 28 mijë km katror, është e qetë, e bukur dhe e qartë, edhe kur ngrihet herët për punë, jo nga pagjumësia!

Mero Baze: Pse Perëndimi filloi të flasë sot, pro 30 Qershorit

Nga Mero Baze

Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të mbajë zgjedhjet më 30 qershor. Në një bisedë telefonike mes tyre, Philip T. Reeker ka këmbëngulur për mos bërjen e asnjë hapi pas, në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Para SHBA, ministri i Jashtëm italian ka telefonuar Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, duke theksuar nevojën e shmangies së dhunës më 30 qershor.

Ndërkohë Bashkimi Europian në Tiranë, ka përcjellë mesazhe të qarta për 30 qershorin tek Rama dhe Basha, përmes takimeve nga vetë ambasadori Soreca, dhe pritet që gjatë javës të rrisin presionin për shmangien e dhunës dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet.

Ofensiva e Perëndimit nisi menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që konstatoi pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Presidentit.

Kolegji Zgjedhor është gjykata më e lartë dhe  e vetme në Shqipëri, që gjykon rreth akteve administrative për zgjedhjet, dhe Kolegji ka respektuar Presidentin, duke u marrë me aktin e tij, pasi nuk e ka lënë Dekretin në ajër, pa gjykim mbi efektin që ka për zgjedhjet.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe spekulimi me këtë mungesë, kishte lënë të dyzuar qëndrimin e Perëndimit, duke mos bërë deklarata interpretuese për fuqinë juridike të aktit të Ilir Metës.

Vendimi i Kolegjit, i jep shanse çlirimit të energjive diplomatike të Perëndimit për të kanalizuar zgjidhjen e krizës tek 30 qershori dhe më pas tek zgjidhjet që mund të jepen, për të shmangur përsëritjen e këtij precedenti të pashembullt kundër demokracisë në historinë e vendeve pluraliste.

Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk ankimohen dot askund më. Ajo është “Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese” për zgjedhjet.

Presidenti Ilir Meta pritet të reagojë nesër në mëngjes ndaj këtij vendimi. Natyrisht nuk ka surpriza, se ai është kundër tij.

Por problemi i Presidentit është se, gjithë vendimet anti-kushtetuese që ka marrë deri më sot, i ka marrë nën garancinë, se meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe meqë ajo u prish nga reforma në drejtësi, ai mund të bëjë ç’të dojë.

Tani ka një gjykatë zgjedhjesh që gjykon aktet administrative që prekin ato dhe presidenti Meta gjendet para një vendimi gjykate, të cilin është i detyruar ta zbatojë.

Në të kundërt, ka vetëm një rrugë. Ai mund të japë dorëheqje, siç dhe i këshillojnë. Ky akt politikisht e nxjerr korrekt, pasi nuk e pranon vendimin e Kolegjit, por dhe shmang përballjen politike me shumicën parlamentare, kur ta shkarkojnë në sallë.

Kjo është kostoja më e ulët me të cilën mund të përballet me Perëndimin dhe me zgjedhjet e 30 qershorit. Çdo vendim tjetër, do t’i kushtojë më shumë.

Mero Baze: Presidenti nuk ka kujt t’i shkruajë!

Letra e Presidentit Ilir Meta drejtuar Shefit të OSBE në Vjenë, Lajçak, vlen vetëm për të kuptuar se kujt mund t’i dërgojë aktualisht letër Ilir Meta. Ose më mirë, tregon se sa pak kuti postare ka, që pranojnë letra prej tij.

Letra nuk ka ndonjë dallim nga ato që Presidenti thotë dhe vepron publikisht si udhëheqësi më protagonist i opozitës.

Ai nuk e ka fshehur deri tani se mbështet kauzën e opozitës, mbështet bojkotin e zgjedhjeve dhe Parlamentit, mbështet protestat e dhunshme mbi institucionet, dënon reagimin e Policisë së Shtetit, urren Bindjen Demokratike, por mbi të gjitha nuk e ka fshehur që mbështet taktikën e opozitës për të nënshtruar sistemin demokratik në Shqipëri.

Në këtë pikë letra nuk të çudit, dhe nuk ja vlen as të komentohet.

Por siç thashë, letra vlen për të kuptuar se Ilir Metës i kanë mbetur shumë pak dyer për të trokitur.

Një letër të tillë ai mund t’ia niste Sekretarit Pompeu, por meqë gruaja e tij, një muaj më parë ishte vetë në SHBA dhe është sqaruar dhe bindur se SHBA nuk ka nevojë të sqarohet për gjendjen në Shqipëri, nuk ja ka shkruar atij.

Mund t’ia niste dhe Presidentit të BE, por meqë një javë më parë Presidenti Junker, e tha qartë pikpamjen e tij, dhe u duk se ishte i sqaruar, Ilir Meta nuk ia ka dërguar.

Mund t’ia çonte dhe Kancelares Merkel, apo Presidentit Macron, por dhe ata janë të qartë.

Ja ka çuar zotit Lajçak, jo se ai nuk është i qartë, por se shpreson që të bëjë dhe një diversion me këtë rast, me përfaqësinë e OSBE në Tiranë, duke u treguar këtyre që ky mund të komunikojë me shefin e tyre direkt.

Kjo është një gjë qesharake, por që tregon seriozitetin me të cilin Ilir Meta ka vepruar për të institucionalizuar linjën revolucionare antiinstitucionale të opozitës në Shqipëri.

Dhe në këtë pikë mendoj se i ka bërë dhe nder qeverisë. Zoti Lajçak do të ketë mundësinë të kuptojë nga vetë letra, se Presidenti është në krye të punëve të këtij revolucioni dhe po kërkon ndihmën e OSBE për t’i dhënë shanse të trimufojë.

Por problemi që ka OSBE, është se ajo merret me zgjedhje dhe jo me revolucion. OSBE është e vetmja adresë e gabuar për të ndihmuar revolucionin, pasi ajo ekziston ende, pikërisht se ka parti që prishin zgjedhjet. Biles më saktë, OSBE mund të ishte shkrirë, nëse nuk do të vidheshin votat nga tipa si Sali Bersha më ‘96, Ilir  Meta më 2001 e në vazhdim.

Ndaj zoti Lajçak, edhe pse nuk është armiqësor me Ilir Metën, pasi e ka shpëtuar një herë pas vrasjeve më 21 janar, nuk e ndihmon dot, pasi i ka shkruar njeriut të gabuar. Por nuk ka faj, pasi Presidenti ynë, nuk ka kujt t’i shkruajë.

Mero Baze: Meta do të nxjerrë ushtrinë në rrugë

Nga Mero Baze

Kemi dy lajme nga Ilir Meta. Lajmi i keq është se ky njeri ka një plan të detajuar në mendjen e  tij për të destabilizuar Shqipërinë dhe për ta çuar përplasjen institucionale, në betejë ushtarake.

Lajmi i mirë është se ai nuk ka asgjë në dorë, dhe askënd nga pas. Përfshi dhe ushtrinë, që ka keqkuptimin se mund ta përdorë për hallet e veta.

Le t’i hedhim një sy lajmit të keq. Në takimin e sotëm më diplomatët perëndimorë në Tiranë, ai ka dëshmuar se ka një plan. Plani i tij është që të përdorë kauzën e opozitës për të destabilizuar vendin, nëse Edi Rama nuk i gjunjëzohet opozitës.

Në këtë kontekst, ai ka treguar pa dashje se dhe protestën e 21 qershorit e komandon ai, pasi nëse sipas tij, Rama tërhiqet, ai mund ta anullojë protestën. Dhe më tej akoma, ka premtuar se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë, nëse Edi Rama shkon në zgjedhje më 30 qershor.

Nëse i hedhim një sy gjithë zhvillimeve të opozitës, që nga protestat e dhunshme e deri te fillimi i përplasjes së dhunshme për të sulmuar KZAZ-të, ato janë të gjitha akte dhune të nxitura institucionalisht nga presidenti Ilir Meta.

Ç’dekretimi prej tij i datës së zgjedhjeve, është fillimi i akteve zyrtare të tij, për të futur vendin në darën e një përplasje të egër politike, me shpresë që do shkohet drejt kaosit.

Pas ç’dekretimit të zgjedhjeve, Ilir Meta dhe Sali Berisha, tentojnë të përdorin 27 Bashki që kanë aktualisht drejtues nga PD, LSI dhe partia e Idrizit e Dules, kundër 34 Bashkive që janë me drejtues socialistë. Ky është një akt politik, që tenton të përdoret si mekanizëm konfrontimi në prag të zgjedhjeve, dhe që ka filluar të zbatohet sot në Shkodër dhe nesër në mesditë, ndoshta në gjithë KZAZ-të ku drejtojnë këto parti.

Duke tentuar ta ndajë Shqipërinë në pro dhe kundër dekretit të tij anti-kushtetues dhe të bërë nul nga KQZ-ja, që është institucioni që organizon zgjedhjet, Ilir Meta ka vënë veten në krye të betejës për bllokimin zyrtar me dhunë të zgjedhjeve, duke përdorur opozitën, Bashkitë që ajo ka, dhe protestat e dhunshme të saj.

Kërcënimi i tij ndaj shumicës në pushtet, se nëse dorëzohet Rama, mund ta anulojë dhe protestën e opozitës, tregon se edhe protesta është një mekanizëm dhune që e komandon në funksion të qëllimit të tij.

Njësoj është dhe përpjekja për ta viktimizuar Lulzim Bashën, herë duke e frikësuar që do e vrasin, e herë që do ta fusin në burg amerikanët, nëse nuk i rri besnik Metës e Berishës.

Ndërkohë që më 20 qershor Lulzim Basha ka afatin e fundit për t’u paraqitur në Prokurori, ndryshe do të shoqërohet me forcë, Ilir Meta ka vrapuar t’i japë kurajo kundër SHBA. Ai e ka ftuar Lulzim Bashën në Presidencë më 20 qershor, në të njëjtën orë që e ka ftuar Prokuroria, për ta mbrojtur nga shoqërimi i dhunshëm.

Tani që dhe Ilir Meta të jetë i qetë, ka një lajm të mirë për të.

Ai ka bërë të gjitha çfarë mund të bëjë dhe po përpiqet të komandojë një ushtri talebanësh kundër zgjedhjeve, ndaj nuk duhet ta vrasë ndërgjegjia, përse s’po ja del dot.

Ka bërë një akt juridik të pavlefshëm, që po e përdorin siç përdorin talebanët një fatva  të ardhur nga i pari i Al Qaidës.

Ka menduar të fusë në luftë 27 Bashki, kundër 34 të tjerave. Ka menduar të përdorë policitë bashkiake të 27 Bashkive kundër Policisë së Shtetit.

Ka menduar të shpallë dhe të rrezikuar Lulzim Bashën. Ka shpresuar se do të përdorë shitje përgjimesh nga Prokuroria në gazeta, për të krijuar klimë për revolucion.

Në fund ka menduar të përdor dhe ushtrinë duke e nxjerrë në rrugë, ngaqë i ka mbetur në mendje Allende.

Gjithë këta të tjerët para ushtrisë mund t’i përdorë, pasi lehtëson punën, nëse identifikohen para 30 qershorit si një ushtri talebane kundër zgjedhjeve dhe mbaron punë drejtësia me ta.

Kjo, më shumë se një ushtri që shpëton Ilir Metën nga Perëndimi, është një ushtri që mund t’i hajë kokën.

Por ushtrinë e Shqipërisë, që është ushtri e NATO-s, nuk e përdor dot kundër Perëndimit, edhe pse i ke mbushur mendjen vetes të sillet si komandant i një vendi të “Traktatit të Varshavës”.

Ushtria nuk mund të dalë në rrugë, të ndalë njerëzit të votojnë, qoftë dhe kundër presidentit të tyre. Detyra e ushtrisë nuk është të mbrojë presidentin nga populli, por të  mbrojë popullin dhe vendin nga armiqtë, qofshin këta dhe presidentë të saj

Mero Baze: Katër Don Kishotë kundër Amerikës

Edhe pse duket paradoksale, e gjithë kriza e rëndë politike në të cilën është zhytur Shqipëria, është prodhuar me vetëdije nga katërshja opozitare, për t’i dhënë një leksion të “hidhur” Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për atë që nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, konsiderohet si ndërhyrje brutale në punët tona të brendshme përmes reformës në drejtësi.

Në betejën për të kundërshtuar reformën në drejtësi, Sali Berisha dhe Ilir Meta arritën të kenë një përparësi, që ua jepte vetë mënyra se si u miratua reforma dhe kompromiset që SHBA bëri me ta, për ta ndarë përgjegjësinë gjysëm për gjysëm.

Por më pas, përmes votave në Parlament dhe Ilir Metës në Presidencë, ata arritën të vonojnë ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë dhe praktikisht torja e tyre më e madhe ishte mbetja përkohësisht e Shqipërisë, pa Gjykatë Kushtetuese.

Prej atij momenti, deklaratat e tyre kundër reformës në drejtësi kanë qenë të hapura dhe gjithnjë ilustrim ka qenë fakti, se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese. Dhe gjithë plani i ashtuquajtur i “destabilizimit”

prej tyre, është mbështetur mbi këtë fakt. Prej momentit që Gjykata Kushtetuese, është bërë jo funksionale, Ilir Meta ka ndërmarrë disa veprime të hapura anti-kushtetuese, vetëm për t’u hakmarrë ndaj reformës në drejtësi dhe për të thënë “ja se ç’na bënë amerikanët”.

Këtë gjë bëri me mos dekretimin e Sandër Lleshaj ministër i Brendshëm, pastaj të Gent Cakajt, ministër i Jashtëm dhe me skandalet e ditëve të fundit me ç’dekretim zgjedhjesh apo tentativat qesharake për të shpërndarë Parlamentin. Plani për të përdorur mungesën e Gjykatës Kushtetuese si hakmarrje ndaj amerikanëve, e nisi Sali Berisha në dhjetor të vitit të kaluar, kur mësoi se ai dhe gjithë familja e tij, nuk mund të udhëtonin në SHBA dhe kur djali i tij humbi një betejë të qartë ligjore në SHBA, në përpjekje për të hequr njollën si autor i trakut të armëve nga Gërdeci për në Afganistan.

Opozita në atë kohë sapo kishte hyrë në Parlament, dhe Berisha nisi betejën për ta nxjerrë përfundimisht prej Parlamentit. Nëse opozita do të kishte plan djegien e mandateve, nuk kishte pse hynte në dhjetor në Kuvend. Dhe Berisha ja arriti ta nxjerrë për interes të tij.

Lulzim Basha, një tjetër aktor i kësaj krize, edhe pse në rol episodik, po ashtu e ka problemin e jetës me SHBA. Prej më shumë se një viti ai është nën hetim nga FBI për paratë ruse që janë derdhur për llogari

të Partisë Demokratike. Partneri i tij nën hetim, Nick Muzin, duket se ka folur për drejtësinë amerikane dhe dosjet e ardhura në Tiranë bënë që Basha të merret sot i pandehur, për një krim që ka nisur të hetohet në SHBA. Dhe e gjithë përpjekja  e tij për t’u mbrojtur, bazohet tek të perceptuarit si një padrejtësi që po i vjen nga SHBA. Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, në përpjekje për të vënë vetullat, për pak nxori sytë, nga udhëtimi i fundit përmes lobistëve në SHBA, kur nënkryetarit të partisë Petrit Vasili, ja refuzuan vizën në sportel të Ambasadës, ndërkohë që ishin bashkë, dhe kur në Uashington mori porosi të qarta se çfarë pasoja do kenë nga përdorimi i dhunës kundër zgjedhjeve, mesazhe që i kanë shkuar dhe

burrit të saj, i cili duket që është nisur për të destabilizuar zgjedhjet dhe është destabilizuar vetë.

Ilir Meta, i cili ka marrë përsipër përdorimin zyrtar të institucionit të Presidentit kundër zgjedhjeve, tentoi t’u tregojë amerikanëve Korenë e Veriut si vend ku mund të bënin zgjedhje, por duket se SHBA, ka

vendosur të rrijë këtu dhe t’i tregojë Ilir Metës, se do të vazhdojë betejën për reformën në drejtësi, pa lejuar ta prekin dhe ata që preken prej saj, siç është vetë zoti Meta.

I gjithë ky tërbim i katërshes shqiptare që po tenton të provokojë krizë, është në të vërtetë një krizë mes tyre dhe SHBA për arsye personale, e cila reflektohet si hakmarrje e tyre, ndaj produktit institucional të SHBA në Tiranë, që është reforma në drejtësi. Dhe te mendosh që katërshen kryesore të opozitës, e mbështesin disa parti anonime, mes të cilave shquan Fatmir Mediu. Ky është një i dënuar për shoqërim kriminelësh në Perëndim, njeri që ka falsifikuar pasaportën zyrtare diplomatike, duke sajuar një emër që nuk gjendet në Gjendjen Civile shqiptare, ndryshe nga kriminelët, që së paku marrin mundimin ta ndryshojnë emrin në Gjendje Civilë, dhe i ka shpëtuar një dënimi me gjashtë vite burg për vrasje të 26 qytetarëve, për shkak të korrupsionit, duke u mbrojtur me imunitet. Se si mund ta nxjerrësh këtë para shqiptarëve dhe të kërkosh rikthimin në pushtet në emër të luftës kundër krimit, vetëm kjo opozitë e di.

Tashmë kjo krizë e katërshes opozitare me Uashingtonin, thjesht po lëshon tymin e saj në Tiranë. Katër “Don Kishotë”, mendojnë se mund të gjunjëzojnë SHBA me luftë në Tiranë, për t’i treguar se këtu ata janë zot të vendit.

Në fakt, për t’i ndaluar ata nuk është nevoja e SHBA-së, se i ndalin vetë shqiptarët, por përpjekja e tyre për të djegur Tiranën që “të vërë mend” SHBA, është dy herë më e rëndë. Pasi duan t’i dëshmojnë dhe shqiptarëve dhe amerikanëve, se me luftë dhe me zjarr në dorë, edhe mund të fitosh ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor. Si talebanë terroristë që digjnin shkolla ku votohej dhe bënin atentate mbi të zgjedhur, vetëm që zgjedhjet të mos ishin mekanizëm pushteti, pasi ata i linte në shpella.

Baze: Sikur Rama të kërkojë divorcin e Gridës nga Salianji si kusht për zgjedhjet 2021?

Arsyetimi kryesor që Ilir Meta dha për anulimin e zgjedhjeve ishte që opozita nuk do të hyjë në zgjedhje pasi ka disa kushte.

Jemi të qartë që kushtet e opozitës janë Kushtetutë për Ilir Metën.

E dimë që ai është Presidenti dhe kryeopozitari njëkohësisht. Por nëse ja pranojmë këtë marrëzi Ilir Metës çfarë ndodh nëse. Edi Rama më 2021 nuk do të hyjë në zgjedhje.

Mund të ketë kushte për Lulzim Bashën të distancohet nga Berisha ose kusht që Grida duke të ndahet nga Salianji.

Domethënë marrëzira të ngjashme si këto të opozitës sot. Atëherë Ilir Meta duhet të anuloj 2021 dhe duhet të pres t’i mbushet mendja Edi Ramës që të shpallë datë të re zgjedhjesh.

Kështu Edi Rama mund të shpallet monark se nuk ikën kurrë. Dhe biem rehat nga zgjedhjet. Fal Ilir Metës

Baze: Përse nuk e qetësojmë dot Ilir Metën dhe Sali Berishën?

Të gjithë ata që mendojnë se Ilir Meta e komplikoi krizën politike, I bien kot më qafë. Merita e vetme e Ilir Metës është që e qartësoi krizën politike.

Kjo krizë është ngjizur qysh në fillim si një lëvizje e përbashkët e Sali Berishës dhe Ilir Metës, njëri duke përdorur opozitën dhe tjetri institucionin e Presidentit për të prodhuar një kaos dhe destabilizim të vendit, me qëllim që kriza të negociohej me Ata, dhe Ata të merrnin garancinë e duhur që nuk do ti prek më askush.

E gjithë kjo ka filluar si krizë paniku në Korrik të vitit 2016, ndërkohë që po përpëliteshin të votonin Reformën në Drejtësi. Rezistenca e tyre ndaj reformës ishte shembullore, e guximshme dhe historike për parti që janë shpallur formalisht pro perëndimore.

Beteja më e madhe gjatë reformës u bë kundër pranisë së ndërkombëtarëve në mekanizmat e vendimarrjes së institucioneve të Vetingut dhe vazhdoi pas miratimit të reformës me sabotimin e ngritjes së institucioneve për aq sa kishin mundësi.

E nisur si krizë paniku dhe e vazhduar si panik I thelluar, kur askush nuk u ofroi një Pazar që ata do të ishin të përfillur, ose të siguruar se nuk do tu ndodhte gjë, u shkua drejt zgjedhjeve të vitit 2017, kur Lulzim Basha tentoi tu ik nga kontrolli, nën shpresat se do të bënte një qeveri të përbashkët me Edi Ramën dhe do ishte faktor në negocimin e fatitë të tyre. Prat ë bëhej shefi I tyre.

Fati e desh që as ai të mos faktorizohej pas zgjedhjeve si humbës, dhe Sali Berisha I vuri atij zgjedhën në qafë, duke e detyruar të ishte kryetar formal I PD, edhe më tutje, me kusht që tani të mos bënte asgjë pa leje.

Prej vitit 2017, Shqipëria po duron talebanizmin e dy liderëve politik Sali Berisha dhe Ilir Meta, njëri duke shpuar me hosten, “kaun që i ka vënë të tërheq parmendën”, Lulzim Bashën dhe tjetri në Presidencë duke bërë çështë e mundur të destabilizoj vendin duke shkelur rregullisht kushtetutën, që nga dekretimet e ministrave, pengesën për reformën dhe tani me daljen jashtë kontrollit, duke tentuar tu heq shqiptarëve që duan të votojnë më 30 qershor, të drejtën e tyre. Nesër ose pasnesër, mund të bëj dhe marrëzira më të mëdha, por nuk është për tu shqetësuar.

Ajo që kanë tre vjetë që presin Sali Berisha dhe Ilir Meta, është thjeshtë që dikush tu trokas në derë dhe tu jap garanci, ose ti quaj faktor. Por në vend të garancive ata kanë provuar pasigurinë.

Kur Sali Berisha filloi të provokoj daljen nga parlamenti dhe djegien e mandateve, duket se në vend të posterit që tu troskte në derë, për Pazar, u trokiti posteri që i dha lajmin për të qenë person I padëshiruar për të vizituar SHBA. Më pas kjo ju përsërit numurit 2 të LSI, si një mesazh I qartë për Ilir Metën në Presidencë. Kjo ishte dhe pika e ujit, që zbrazi gotën.

Tani, shpresa  e fundit e Sali Berishës dhe Ilir Metës është të destabilizojnë situatën, të shkatërrojnë zgjedhjet dhe të justifikojnë një dhunë të komanduar në vend, një lloj terrorizmi politik,  me shpresë se dikush nga Uashingtoni ose Brukseli, do të trokas tek ata, duke u thënë që gabuam që nuk u morëm me ju që në fillim.

Kjo është e vetmja shpresë e tyre. Dhe kjo vjen pasi Lulzim Basha ka marrë paralajmërime të qarta se nëse prek zgjedhjet do të jetë personalisht në listat e zeza të përjetëshme të SHBA dhe nëse do të ishte në SHBA , do të ishte arrestuar për molotovët. Ilir Meta po ashtu besoj e ka marr mesazhin pas vizitës së gruas së tij në Uashington, nëse ushqen dhunën dhe destabilizon  institucionet.

Problemi që Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë sonte, nesër në drekë, pasnesër, më 30 Qershor e më pas, është nëse do të kenë mundësi të bëhen faktorë destabilizimi.

Nëse jo, ata së paku duan të bëhen heronjtë e dstabilizimit. Gjestet e hapura kundër kushtetutës, ç’dekretimi I zgjedhjeve, I panjohur në historinë botërore, kërcëniemt qesharake se do të shpërndaj parlamenitn, apo do vras veten si Allende, janë të gjitha përgatitje për të krijuar një kazus, për atë që mund tu ndodh, kur asgjë të mos bëjnë. Kur drejtësia dhe parlamenti të filloj të merret me ta, kur të shkarkohet nga presiddnt dhe ti dorzohet drejtësisë, kur “Bin Laden”-i I PD të dal nga shpella, me barrela drejt qelisë, dhe vendi ti kthehet normaliteti, ata duan së paku të thonë se po ndëshkohen dhe sakrfikohen,  jo se kanë vjedhur dhe kanë vrarë, por se tentuan të përballen me Perëndimin

Dhe kjo është një aspiratë legjitime e tyre, që mund t’ia plotësojnë vetes. SHBA, Bashkimi Evropian, qeveria shqiptare, parlamenti, KQZ dhe çdo institucion tjetër në vend, duhet ti injorojnë këto gjeste skizofrenike, të njerëzve të dëshpëruar që ndjehen të pasigurtë. Duhet ti lëmë në fatin e tyre. Çështja e zgjedhjeve është një çështje që e zgjidh KQZ, ndërsa çështja e  presidentit, një çështje që e zgjidh parlamenti. Çështjen e futjes së tyre në histori si heronjë që po sakrifikohen në pritje të një pazari, nuk e ka në dorë as qeveria, as parlamenti, as SHBA dhe askush tjetër. Ai është një fiksim I tyre, të mësuar që gjithë jetën, sa herë kanë qenë afër humnerës,  dikush u ka dhënë një dorë. Këtë rradhë nuk do të ketë dhe gjithë dëshpërimin dhe paranojën e tyre, merreni me qetësi. Nuk është problem I shqiptarëve, por problem I atyre që duan tu nxijnë jetën shqiptarëve, për të zbardhur të shkuarën e tyre. Nuk I ndihmojmë dot më.

Mero Baze: “399”, pazari i Bashës për marrëveshje dhe prokurorët politikë

Nga Mero Baze

Është e treta herë që publikohet dosja “339”. Në fillim shqip, nga gazetarët që punonin si zëdhënësa jozyrtarë, të prokurorëve që u prekën nga reforma. Dhe në fakt, atëhere ishte dhe më serioze. Prokurorët që kishin dosjen nuk vepruan, pasi donin të bënin pazar me dosjen për vendin e tyre të punës, të rrezikuar nga Vettingu. Një prej tyre, më i famshmi, që furnizonte gazetarët me pjesë nga dosja në çdo emision, i humbi shpresat se mund të bënte punë me dosjen, dhe e çoi në zyrat e opozitës.

Pastaj dosjen e rimori BIRN dhe “Zëri i Amerikës”, të cilët bënë me të një raport më serioz. E dëgjuam dhe në anglisht. Me të u motivua ikja nga Kuvendi dhe djegia e mandateve.

Pastaj nisi lobimi i Bashës në Gjermani, me shpresë të bllokojë negociatat dhe të justifikojë bojkotin e zgjedhjeve. Dosja u përkthye dhe në gjermanisht, dhe ju dha një gazete gjermane. E dëgjuam dhe në gjermanisht, tani si justifikim për mos hyrje në zgjedhje. Prapë “Niçen” dëgjuam. Kemi shpresa ta dëgjojmë dhe në frëngjisht, spanjisht dhe holandisht.

E vetmja gjë e re, janë justifikimet për të cilën përdoret dosja këtë herë. Dosja është e vjetër, është dy vjeçare dhe është e rëndë për Prokurorinë, pasi tashmë ajo është bërë “Nul” dhe e papërdorshme nga ana ligjore. Dhe është bërë me qëllim, që të përdoret vetëm për shantazh.

Dosja ka pasur në qendër të hetimit një grup kriminal, i cili, siç del, është përzier dhe në zgjedhje. Meqë grupi ka qenë në përgjim për aktivitet kriminal, prokurori që ndiqte çështjen, sapo ka parë interferencë të grupit kriminal në zgjedhje, duhej të zbardhte përgjimet, të dokumentonte provat dhe të niste menjëherë procedimin penal.

Sipas nenit 328 i kodit penal, “Dhënia e shpërblimit në zgjedhje, është kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjashtë muaj, deri dy vjet”.

Pra këtu kemi të bëjmë me kundravajtje penale, dhe nëse gjatë përgjimit kanë dalë ato biseda, Prokuroria duhet të kishte marrë masat për vënien në vëzhgim dhe arrest në flagrance të personave të përfshirë.

Fatkeqësisht tani e vetmja vepër penale këtu është mos reagimi në kohë i Prokurorisë për t’i kapur në flagrancë, dhe përdorimi i dosjes për shantazh politik, që nga prokurori që e ka nxjerrë, ngaqë nuk e përdori dot si shantazh për t’u mbrojtur nga Vettingu, e deri tek Berisha e Basha, që kanë dy vjet që e mbajnë në zyrë, duke e shëtitur redaksi më redaksi.

Prokuroria duhet të dalë e të sqarojë vlerën jurdike të atyre provave, pasi gjithë prokurorët që i kanë “depozituar” ato prova, thjesht kanë siguruar prova të gatshme kundër tyre, për mos veprim.

Nga ana tjetër, është shumë banale kërkesa e sotme e Prokurorisë, që urdhëron shtypin në Shqipëri të ndalojë publikimin e atyre fashikujve. Ato po ribotohen për herë të tretë, dhe sot është burim një gazetë gjermane.

Askush nuk ndalon dot shtypin në Shqipëri të citojë një gazetë të huaj rreth disa fakteve, qofshin këto dhe të stërthëna. Prokuroria duhet të hetojë kush ka shantazhuar me dosjen dhe jo të ndalojë ribotimin e saj nëpër gazeta. Kjo është më tepër një alibi për të thënë se u prish hetimi dhe të shpëtojnë nga hetimi, shantazhuesit e vërtetë, se sa një kujdesje ndaj daljes së sekretit, për të cilin shtypi nuk ka asnjë përgjegjësi.

E gjithë historia e dosjes “339” është historia e një shantazhi nga një aleancë e gjerë mes Prokurorisë dhe politikës në Shqipëri, që ishin kundër reformës në drejtësi.

Në fillim prokurorët e rrezikuar nga reforma tentuan ta përdorin, duke u çuar fjalë në qeveri se kanë dosjen dhe mund ta mbyllin, pastaj kur humbën vendin e punës, duke e çuar dosjen në zyrën e opozitës.

Kjo dosje është përdorur edhe për të ikur nga Parlamenti, kjo dosje është përdorur edhe për të djegur mandatet, kjo dosje po përdoret edhe për të mos hyrë në zgjedhje, dhe po kjo dosje po përdoret edhe kundër hapjes së negociatave.

Në këtë pikë, PD dhe Basha meritojnë lavdërime, pasi e kanë shtrydhur aq shumë, sa nuk mban më, por në të vërtetë kjo është një arsye më shumë, përse reforma në drejtësi duhet të ecë shpejt, përse prokurorët dhe gjithëkush që e ka prekur këtë dosje me dorë që ditën e parë dhe e ka kthyer nga dosje penale në dosje shantazhi, duhet të shkojë para drejtësisë.

Së paku, të mos ndodhë siç e kemi traditën, që ata që dalin në dosje përgjimi, të ngrihen lart e më lart në detyrë, deri në President, apo akoma më keq, ata që janë subjekt krimesh, të kthehen në viktima.

Shqipëria është e mbushur me përgjime të tilla, që nga Saranda në Shkodër, ku bëhen pazare majtas e djathtas, se kë duhet të spostojnë, e kë duhet të mbështesin.

Ka kaseta që provojnë se kush e rrëzoi Kokëdhimën në Gjykatën Kushtetuese si “Pashai i Jugut” dhe kujt ju premtua influencë në jug, kaseta që provojnë pagesa të frikshme nga biznesmenë që janë në burg për politikanë, dhe plot histori të tjera. Por asgjë nuk vlen nëse Prokuroria nuk vepron në kohë dhe vendos drejtësinë, por i përdor këto dosje si shantazh.

Kjo dosje ka pasur në fokus një grup kriminal dhe e ka çuar në burg grupin kriminal, ndërsa Prokuroria politike ka tentuar të përdorë pjesët e tjera të dosjes për shantazh politik, duke e bërë të pavlefshme dosjen për t’u ndëshkuar autorët e krimit elektoral.

Si shantazh politik ja kanë nxjerrë zinë, por nuk është se kanë gjetur përkrahje. Thjesht ka shërbyer për të justifikuar aktet politike të opozitës. Lulzim Basha harxhoi tre ditë në Berlin këtë fundjavë me dosjen e përkthyer në gjermanisht, dhe as ndonjë punonjës të rëndomtë në Bundestang nuk takoi dot, përveçse u sigurua se dosjen do ta botonte për herë të tretë “Bild”.

Ndërsa dy ministra të Ramës, ai i Brendshëm dhe ajo e Drejtësisë, u pritën në Bundestag nga ata që Basha i konsideron përkrahës të tij.

Por dosja na tregon kulturën e keqe të shkatërrimit të drejtësisë në Shqipëri, ku drejtësia nuk vepron ndaj personazheve politikë, por i ruan për shantazh dhe i bën publike vetëm për të bërë politikë.

Tani kjo dosje ka prodhuar politikë më shumë se sa ka prodhuar vetë Basha që kur ka hyrë në PD. E mira do të ishte të prodhonte të pandehur, duke nisur nga ata që praktikisht kanë bërë “NUL” dhe të pëpërdorshme kundravajtjen penale të hasur në dosje gjatë fushatës së vitit 2017.

Kur Basha ishte i lumtur se i kishte funksionuar shantazhi i parë për bojkot dhe kishte pazar me Edi Ramën.

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:
Skip to toolbar