Moti i keq, rënie gurësh tek “Kthesat e Murrashit” dhe Dragostunjës

Reshjet e dendura të shoqëruara hera-herës edhe me erë të fortë të cilat kanë përfshirë edhe Qarkun e Elbasanit.

Aktualisht sipas burimeve zyrtare nga Zyra e Emergjencave Civile në Prefekturën e Elbasanit në të shtatë bashkitë nuk ka pasur raste të bllokimit të rrugëve automobilistike dhe përmbytje.

Vështirësi dhe rrezik për përdoruesit e rrugës ka pasur dhe ka si zakonisht në kohë me reshje në dy segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Përrenjas, përkatësisht në “Kthesat e Murrashit ” dhe “Kthesat e Dragostunjës” ku ka rënie të gurëve nga shpatet e kodrave.

Gjithsesi deri tani firma që mirëmban këto akse po punon për largimin nga traseja e rrugës të masive me dhera e gurë që rrokullisen  nga lartësitë të favorizuara nga reshjet e dendura.

Ndërkaq moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike e cila prej mesnatës është ndërprerë në disa zona të Elbasanit dhe Librazhdit.

Sipas OSHEE po punohet pa ndërprerje për riparimin e defekteve dhe rikthimin e shpejtë të energjisë.

Përkeqësimi i motit, erëra me 33 milje/h dhe dallgë 3 metër, Kapiteneria Durrës jep urdhrin: Nuk lejohet asnjë lundrim në det të hapur

Moti i keq me reshje dhe erëra të forta ka bërë që Kapiteneria e Portit Durrës të marrë masa të menjëhershme dhe të pezullojë lëvizjen e anijeve. Nga mesnata bregdeti i Durrësit është përfshirë nga erëra të forta, ndërsa kapiteneria ka dhënë urdhrin që anijet të qëndrojnë në vendstrehime.

‘Drejtoria e Përgjithshme Detare ju njofton se si rezultat i erërave te forta me drejtim jug në datën 25 shtator 2020 deri më 26 shtator 2020 moti do të përkeqësohet, në zonën bregdetare të Adriatikut dhe Jonit. Këto zona do të përfshihen nga era me shpejtësi deri në 33 milje në orë dhe lartësia e dallgës së detit arrin në 2.8-3 m dhe perioda 6s 🌊.Vendi ynë do të përfshihet nga era të forta dhe shi në formë rrebeshi me intensitet të lartë.

📍Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit”, njoftoi Kapiteneria.

Dielli i lë vendin reshjeve të shiut dhe borës

Ditët me mot të thatë dhe me diell i kanë lënë vendin reshjeve të shiut dhe dëborës në të gjithë Shqipërinë. Reshjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa gjatë gjithë ditës do të vendi do të mbizotërohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh.

Në zonat malore reshjet do te jenë në formën e dëborës. Sipas Meteoalb, temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë ku do variojnë: në zonat malore nga -3ºC deri në 5ºC, në zonat e ulëta nga 3ºC në 12ºC dhe në zonat bregdetare nga 8°C në 14ºC.

Era do fryjë e lehtë me shpejtësi deri 30 km/h nga drejtimi Lindor-Juglindor duke gjeneruar brigjet detare dallgëzim 3 ballë.

Vjeshta erdhi! Stuhitë dhe reshjet e shiut pushtojnë vendin

Edhe pse fillimi i shtatorit u karakterizua nga temperatura të larta dhe me disa vranësira të lehta, duket se vjeshta ka trokitur duke sjell stuhi të forta ere dhe reshje shiu. Ditën e enjte i gjithë vendi u përfshi nga erërat e forta, vranësira dhe reshje shiu, ku në disa vende ka shkaktuar edhe dëme materiale.

Në qytetin e Fierit erërat e forta krijuan kaos duke shkaktuar edhe thyerjen e disa pemëve që fatmirësisht nuk kanë lënë të lënduar në njerëz. Ndërsa në qytetin Korçës, era ka këputur një kabull të shtyllës së tensionit të lartë duke rrezikuar jetën e një banori. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Voskop, ku kabulli ka rënë mbi parakolpin e një makine që po kalonte. Fatmirësisht shoferi arrit të dilte i pa lënduar, ndërsa pjesa e përparme e makinës është dëmtuar.

Era e fortë ka qenë prezente edhe në Tiranë, por deri tani nuk raportohet të ketë shkaktuar dëme materiale.

Në Krujë, pavarësisht reshjeve të lehta, një zjarr i përmasave të mëdha  ka rënë në Kodrat e Borizanës. Zjarri ka rënë në një sipërfaqe me pisha në vendin e quajtur Kodra e Putereve, ndërsa zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të erërave të forta. Zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 2 hektarësh dhe ndodhet rreth 500 kilometra larg banesave.

Zjarrfikëset ndodhen në vendin e ngjarjes , por e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të vështirë.

Vranësira dhe reshje shiu, parashikimi i motit për të dielën

Vjeshta ka ardhur zyrtarisht dhe kjo është shfaqur edhe në kushtet atmosferike të motit. Gjatë ditës së diel do të jenë të pranishme vranësirat dhe reshjet e lehta të shiut, ndërsa do të ketë edhe një rënie të lehtë të temperaturave. Edhe mbrëmja së shtunës u shoqëruar me shkarkime elektrike e vetëtima të shumta në qiell duke e bërë natën ditë për disa minuta.

Për shkak të masave ajrore me origjinë veriperëndimore dhe të paqëndrueshme do të ketë deri në fund të ditës së diel mot me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe intervale me diell. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu të cilat do të jenë lokale me intensitet të ulët. Pranë relieveve malore këto reshje marrin karakter shtrëngatash shoqëruar me rrufe.

Sa i përket fushës termike në vlerat minimale temperaturat pritet të luhaten në vlerat nga 13-19°C ndërsa në ato maksimale një rënie të lehtë krahasuar me sot duke prekur vlerat 29-34°C.

Vapa nuk ikën me gushtin, fundi i shtatorit pritet me stuhi

Moti i nxehtë me temperatura të larta do të shoqërojnë edhe fundin e gushtit dhe fillimin e muajit shtator. Temperaturat e larta 37 gardë pritet të zgjasin deri në fund të gushtit, ndërsa në 10-ditshin e parë të muajit shtator pritet të ketë një ulje të lehtë temperaturash që do të shënojnë 34 apo 35 gradë.

Sipas sinoptikanëve koha do të vijojë të jetë e mirë me vranësira të lehta kalimtare. Ndërsa vjeshta do të nis nga mesi i shtatorit dhe do të shoqërohet me rrebeshe të forta shiu dhe stuhi. Stina e vjeshtës do të ndihet në tetor, ku reshjet e shiut do të jenë intensive dhe temperaturat do të bien ndjeshëm.

Stuhi dhe përmbytje! Bëhuni gati për një vjeshtë të pazakontë

E ndërsa vera e këtij viti është cilësuar si më e nxehta në 100 vitet e fundit, vjeshta do të jetë më e pazakonta. Kështu njofton shërbimi meteorologjik “AccuWeather”, ndërsa ben te ditur se Italia dhe Ballkani do të jenë më të prekurat nga ndryshimet e motit, që do të sjellin stuhi, shira të rrëmbyer, përmbytje e rrëshqitje dheu.

Parashikimi nga “AccuWeather” njofton se më së shumti reshje do të ketë në tetor dhe nëntor dhe temperaturat do të jenë më të ulëta se zakonisht në këtë periudhë të vitit.

I gjithë Ballkani dhe Italia do të përfshihen nga masa ajrore të ftohta që vijnë nga lindja dhe veriu në fund të vjeshtës, i cili do të sjellë më shumë borë nga Hungaria dhe Rumania drejt Ballkanit.

“Shpesh moti i paqëndrueshëm do të ketë një ndikim negativ në bujqësi dhe aktivitete në natyrë në rajon”, tha meteorologu Taylor Royce.

 “Vjeshta mund të fillojë me temperatura të buta, por goditjet e masave të ajrit të ftohtë parashikohen të jenë më të shpeshta nga tetori deri në nëntor. Ndërsa nëntori vazhdon, temperaturat e ulëta do të ulen, sikur të ishte dhjetori ose janari”, -thuhet në raport.

Rikthehet i nxehti përvëlues, ngritje temperaturash gjatë javës

Të gjithë shpresojnë se fundi i gushtit të jetë më i freskët dhe me temperatura të përballueshme, por nuk do ndodh kështu. Kjo javë pritet që të rikthehet i nxehti përvëlues në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku temperaturat do të kapin vlerat 35-36⁰C, por pritet që të rriten edhe më shumë.

Gjatë javës do të mbizotërojnë moti i kthjellët dhe temperatura të larta, të cilat do të rriten në mënyrë graduale. Edhe në zonat malore do të mbizotërojë një mot i kthjellët dhe me temperatura të larta.

Mjekët rekomandojnë që piku i orëve të vapës të shmanget nga njerëzit, sidomos ato me probleme shëndetësore si dhe të pihet sa më shumë ujë.

Stuhi e furtunë, ndryshoni planet për fundjavë

Stuhia e së mërkurës në mbrëmje ka sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave në mbarë vendin, ndërsa vranësirat do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.

Meterologia e MeteoAlb, Adiola Bani tha se deri në mesin e javës së ardhshme do të kemi mot me vranësira, një lajm i keq ky për të gjithë ata që kanë bërë plane për të kaluar fundjavën në plazh.

Lidhur me stuhinë e së mërkurës që shkaktoi dëme në disa qytete të vendit, Bani është shprehur se shpejtësia e erës dy ditët e fundit ka shkuar deri në 75km/h, çka ka sjellë pemë të shkulura, shtylla elektrike të shkatërruara në disa prej qyteteve kryesore të vendit.

“Dje ka pasur një përshkallëzim të erës, sidomos në momentin e zhvillimit të vranësira dhe kur ka pasur shira në territor. Madje në momente të veçanta ka arritur me shpejtësi deri në 75 km/h. Kjo ka bërë që edhe të ketë ato problematika, kryesish në zonat bregdetare, në veri dhe veriperëndim të territorit dhe më pas në zonën jugore. Moti në ditën e sotme do të paraqitet kryesisht i kthjellët dhe pa shi. Dita e premte, paraditja do të jetë e kthjellët, ndërsa pasditja do të sjellë sërish vranësira në zonat veriore dhe lindore duke sjellë edhe shira lokal. Gjithashtu edhe fundjava do të paraqitet e paqëndrueshme dhe me vranësira, kryesisht gjatë orës së pasdites. Pritet që kjo situatë, ky destabilitet i motit të paraqitet deri në mesin e javësh së ardhshme, më pas do të kemi sërish rikthimin e motit me diell me temperatura 34-35 gradë celcius”, u shpreh Bani për Report Tv.

Sa i përket parashikimit të motit për muajin gusht, do të jetë i nxehtë dhe i thatë, por nuk përjashtohet mundësia për reshje shiu.

Kapriçot e motit, furtuna shkakton dëme të konsiderueshme në Shëngjin

Stuhi të forta ere dhe shiu kanë përfshirë zonën e Lezhës, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Zona e plazhit të Shëngjinit, ka qenë më e prekura nga shtrëngatat e forta të erës dhe shiut, të cilat kanë rezultuar me pasoja të rënda për bizneset dhe pushuesit.

Mësohet se për shkak të furtunës, janë dëmtuar shumë biznese në plazhin e Shëngjini. Gjithashtu, për shkak të erës, janë dëmtuar edhe disa mjete të pushuesve.

Në disa zona ka pasur zhvendosje të shtyllave elektrike, të cilat më pas kanë rënë në mjetet e pushuesve.

Për shkak të dëmtimit të shtyllave elektrike, mësohet  se disa zona në Lezhë kanë mbetur pa energji elektrike.

 Fatmirësisht, nuk raportohen dëme në njerëz. Moti i keq me shtrëngata shiu dhe ere përfshiu pothuajse të gjithë territorin e vendit, duke sjell ulje të tempretarturave këtë të mërkurë.

Skip to toolbar