Cakaj takon Jagland: Kemi bërë reforma për integrimin

POLITIKË


Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jagland, në ministerialin e Këshillit të Evropës.

Në këtë takim Cakaj tha se Shqipëria ka bërë një sërë reformash për të merituar integrimin evropian të vendit, ndërsa ka marrë vlerësime nga bashkëbiseduesi.


Me tej të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se për forcimin e karakterit pan-Evropian të kësaj organizate, për tejkalimin e problematikave institucionale, politike dhe financiare, nevojitet kontributi i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare.

Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije Sekretarit të Përgjithshëm të KiE përfshirjen e Shqipërisë në reforma të brendshme të thella e të rëndësishme në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, për çka ka pasur edhe ndihmën dhe mbështetjen e Këshillit të Evropës.

Gjithashtu Ministri në Detyrë Cakaj e informoi mbi punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për realizimin e disa objektivave dhe prioriteteve të politikës së jashtme siç janë integrimi evropian, kryesia e OSBE-së 2020 dhe marrja e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit.

Duke iu referuar kontributit që Këshilli i Evropës jep në rajonin e Ballkanit, ku Sekretari i Përgjithshëm Jagland ka pasur një rol të veçantë, Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije bashkëbiseduesit të tij se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë i shërben mbrojtjes së vlerave të organizatës, zhvillimit të standardeve lidhur me të drejtat themelore dhe përbën një vlerë të shtuar për organizatën në terësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland, mbyll mandatin e tij të dytë në vjeshtën e këtij viti, për çka Ministri në Detyrë Cakaj e falënderoi për kontributin e dhënë në drejtimin e organizatës dhe tejkalimin e problematikave dhe sfidave me të cilat ajo përballet nëpërmjet politikave reformuese.

Sekretari i Përgjithshëm e falënderoi Ministrin në Detyrë Cakaj për rolin pozitiv që vendi ynë ka luajtur, vlerësimet mbi raportin e tij rreth sfidave të ardhshme të Këshillit si dhe e përgëzoi për reformat e ndërmarra nga vendi ynë.




Skip to toolbar