Murrizi: Listat e hapura do pastrojnë politikën

Deputeti demokrat në Kuvend, Myslim Murrizi reagoi të mërkurën në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Murrizi, duke shpërndarë një foto të Grida Dumës që kërkon sistem me lista të hapura, shprehet se vetëm në këtë mënyrë do të pastrohet parlamenti nga “parazitët”.

“Listat e hapura qerojnë nga politika dhe parlamenti vemjet, parazitët, skuthët dhe çdo lloj kategorie të pistë që fshihet nga vota e qytetarëve duke  hyrë në mendere të kryetarëve. Më vjen shumë mirë që shtohen zëra për zgjedhjen e deputetëve nga qytetarët dhe jo emërimin e tyre nga kryetarët. Populli thotë: më mirë vonë sesa kurrë”, shkruan Murrizi.

Sipas Myslim Murrizit, listat e hapura rrisin demokracinë në parti, në parlament dhe në qeveri. “Listat e hapura rrisin demokracinë në parti, në parlament dhe në qeveri. Listat e hapura zhdukin përfundimisht minjtë politik nga skena politike bajate e Shqipërisë”, shkruan Murrizi. Ai gjithashtu sulmon edhe ata që janë kundër sistemit me lista të hapura. Sipas deputeti demokrat, listat e hapura do t`i nxjerrin jashtë sistemit këta politikanë.

“E për këtë kategori të ndyrë politikanes, që po i shoh të qajnë e qurraviten nëpër ekrane e port-hale se nuk ka problem sistemi për rustemi, se listat e hapura nuk sjellin në parlament “profesor”, “shkencëtar” apo “intelektual”, me lista të hapur nuk do t`ua shoh më kurrë njeri surratin apatik, sepse nuk ju voton askush”, shprehet Murrizi.

Murrizi: Shqipëria si Austria, biem rehat me listat e hapura (jo lista me pagesë)

Deputeti demokrat Myslym Murrizi në një vizitë në Vjenë së bashku me bashkëkryetarin e  Komisionit të Refomrës Zgjedhore Damian Gjiknuri, janë bindur se modeli i “listave të hapura”, janë zgjidhja për zgjedhjet në Shqipëri. Me një postim në rrjetet sociale, duke “thumbuar” opozitën dhe kreun e PD Lulzim Basha, Murrizi shkruan se së bashku me 38 deputetët e opozitës “kemi 8 muaj që kemi firmosur për ndryshimin e sistemit tonë bastard zgjedhor”.

“Meqënëse Basha u pajtua me PS sepse Rama iku (në Amerikë) dhe solli Ivin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, edhe unë thashë që nuk ka kuptim të rri “zemëruar” as me Damianin e as  me “ambasadorin” e Bashës në komision. Ky është modeli i fletës së votimit që rreth 6 milion qytetarë austriakë do të votojnë në zgjedhjet parlamentare. Unë dhe 38 deputetët të opozitës kemi 5 muaj që kemi firmosur për ndryshimin e sistemit tonë bastard zgjedhor, ku deputetët i emëron kryetari e nuk i zgjedh qytetari. Por pas dy ditësh takime këtu në Vjenë, edhe Damiani e kuptoi që “listat e hapura” me votë preferenciale janë shumë e shumë herë më të mira se listat me “pagesë” të kryetarëve”, shkruan Murrizi.

Më tej, ai shkruan se “nuk beson se austriakët janë vend më pak demokratik se Shqipëria”, ndaj sipas tij, me ndryshimin e sistemit zgjedhor, “do  biem rehat të gjithë”. “Unë, Damiani, por dhe ky përfaqësuesi i PD nuk besojmë që austriakët janë më pak vend demokratik se ne. Pas kësaj besoj që do biem rehat të gjithë se në parlament do shkojnë vetëm ata që votohen nga qytetarët shqiptarë, e jo vemje të kryetarëve të partive. Pas ndryshimit të sistemit zgjedhor nuk ka më “faktorë” politik me “silikon”, shkruan ndër të tjera Murrizi.  

Akuzat ndaj Gjonajt, Murrizi sulmon PD: Po sikur të reagonit për 700 mijë eurot e bllokut?

Zëvendës kryetari i Kuvendit, Myslym Murrizi, njëherazi deputet i opozitës së djathtë në parlament, ka reaguar me një status të gjatë në rrjetet sociale, në lidhje me çështjen e shpenzimeve për bileta udhëtimi dhe fjetje në hotel të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Murrizi, duke u shprehur se ‘nëse do të ishte kjo ndjeshmëri, si në rastin e Etildës, Shqipëria do të ishte Zvicër’, tregon disa nga rastet kur do të duhej që të reagohej në këtë mënyrë. Ndër to, ai përmend vjedhjen e arit në Krrabë, apo 700 mijë eurot e bllokut të famshëm.

“Po sikur ta kishit patur këtë ndeshmëri për 700 mij euro e bllokut të famshëm? Po sikur ta kishit patur këtë zell për vjedhjen dy herë të thesarit të Krrabës? Po sikur të kërkonit me të drejtë në vitin 1992 qeverisë së asaj kohe se ku shkuan mbi 300 milion dollarë që Ramiz Aliaj dhe qeveria komuniste në fund të saj “humbi” nga kambiumi në bursë i monedhave të arit?”, shkruan Murrizi, duke përmendur dhe rastin e Bankës së Shqipërisë apo raste të tjera. Në këto kushte, ai shprehet se nëse do të kishte pasur të njëjtin reagim, askush ‘nuk do ti shiste më dëngla shqiptarëve si i moralshëm”.

Më tej, me ironi dhe sarkazëm, Myslym Murrizi, shprehet se propozon që tilda të shkarkohet, dhe të ‘pushkatohet’ si shkaktarja e të gjitha të zezave të këtij vendi. “Kjo është ‘koka’ e korrupsionit, koka e ‘krimit’ shkaku i fukarallëkut, arsyeja e mos hapjes së negociatave, faktori kryesor i keq qeverisjes, i shtetit arbitrar, i mjerimit dhe i largimit të Shqiptarëve nga vendi. Kjo detyroi PD të dali nga parlamenti, kjo ishte pengesa kryesore që PD nuk hyri në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga nesër të gjithë në protestë me parullën: ‘Etilda Ik’, Rama dhe gjithë ju të tjerët rrini se nuk keni përgjegjësi. Eh moj Etilda sa e mbuluar paske qenë”, shkruan ndër të tjera Murrizi.

Skip to toolbar