Shkarkimi i Metës, hetim me ekspert të huaj dhe akses në të dhënat sekrete

Duket se deputetët nuk do të mjaftohen vetëm me analizën e kushtetutës për të faktuar shkeljen e saj nga presidenti Meta, përmes dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, por do të gërmojnë më thellë, në informacionet e klasifikuara si sekrete. Kjo kërkesë u bë në mbledhjen e së hënës nga deputeti i opozitës Adriatik Alimadhi, i cili kërkoi që anëtarët e këtij komisioni të pajisen me certifikatën e sigurisë në mënyrë që të kenë akses në informacionet e klasifikuara.

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta ka miratuar në mbledhjen e së hënës planin paraprak të hetimit dhe rregulloren e brendshme, ndërkohë që anëtarët e tij kanë kërkuar ndihmën e një eksperti ligjor ndërkombëtar. Sekretarja e komisionit, deputetja e PS-së, Klotilda Bushka ka bërë propozimin që komisioni të marrë edhe opinionin e Komisionit të Venecias.

“Është hera e parë që parlamenti ka nisur procedurat parlamentare për shkarkimin e një presidenti republike për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe mendoj se do të ishte mirë që ne të marrim një opinion nga Komisioni i Venecias”, propozoi Bushka.

Ndërsa deputeti i opozitës, Alban Zeneli propozoi një ekspertizë ndërkombëtare, pra edhe propozimi i tij ishte në të njejtën linjë.

“Duhet të kemi një ekspertizë profesionale. Në Shqipëri janë të ndikuar, nëse është e mundur që ekspertët tanë ligjorë që do të japin ndihmë për këtë komision të jenë edhe të huaj që mund të asistojnë. Pasi ky komision do të dalë me një opinion më shumë politik se profesional. Mendimi im është që të jemi sa më korrekt. Një ekspert jashtë ndikimeve të politikës së përditshme, të jetë i huaj”, tha Zeneli.

Ky propozim i deputeti të opozitës u mbështet nga komisioni i cili vendosi me konsensus që të therrasë dhe të marrë ekspertizë vendase dhe ndërkombëtare.

Në lidhje me praninë  e presidentit për të qenë i pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor, kryetari i Komisionit, Ulsi Manja tha se për këtë do të respektohet Kodin e Procedurës Penale.

“Rregullat e paraqitjes janë përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale. Në këtë fazë nuk besoj se duhet të ndalemi në këtë pikë”, tha Manja.

Ndërsa deputeti Adriatik Alimadhi propozoi që anëtarët e komisionit të pajisen certifikatën e sigurisë në mënyrë që të kenë akses në informacionin e klasifikuar që do të marrin për presidentin Meta.

Në përfundim të mbledhjes u vendos që anëtarët e komisionit të dërgojnë letra institucioneve për të mbledhur sa më shumë informacion që lidhen me objektin e hetimit, pra në lidhje me shkeljet kushtetuese të kryera nga presidenti Meta. Po kështu u vendos që nëse nuk përmbyllet në kohë hetimi, ky komision do t’i kërkojë Kuvendit të Shqipërisë të shtyhet afati 3 mujor.

Qëllimi i Komisionit është të faktojë se presidenti ka shkelur ose jo Kushtetutën me firmosjen e dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Komisioni u ngrit si pjesë e procedurës parlamentare pasi 55 deputetë kërkuan shkarkimin  e presidentit të republikës. Një vendim i tillë merret për herë të parë nga parlamenti i Shqipërisë. Në përfundim vendimi i parlamentit do të vuloset nga Gjykata Kushtetuese.

Skip to toolbar