Sadushi: Pse Presidenti nuk mund të shtyjë datën e zgjedhjeve dhe dy rastet kur shpërndahet parlamenti

AKTUALITET


Presidenti i Republikës nuk mund të shtyjë datën e zgjedhjeve, përveç rastit kur ka fatkeqësi të madhe natyrore. Kështu është shprehur Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi i cili ka deklaruar se dekreti i Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore është një akt antikushtetues, duke theksuar se një veprim i tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend të Europës.

“Ka një arsye pse nuk ka një shtyrje zgjedhjesh kur ka një shoqëri që respekton kushtetutën. Zgjedhjet kanë një periodicitet dhe duhen bërë në afatin e përcaktuar, lihet një tolerancë që data të jetë para mbarimit të mandatit, por të mos tejkalohet mandati nga organet, nga kjo pikëpamje duhet respektuar afati kushtetues. Ka diferencë, shtyrja e zgjedhjeve në 2007, ka patur një respektim të përpiktë të ligjit, sepse mandati përfundonte në 20 shkurt të 2007, ndërsa zgjedhjet ishin në 20 janar të 2007, dhe ishin 30 ditë në avancë para mbarimit të mandatit. Ndodhi ajo e certifikatave, dhe palët ranë dakord për shtyrje, por Presidenti Alfred Moisiu ia kërkoi Kuvendin me shkresë, ku ky i fundit detyroi Presidentin për vendosjen e një date para se të përfundonte mandati. Rasti i 2007 duhet vlerësuar, ndërsa rasti i shtyrjes në 2017, sipas meje nuk është respektuar ligji. Data nuk ndryshon dhe nuk ka arsye, mund të ndryshojë vetëm për arsye që nuk lidhen me njeriun, çdo arsye tjetër është e pajustifikueshme, sepse nuk duhet tejkaluar mandati i organeve apo Kuvendit”, u shpreh Sadushi ne TVSH.


Ndërkaq, ai ka folur edhe për debatin e dy ditëve të fundit nëse Presidenti e ka mundësinë që të shpërndajë Parlamentin. Dhe në këtë pikë, Sadushi thotë se kjo mund ndodhë vetëm në dy raste. Rasti i parë është ai kur nuk arrihet që të zgjidhet kryeministri dhe qeveria dhe rasti i dytë kur ka të bëjë me mocionin e besimit të kryeministrit.




Skip to toolbar