Çmendet moti, stuhi në gjithë vendin. Era shkul pemët

AKTUALITET


Moti është tërbuar keq mbrëmjen e së mërkurës duke sjellë dimër në mes të verës në shumë qytete të vendit nga Veriu në Jug. Stuhi, breshër dhe era e fortë kanë shkulur pemët dhe kanë shkaktuar dëme të shumta materiale. Ndërsa në zonat bregdetare pushuesit e trembur janë larguar nga plazhi.

Stuhia e fortë ka prekur qytetin e Sarandës. Për shkak të erës është ndërprerë energjia elektrike në disa zona, ndërsa janë shkatërruar pemët nëpër rrugë.


Në Velipojë ka pasur reshje të forta shiu duke shkaktuar përmbytjen e rrugëve dytësore, ndërkohë që era ka shkulur pemët, duke krijuar një situatë të rëndë tek banorët e zonës. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por deri tani janë shënuar vetëm dëme materiale.

Edhe në Shëngjin gjatë natës të mërkurën janë rrëzuar disa pemë,  ndërsa janë dëmtuar edhe disa makina, të cilat ishin parkuar pranë zonës ku kanë rënë pemët gjigande.

Moti i keq në qarkun e Gjirokastrës ka shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Një pemë është shkulur si pasojë e erës së stuhishme dhe shirave të rrëmbyeshëm pranë Doganës së Kakavijës duke sjellë edhe bllokimin e qarkullimit drejt Greqisë.

Forcat zjarrfikëse kanë punuar deri në orët e para të mëngjesit, duke bërë të mundur hapjen e rrugës për automjetet.

Erë e fortë dhe breshër ka rënë në edhe në plazhin e Spillesë, në Lezhë dhe në zonën e Peqinit dhe Elbasanit duke shkaktuar dëme të shumta në bujqësi.

Në Vlorë raportohet se rruga e portit është përmbytur nga reshjet që ranë me intensitet të lart. Nga erërat e forta janë thyer edhe xhamat e disa banesave.

Disa qytete si Shkodra, Velipoja, Divjaka, Lezha etj. kanë  pasur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit nga thyerja e pemëve nga era e fortë.

Probleme ka pasur edhe në Berat, ku mjaftuan vetëm pak minuta reshje të dendura duke sjellë vërshimin e ujit dhe bllokimin e rrugëve kryesore të qytetit. Për disa minuta ka pasur edhe ndërprerje të energjisë, por është rikthyer.




Skip to toolbar