Një 26-vjeçar me orgjinë shqiptare, punonjës i aeroportit të Mykonosit, është arrestuar nga policia greke pasi shiste lëndë narkotike GBL e njohur ndryshe si “shurup përdhunimi”. Mësohet se 26-vjeçari ishte punonjës në aeroport, ndërkohë që jashtë këtij aktiviteti ai shiste në mënyrë të paligjshme lëndën që ndez epshin seksual. GBL, sipas studiuesve, është lëng pa ngjyrë dhe pa erë, që nuk vërehet nëse e hedhë në gotë me ujë të pastër. Kjo lëndë, sipas ekspertëve, shkakton reagime seksuale, marrjemendësh dhe humbje të përkohshme të kujtesës.
Ky rast është cilësuar jashtëzakonisht i rëndë në Greqi, ndërsa hetimet janë drejtuar na Prokuroria kundër Drogës në Mykonos dhe forcat e Sigurisë në rajonin e Atikës dhe Selanikut. I riu shqiptar është mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, derisa u bë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës. Operacioni i policisë për arrestimin e të riut është zhvilluar të shtunën në aeroportin e Mykonos, ky policia ka ndaluar shqiptarin menjëherë sapo ai do dilte nga ky aeroport. Gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij, atij i është gjetur më shumë se 1 litër GBL metamfetamine, etamine, ekstrazë, 1800 pako najloni dhe 50 shiringa.
I riu i ka thënë Policisë se e kishte për përdorim vetjak. Sipas banorëve të Mykonos, i riu njihej me nofkën “Aleksandri Shqiptar”. Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet duke zgjeruar hartën e dyshimeve, pasi beson se 26-vjeçari nuk është i vetëm në këtë trafik, por dyshohet se shefat e tij të mëdhenj janë shqiptarë të tjerë. Mediat greke shkruajnë se për shkak të përdorimit të GBL-së në Mykonos, janë shënuar shumë raste të përdhunimeve seksuale, duke prishur imazhin dhe reputacionin e ishullit turistik.