I sapo kthyer nga pushimet në mal, presidenti Meta e nisi punën me një qëndrim në mbrojtje të mediave dhe kundër nismës ligjore të qeverisë për paketën anti-shpifje. Një reagim ku presidenti shfaqet duke marrë flamurin si mbrojtës i medias dhe i gazetarëve ndërkohë që vetëm një muaj më parë sulmoi hapur gazetarin Sokol Balla.
Në reagimin e së enjtes, presidenti shpreh shqetësimin për këtë nismë të qeverisë, të cilën e cilëson si sulm ndaj demokracisë, ndërsa thekson se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut. Më tej Presidenti i bën apel qeverisë dhe parlamentit që të marrin në konsideratë sugjerimet e komunitetit të ndërkombëtarëve, ndërsa garanton se ai vetë në rolin e presidentit të republikës do të jetë gjithmonë në mbështetje të gazetarëve.
“Presidenti Meta garanton komunitetin e gazetarëve se do të jetë përherë në mbështetje të tyre kundër çdo tentative që synon të cenojë fjalën e lirë dhe pavarësinë e medias, që rrezikon të kthejë vendin 30 vite pas”, është shprehur Meta në deklaratën e shpërndarë të enjten për mediat.
Por kjo deklaratë e së enjtes e Metës bie në kundërshtim me sjelljen e tij të vetëm 1 muaj më parë kur sulmoi hapur gazetarin Sokol Balla të cilit i kujtoi fëmijët në mes të konferencës për shtyp që transmetohej live në mbarë vendin.
Dhe i gjithë reagimi i presidentit erdhi vetëm për shkak të pyetjes së bërë nga gazetari i emisionit Real Story të Sokol Ballës. Presidenti nuk gëlltiti dot pyetjen e medias së lirë që ai pretendon se mbështet dhe i kujtoi Sokol Ballës fëmijët, një deklaratë kërcënuese nga ana e tij. Në të njejtën linjë siç sulmoi edhe amerikanët që i cilësoi si “miqtë” e Ballës, që hartuan reformën në drejtësi.
Gazetari Sokol Balla nga ana e tij i dha mundësi presidentit të ishte i ftuar në emisionin e tij për të folur hapur dhe për të thënë të vërtetat e tij për reformën në drejtësi dhe për gjithçka tjetër, por kjo ftesë e hapur e gazetarit nuk gjeti përgjigje nga Presidenti.
Ndërkaq paketa anti-shpifje e propozuar nga qeveria parashikojnë që mediat online në rast shkelje mund t’i drejtohen gjykatës, vetëm pasi të kenë paguar gjobën e vendosur nga Këshilli i ankesave në AMA.
Dispozitat ligjore të qeverisë në këtë paketë janë kundërshtuar nga ekspertët e OSBE dhe komuniteti i gazetarëve pasi, sipas tyre i jepen shumë kompetenca AMA-s, ndërkohë që OSBE sugjeron që me shpifjen të merren gjykatat dhe jo AMA.
Qeveria është tërhequr disa herë nga draftet e saj duke i ripunuar, por edhe drafti final e ka lënë të pakënaqur përfaqësinë mediatike./realstory.al