Prestigjiozja Euractiv që shkruan kryesisht për
zhvillimet në BE, këtë herë i ka dedikuar një artikull shpresave të Shqipërisë
dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave në BE. Por ajo që bie në sy është
analiza e situatës aktuale politike në vendin tonë. Euractiv shkruan se “presidenti
i Shqipërisë po bën më të mirën për të nxjerrë Shqipërinë nga binarët e anëtarësimit
në BE”, si dhe shpjegon bashkëpunimin e Metës me Bashën, ndërsa të dy i cilëson
aleatë.
Më poshtë lexoni artikullin e plotë të përkthyer nga Euractiv.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do
të takohen këtë javë, më 18 qershor, dhe sërish Ballkani do të jetë një temë e
nxehtë në axhendën e takimit, pasi shumica e politikanëve kundërshtarë e kanë
të pamundur të mos e dëmtojnë njëri-tjetrin.
Në një shembull të rrallë zgjidhjeje serioze
diplomatike, dy kryeministra të rinj të majtë në Athinë dhe Shkup realizuan
këtë vit atë që dukej një mision krejt i pamundur, kur Alexis Tsipras dhe Zoran
Zaev ranë dakord t’i jepnin fund një ngërçi 30-vjeçar lidhur me emrin e vendit
në veri të Greqisë, i njohur si Maqedonia që prej viteve 1990.
Shkupi ra dakord t’i jepte një emër të ri
vendit duke e quajtur Maqedonia e Veriut për të kënaqur qëndrimin e Greqisë që
rajoni i saj i Maqedonisë, me territor dhe popullatë më të madhe sesa dy
milionë banorët e vendit me popullsi sllavo-shqiptare, nuk duhet të mbajë të njëjtin emër si fqinji
i saj verior.
Në këmbim, Greqia ra dakord që mbështeste
hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në Bashkimin Europian. Diplomatët
grekë kanë mbështetur gjithashtu në heshtje anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe
udhëheqësit politikë të Tiranës dhe Shkupit pritet të hapin bisedimet e
anëtarësimit në vjeshtë.
Pranimi i dy fqinjëve të saj si vende anëtare
të BE-së zgjeron mundësitë ekonomike të Greqisë. Së paku 650 mijë shqiparë
punojnë në sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe shërbimeve të Greqisë.
Njëlloj sikurse anëtarësimi i Polonisë dhe
shteteve të Europës lindore në BE i ka ndihmuar këto vende të rrisin ekonomitë
e tyre dhe të hapin vende pune, efekti përhapës i BE-së për rritjen e
standarteve në biznes, shtetin e së drejtës, apo të drejtat e njeriut
shpresohet të funksionojë edhe Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.
Lënia e vendeve të varfëra ballkanike të
përkeqësohen edhe më tej jashtë BE-së do të nxiste popullatën e tyre drejt
emigrimit të paligjshëm dhe kriminalitetit për shkak të pamundësisë për të hyrë
në tregun e BE-së, fondet për investime në infrastrukturë, ndërkohë që politika
e korruptuar dhe klanore do ta demoralizonte shoqërinë civile.
Ekziston një kundërshtim në vendet e Europës
veriore, veçanërisht nga politikanët nacionalistë dhe myslimano-fobë, të cilët
kundërshtojnë faktin se shumica fetare e Shqipërisë është Islami tolerant i
epokës otomane. 25% e popullsisë së Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë me trashëgimi myslimane
europiane.
Të gjitha këto probleme janë të menaxhueshme,
por presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duket se po bëjnë më të
mirën e tyre për të nxjerrë nga binarët shpresat e anëtarësimit në BE.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo
Pendarovski erdhi në Bruksel javën e kaluar dhe tha që Shqipëria duhej veçuar
nga Maqedonia e Veriut në mënyrë që vetëm Shkupi të priviligjohej për të nisur
bisedimet e anëtarësimit.
Duke pasur parasysh faktin se kryeministri
socialist i shkolluar në Francë, Edi Rama i ka mbështetur fuqimisht përpjekjet
e social demokratëve të Shkupit në garën përballë ultra-nacionalistit Nikola Gruevski, i cili e
mbushi Shkupin me statuja madhështore të Aleksandrit të Madh sikur heroi i
antikitetit grek të ishte një sllav i
Ballkanit, thirrja e Pendarovskit për të anashkaluar Tiranën ishte një akt mosmirënjohjeje politike edhe për normat e Ballkanit.
Megjithatë, ai ka edhe ndihmën e kolegut të
tij, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Dikur ai ishte mik i Edi Ramës si
një nga reformatorët e rinj të partisë socialiste të Shqipërisë të cilët
kundërshtuan hapur konservatorin Sali Berisha, i cili ishte ideatori i
skandalit të skemës piramidale që shkatërroi kursimet e shumë shqiptarëve dhe
bëri shumë pak përpjekje për të luftuar korrupsionin kronik në gjyqësor
dhe biznes që mbizotëroi në Shqipërinë
postkomuniste për 20 vite me rradhë.
Por Meta krijoi partinë e tij – tani e
udhëhequr nga bashkëshortja e tij – dhe iu desh të dorëhiqej më turp si
zëvendëskryeministër në vitin 2010 lidhur me akuzat – të cilat ai i mohon – në
lidhje me një bisedë për një pagesë jo të rregullut prej 800,000 €. Rama
shpresonte se duke e bërë shokun e tij të vjetër president – një
pozicion i zgjedhur nga parlamenti – në 2017 do të kishte një aleat pasi Meta
ka qenë gjithmonë shumë i angazhuar në integrimin e Shqipërisë në institucionet
euroatlantike si BE dhe NATO.
Megjithatë, Meta ka vendosur të bëhet aleat me
Partinë Demokratike në opozitë e drejtuar nga krahu i djathtë i Berishës,
Lulzim Basha. Në një përditësim klasik të strategjisë së vjetër të tensionit
politik, Basha udhëhoqi deputetët e tij në bojkotin e parlamentit në shkurt dhe
organizoi protesta në rrugë, të cilat në disa raste ishin edhe të dhunshme.
Bashkëshortja e presidentit së bashku me
partinë e vogël të themeluar nga bashkëshorti i saj mbështeti këtë përpjekje
primitive për të destabilizuar qeverinë.
Që nga shkurti Basha ka organizuar protesta të pafundme në rrugët e Tiranës si
përpjekje për të treguar se Shqipëria nuk është më nën kontrollin e qeverisë.
Basha akuzoi edhe shefen e politikës së
jashtme të BE-së, Frederica Mogherini, se po flet gjepura kur ajo u bën
thirrje deputetëve shqiptarë për të
miratuar reforma për rivlerësimin e gjyqtarëve në kuadrin e përgatitjeve për
anëtarësim në BE.
Basha gëzon mbështetjen e të djathës ekstreme
në SHBA dhe përdor një foto të tijën me Donald Trump në të gjitha mediat
sociale, si dhe të kujton sulmet alla- Trump ndaj çdo media në Shqipëri që guxon ta kritikojnë
atë. Prokurorët në Tiranë nisën një hetim për një pagesë misterioze prej
625,000 dollarësh që Basha i ka paguar lobistëve amerikanë për një shtërngim
duarsh me Trump.
Meta mbështeti strategjinë e tensionit të
Bashës duke njoftuar se, si president do të pezullojë zgjedhjet lokale që do të
zhvillohen në fund të qershorit. Arsyeja që ai dha është se partitë e opozitës,
përfshirë atë të drejtuar nga bashkëshortja e tij, do t’i bojkotojnë ato.
Qëllimi ishte i qartë – të paraqiste një imazh
të Shqipërisë si të paqëndrueshëm dhe të padenjë për t’u parë si një shtet
anëtar i mundshëm i BE. Rusia është akuzuar për ndërhyrje për të ndaluar
ndryshimin e emrit të Maqedonisë së Veriut, gjë që çoi Athinën në dëbimin e diplomatëve rusë. Gjëja
e fundit që Kremlini dëshiron, është të shohë Ballkanin Perëndimor që të stabilizohet
dhe të shndërrohet në vende të varfra, por normale të BE-së.
Rama po lëviz që parlamenti shqiptar ta heqë
Metën nga posti i presidentit, pasi ai ka abuzuar ashpër me pushtetin e tij në
mbështetje të një përpjekjeje partiake për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur. Por,
tani, në këtë rrëmujë, është përfshirë presidenti i Maqedonisë Veriut me
kërkesën që Brukseli ta shpërblejë politikën e Bashës për destabilizimin e
Shqipërisë nëpërmjet një strategjie klasike të tensionit duke përdorur rrugën
për të hedhur poshtë parlamentin e zgjedhur.
Pyetja tani është: A e mban fjalën e saj BE-ja
ndaj Tiranës dhe Shkupit apo Brukseli – jo për herë të parë – do ta lerë
Ballkanin Perëndimor pa dikë që ta ndihmojë?