Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e
Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE,
Thorbjorn Jagland, në ministerialin e Këshillit të Evropës.
Në këtë takim Cakaj tha se Shqipëria ka bërë
një sërë reformash për të merituar integrimin evropian të vendit, ndërsa ka
marrë vlerësime nga bashkëbiseduesi.
Me tej të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin
se për forcimin e karakterit pan-Evropian të kësaj organizate, për tejkalimin e
problematikave institucionale, politike dhe financiare, nevojitet kontributi i
përbashkët i të gjitha vendeve anëtare.
Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije
Sekretarit të Përgjithshëm të KiE përfshirjen e Shqipërisë në reforma të
brendshme të thella e të rëndësishme në kuadër të forcimit të institucioneve
demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të
njeriut, për çka ka pasur edhe ndihmën dhe mbështetjen e Këshillit të Evropës.
Gjithashtu Ministri në Detyrë Cakaj e informoi
mbi punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për realizimin e disa objektivave
dhe prioriteteve të politikës së jashtme siç janë integrimi evropian, kryesia e
OSBE-së 2020 dhe marrja e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit.
Duke iu referuar kontributit që Këshilli i
Evropës jep në rajonin e Ballkanit, ku Sekretari i Përgjithshëm Jagland ka
pasur një rol të veçantë, Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije
bashkëbiseduesit të tij se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë i shërben
mbrojtjes së vlerave të organizatës, zhvillimit të standardeve lidhur me të
drejtat themelore dhe përbën një vlerë të shtuar për organizatën në terësi.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të
Evropës, Jagland, mbyll mandatin e tij të dytë në vjeshtën e këtij viti, për
çka Ministri në Detyrë Cakaj e falënderoi për kontributin e dhënë në drejtimin
e organizatës dhe tejkalimin e problematikave dhe sfidave me të cilat ajo
përballet nëpërmjet politikave reformuese.
Sekretari i Përgjithshëm e falënderoi
Ministrin në Detyrë Cakaj për rolin pozitiv që vendi ynë ka luajtur, vlerësimet
mbi raportin e tij rreth sfidave të ardhshme të Këshillit si dhe e përgëzoi për
reformat e ndërmarra nga vendi ynë.