Vidhet Ministria e Brendshme. Çështja shkon në Prokurori

Në fillim të këtij muaji, dyshohet se disa objekte (kondicioner dhe pajisje të tjera), që i përkisnin Ministrisë së Brendshme janë vjedhur. Lajmi u përhap në media mesditën e të enjtes, ndërkohë që thuhet se Prokuroria nisi një hetim për ngjarjen. Realstory.al mundi të konfirmoi nga burime të sigurta, se ngjarja është e vërtetë.

Por, ajo që thuhet në media se materialet janë vjedhur në Ministrinë e Brendshme, i njëjti burim i tha Realstory.al, se kjo gjë nuk është e vërtetë. Në fakt, materialet janë vjedhur në Parkun e Ministrisë së Brendshme, dhe jo në godinën qendrore të Ministrisë së Brendshme.

Sipas informacioneve të Realstory.al., objektet e vjedhura ishin jashtë përdorimit. Dyshohet se disa pajisje kondicionerësh, të cilat ishin nxjerrë jashtë përdorimit dhe ishin vendosur te Parku i Ministrisë së Brendshme, në pritje të dërgimit për skrap, janë konstatuar se nuk gjenden aty. Për rastin në fjalë pritet të bëhet një sqarim nga Policia e Shtetit./Realstory.al/

Nis vettingu në polici, në “sitë” 45 dosjet e para

Ministria e Brendshme ka njoftuar ditë e enjte se ka nisur puna për pastrimin e të inkriminuarve në polici, ku janë përzgjedhur edhe 45 dosjet e para që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme”, ka përzgjedhur 45 emrat e parë, ku 31 punonjës janë në detyrat më të larta drejtuese në Policinë e Shtetit, 12 punonjës në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe 2 punonjës në Gardën e Republikës.

Dosjet e vetë-deklarimit janë tërhequr nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe ka nisur puna në fazën e parë, ajo e shqyrtimit të deklaratave, kërkimit të informacioneve dhe verifikimeve përkatëse.

Sipas parashikimeve ligjore, pas procesit të hetimit administrativ, do të mbahet për çdo subjekt seancë e hapur dëgjimore.

Në Shqipëri vetëm 2 milionë votues

Pak ditë më parë Ministria e Brendshme prezantoi listën e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote për zgjedhjet e 30 qershorit. 3.45 milionë shqiptarë e janë me moshë madhore mbi 18 vjeç, duke pasur mundësi për të ushtruar edhe vullnetin e zgjedhësit.

Sipas studimit më të fundit të Pew Research Center mbi emigracionin, rreth 41% personave me shtetësi shqiptare të moshës madhore (18 vjeç e sipër) jetojnë në vende të tjera të botës (Greqi, Itali, SHBA, Gjermani, etj.).

Duke ndërthurur këto të dhëna, rezulton se në Shqipëri banojnë vetëm 2.1 milionë zgjedhës, ndërsa rreth 1.44 milionë të tjerë jetojnë jashtë saj.

 Ndërkohë, sipas vlerësimit të përafërt të INSTAT-it, numri i banorëve të rritur (18 vjeç e sipër) në Shqipëri është rreth 2.2 milionë (ku përfshihen edhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri).

  Për këtë arsye, shifrat e Peë Research Center mund të jenë më të vlefshmet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve me banim këtu.

Publikohet lista e zgjedhësve, 3.5 milionë shqiptarë kanë të drejtë vote

Ministria e Brendshme ka publikuar sot listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas listës kanë të drejtë për të votuar në këto zgjedhje gati 3.5 milionë shqiptarë, ndërsa 132 mijë prej tyre votojnë për herë të parë.

Ministria e Brendshme njofton se lista e zgjedhësve është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me atë të vitit 2015 dhe 2017. Janë hequr nga lista dublikatet, emrat e personave mbi 100 vjeç si dhe emrat e personave që vujanë dënimet në burgje në bazë të ligjit për dekriminalizimin.

 “Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,536,015 shtetas shqiptarë, ndër ta, 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra.

Për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eleminuar këto kode.

Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘Dekriminalizimit’.

I gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi”, njofton ministria e Brendshme.

Ministria e Brendshme: Opozita edhe sot me skenar dhune

Ministria e Brendshme ka deklaruar se opozita do të përsëris gjatë protestës së sotme të njëjtin skenar dhune të sulmimit të institucioneve me bomba molotov.

Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një deklaratë për mediat dënoi ashpër dhunën dhe sulmet e kryera ndaj policisë së shtetit më 11 maj.

“Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit. Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës. Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt. Sipas deklaratave mediatike, rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm.” – tha Lamallari

Ministria e Brendshme u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet në hetimin e tyre.

Skip to toolbar