Realstory: 15 gafat, të pavërtetat dhe autogolët e letrës së Presidentit për Lajçak

#NËRADAR


Letra e Presidentit dërguar kreut të OSBE në Vienë, që e botoi në mënyrë ekskluzive  Realstory.al., meriton analizë të plotë. Cilat janë të vërtetat e letrës dhe cilat janë gënjeshtrat e saj. Cilat janë faktet e argumentet e Presidentit dhe cilat gjëra ai “harroi” t’i thoshte?

Le t’i marrim me rradhë.


1.

“Kryeneçësinë e Kryeministrit për të shkuar përpara me zgjedhjet, pavarësisht faktit se në 31 nga 61 bashki do të kishin vetëm një kandidat të regjistruar nga Partia Socialiste; ndërsa 22 të tjera kanë nga një kandidat alternativ më shumë, të një partie fallco, të regjistruar përtej afateve ligjore, duke shkelur të gjithë procedurat ligjore dhe administrative”

FAKE: Partia e Astrit Patozit është regjistruar nga KQZ dhe deri në këtë moment nuk ka asnjë ankimim në Kolegj Zgjedhor për pavlefshmërinë e këtij akti.

2.

“Duhet të theksohet se:

– Partitë aktuale opozitare politike (PD: LSI, PDIU dhe të tjerë aleatë) përbëjnë 48. 14% të votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017, ndërsa Partia Socialiste (PS) dhe aleatët politikë të saj aktualë përbëjnë gjithsej 49.83% të votave.

– Sa i përket përfaqësimit lokal, blloku aktual i opozitës përbën 48.6% të votës popullore të vitit 2015, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj përbëjnë 43% të votave.

– Në lidhje me këto të dhëna, zhvillimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore më 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit shqiptar, shkel parimet kushtetuese cilësuara nga dispozitat e posaçme kushtetuese”.

FAKE: Në asnjë nen të Kushtetutës nuk shkruhet se vlefshmëria e zgjedhjeve përcaktohet nga pjesëmarrja në votime, falë një ndryshimi të bërë në vitin 2008. Gjithashtu në Kodin Zgjedhor përcaktimet janë të qarta. Dhe sidomos nëse në garë ka vetëm një kandidat (një gjë e ligjshme), për përcaktimin e fituesit mjaftojnë një numër minimal votash nga çdo kuti (tre). Pra edhe ky argument i presidentit është vetëm politik, por jo ligjor.

3.

– Në të njëjtën kohë, mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të përbënte një shkelje e nenit 3, Protokolli 1, i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të klauzolave preambulative të MSA-së me BE-në.

FAKE: Ky është thjesht një interpretim politik i Presidentit. Kushtetuta e Shqipërisë është akti i parë i pranuar nga institucionet ndërkombëtare. Nëse do ishte e vërtete kjo që thotë presidenti, atëherë OSBE do të kishte ndaluar misionin e saj të ODHIR dhe do kishte çuar zonjën Glover në shtëpi. Për më tepër OSBE dhe ODHIR janë bashkëhartues dhe sponsorizues të Kodit Zgjedhor. Pra veç një interpretimi të njëanshëm politik, këto argumente të Metës për OSBE, janë të tipit “Hajde baba, të të tregoj arat”.

4

– Klima shumë e tensionuar politike dhe sociale po shkon drejt sistemit monopartiak dhe potencialit për të përshkallëzuar konfliktin civil në të gjithë vendin. Veprimet institucionale që kërcënojnë pluralizmin politik, janë një sulm ndaj vetë ekzistencës së Republikës;

FAKE: KQZ i vetmi autoritet i pavarur ka regjistruar dhjetëra parti në zgjedhjet e 30 qershorit. Këto mund të mos jenë parti nga ato që i pëlqejne presidentit, por simpatia politike nuk është një argument kushtetues, përkundrazi antikushtetues i veprimtarisë disa mujore të Presidentit.

5.

– Përpjekjet e mia të vazhdueshme institucionale duke apeluar tek të gjitha palët që të rivendosin dialogun politik dhe për të zgjidhur krizën kushtetuese: politike dhe përfaqësuese nuk patën sukses, duke përfshirë edhe ftesën time për të gjitha palët për një marrëveshje të përbashkët që të caktohet një datë e re për zgjedhjet lokale.

FAKE: Pas intervistës së Kryeministrit Edi Rama në Real Story në 7 qershor, se zgjedhjet janë në 30 qershor, Presidenti foli publikisht dhe tha: “Dëgjova zotin Rama në një emision TV të thoshte se zgjedhjet nuk shtyhen”. Më 8 qershor nxorri dekretin e shfuqizimit të zgjedhjeve dhe të hënën me 9 qershor tha në konferencë për shtyp se nuk e kishte parë të arsyeshme të konsultohej me zotin Rama, i cili ka thënë publikisht se për të zgjedhjet nuk shtyhen”. Pra, presidenti së paku me njërën palë, nuk ka pasur kontakte as formale dhe as joformale për të diskutuar një datë të re zgjedhjesh. NJE DATE TE RE ZGJEDHJESH? Edhe ky, eshte nje tjetër autogol kushtetues i Metës. Sepse ai duhet të kishte nxjerrë menjeherë dekretin e zgjedhjeve të reja.

6.

“Informacioni i poseduar në cilësinë time si President i Republikës për një përplasje të mundshme gjatë protestës kombëtare të 8 qershorit”

FAKE: Asnjë informacion të posaçëm nuk ka patur për dhunë në protestën e 8 qershorit. Përkundrazi. Ajo ishte ashtu si kjo e fundit, civile dhe me pantomima e mizanskena të këndshme. Një “karnavale” politike para Kryeministrisë. Por pikërisht njoftimi i anulimit të dekretit, u përdor nga lideri i opozitës në fjalimin e tioj, duke e cilësuar “fitore të aksionit opozitar”. Dhe ky lajm, rriti më pas sërish tensione të vogla dhe të izoluara para kuvendit në fund të protestës.

7.

“Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin autoritet me të drejtë ligjore për të shpallur datën e zgjedhjeve.”

E VËRTETË. Por ky është autogoli më i madh i letrës së Presidentit. Nëse më sipër ai thotë se ka anuluar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit, me kete fjali, ai pranon se ka shkelur Kushtetutën. Sepse siç thotë vetë “Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin autoritet me të drejtë ligjore (vetëm) për të shpallur datën e zgjedhjeve.”

8.

“Për më tepër, me ligj, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi këtë Dekret të Presidentit është Gjykata Kushtetuese, e cila siç e dini është jo funksionale.”

E VËRTETË. Por ky duhet të ishte argument plus për Presidentin që të ruante Kushtetutën dhe jo ta përdorte atë me papërgjshmëri, vetëm sepse “s’ka roje”. Sepse edhe ai është roje i Kushtetutës.

9.

“Ngjarjet, në mënyrë alarmante po përshkallëzohen nga kryeministri dhe ministrat e kabinetit, jo vetëm duke provokuar me retorikë thellësisht përçarëse dhe konfliktuese me anëtarët e opozitës dhe civilët, por edhe duke ushtruar presion të paligjshëm për kapjen e të gjitha institucioneve të tjera, që të çon drejt një grushti institucional të Kryeministrit”.

FAKE: Nëse do ishte e vërtete, atëherë presidenti i republikës duhet të thërriste urgjent mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Do të merrte gjithë masat e duhura kushtetuese në rast të cënimit të rendit kushtetues. Por deri tani i vetmi argument që përdor është botimi në Fletoren Zyrtare i dekretit të tij. Por nëse do ishim në kushtet e grushtit te shtetit, përse qeveria (qe boton fletoren zyrtare), nuk e pengoi botimin e tij? Perkundrazi, qeveria është treguar dinake për të botuar dekretin, ndoshta për ta pasur si fakt të pakundërtueshem në procesin që tashmë ka nisur për shkarkimin e Presidentit.

10.

“Kryeministri Rama refuzon të pranojë Dekretin e Presidentit dhe ka urdhëruar përfaqësuesit e tij socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vazhdojnë përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, komplet në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit të vendit”.

FAKE: Ka qënë KQZ që ka shpallur pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti me mosveprim dhe vazhdim të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve. Qeveria me ligj është e detyruar të ndihmojë në këtë proces. Kaq është roli i saj në bazë  të Kodit Zgjedhor.

11.

“Nga ana tjetër, këta (socialistët) anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për mosrespektimin e Dekretit të Presidentit të Republikës dhe për të ecur përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, duke i kërcënuar publikisht të gjithë qytetarët, të cilët vendosin t’i binden këtij akti ligjor”.

FAKE: Anëtarët e KQZ propozohen nga partitë politike, por në momentin e zgjedhjes, kryejnë funksione jashtë politikës. Anatemimi me sens “pezhorativ” “socialistë”, është i pavërtetë dhe jo etik. Këtu për shembull presidenti nuk përmend dorëheqjen e tre anëtarëve të tjerë të KQZ, bile as nuk i cilëson “demokratë”. Presidenti nuk përmend që Kreu i KQZ qëndron në detyrë, megjithëse nuk është “socialist”. Ai ska marrë pjesë në votime të caktuara, por ka votuar në të tjera. Më e rëndësishmja: atë të shpërndajres së misionit vëzhgues të huaj në terren. Po ky votim, përse nuk quhet antiligjor nga Presidenti?

12.

“Siç thashë më lart, trazirat civile kanë shpërthyer në dhjetëra bashki, me punonjës bashkie dhe civilë duke u përplasur me Policinë e Shtetit për zhvillimin e zgjedhjeve lokale njëpartiake.”

FAKE: Letra mban datën 20 qershor. Prej dy ditësh në vend nuk kishte thuajse asnjë trazirë. Por letra ka mbërritur në tryezën e Lajçak, PERPARA mitingut të Ramës në Shkodër. Duket sikur presidenti ka dashur të paralajmërojë përplasje të forta që do të pasonin këtë vizitë. Por ajo që ndodhi ishte një protestë normale me shenja tensioni, por nuk pati përplasje të rënda dhe vetë organizatorët e protestës (Voltana Ademi dhe Flamur Noka) bënë thirrje publike kundër dhunës. Në fund gjithçka shkoi qetësisht.

13.

“Policia e Shtetit po përdoret për të ndaluar këto bashki dhe qytetarë që të zbatojnë dhe respektojnë Dekretin e Presidentit, sipas ligjit të Republikës”.

FAKE: Policia në fushatë zgjedhore ndjek udhezimet e KQZ, autoriteti më i lartë zgjedhor në vend dhe mbron procesin pergatitor duke ruajtur e shoqëruar materialet zgjedhore. Qeveria nuk ka vendimmarrje. Ajo është e detyruar të ndjekë urdhërat e KQZ.

14.

“Tensionet janë rritur më tej dhe autonomia e organeve të qeverisjes vendore është shkelur, duke rritur sjellë në rritje gjendjen e paligjshmërisë dhe anarkinë.”

FAKE: Pushteti lokal është aq autonom në Shqipëri, sa krerët bashkiakë të opozitës nuk kane zbatuar urdhëresat e KQZ, kanë sulmuar KZAZ dhe prishur materiale zgjedhore si në Kukës. Mbajtja e zgjedhjeve synon vetëm rinovimin e mandatit të të zgjedhurve. Të thuash që zgjedhjet prishin autonominë vendore, është një argument absurd, por jo kushtetues.

15.

“Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë nga dekreti im presidencial, unë vazhdimisht po u bëj thirrje të gjitha palëve të rivendosin dialogun politik, që synon zgjidhjen urgjente të kësaj krize gjithnjë në rritje, dhe për të parandaluar çdo konflikt civil gjë që për fat të keq do të rrezikonte stabilitetin e Shqipërisë dhe atë të Procesi i integrimit evropian të saj, duke përfshirë edhe statusin tonë në pritje për Kryesinë e radhës së OSBE-së”.

FAKE: Integrimi europian ka vetëm një kusht: “rezultatet konkrete në reformën në drejtësi”. Lexo: ngritjen e SPAK dhe BKH

OSBE drejtimin e të cilës e marrim në janar 2020, ka qënë e qartë deri tani në pozicionin e saj për zgjedhjet e 30 qershorit, me fjalë (duke mos e përmendur fare çdekretimin dhe duke shprehur shqetesim për dhunimet e KZAZ-ve).  Kjo sepse misioni i ODHIR ndjek veprimtarine e KQZ dhe jo të qeverisë, apo kryeminstrit.

Dhe të bën përshtypje përse Presidenti në letrën dërguar Lajçak, nuk i kërkon atij pikërisht këtë: që në zbatim të dekretit që ai e quan të ligjshëm dhe meqë ai qenka i vetmi autoritet kushtetues për zgjedhjet, përse nuk i kërkon kreut të OSBE që ODHIR të ndërpresë misionin e tij për zgjedhjet e 30 qershorit?

Një autogol i fundit, në letrën që kreu i shtetit i dërgon zotit Lajçak. A thua të ketë harruar?

Në kohë është. Le t’ja kërkojë tani.../realstory.al/




Skip to toolbar