Shqipëri-Francë, bllokohen çantat me tymuese të tifozëve

Policia ka sekuestruar një çantë me tymuese dhe fishekzjarrë në një autobus që vinte me tifozë kosovarë për të parë ndeshjen Shqipëri-Francë në “Air Albania Stadium”.

Policia kishte paralajmëruar më herët se mjete të tilla nuk do lejoheshin duke ashpëruar masat dhe rritur kontrollet ndaj tifozëve, që tentojnë të fusin sende të kundërligjshme në stadiumin e ri.

Çanta me fishekzjarrë dhe kapsolla u gjet në autobusin që drejtohej nga shtetasi kosovar me iniciale B.M., nga policia kufitare e Morinës, të cilat u sekuestruan në cilësinë  e provës materiale. Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë.

Kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarrë dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozerisë dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore.

Pesë vjet pas Beogradit, Kosova mund “serbët” e tjerë

Kosova hedh një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, pas fitores 2-0 ndaj Malit të Zi. Dardanët bën një ndeshje të madhe në “Fadil Vokrri” përballë tifozerisë së tyre, duke fituar kundër ekipit malazez me gola të Rrahmanit dhe Muriqit, të dy të shënuar në pjesën e parë.

Mbrojtësi shtatlart i Kosovës gjeti rrjetën në minutën e dhjetë të takimit pas nja asisti perfekt nga Celina nga goditja e këndit. Më pas ishte radha e Muriqit, që gjeti rrjetën në minutën e 34` pas  një dalje fantastike në kundërsulm.

Ndërkohë, në pushimin e pjesës së parë është shënuar dhe një incident mes tifozëve malazez dhe atyre kosovarë, por që është shuar pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë. Në takimet e tjera të këtij grupi, Anglia fitoi 6-0 ndaj Bullgarisë, duke marrë kreun e grupit me 15 pikë.

Ndërkohë, Kosova ndodhet në vendin e tretë në grup me 11 pikë, një më pak se Republika Çeke që mban vendin e dytë në grup. Fitorja e të hënës i hap rrugën ekipit Dradan që të shpresojë deri në fund për kualifikimin, duke pasur parasysh faktin se ndodhet shumë pranë me pikë ndaj Republikës Çeke.

Flamuri shqiptar ndërpret ndeshjen Brescia-Vojvodina

Flamuri shqiptar ka qenë shkaktari që ka çuar në ndërprerjen e ndeshjes miqësore mes klubit italian Brescia kundër serbëve të Vojvodinës. Shfaqja e tij dhe koret pro Kosovës kanë bërë që serbët të mos vetëpërmbahen dhe të mësyjnë fushën e blertë duke sjellë pezullimin e ndeshjes.

Sipas “Corriere della Sera”, pas një tensioni fillestar në pjesën e parë, ku gjyqtari përjashtoi trajnerin e miqve dhe ky i fundit kërcënoi me tërheqjen e skuadrës, shfaqja e një flamuri shqiptar në cepin tjetër të fushës dhe koret e vazhdueshme pro Kosovës, kanë bërë që miqtë nga Serbia ta konsiderojnë një provokim. Tifozët e Vojvodinës kanë hyrë në fushë dhe i janë drejtuar pjesës së tifozëve vendas, por fatmirësisht përleshja është shmangur.

Megjithatë, ndeshja është ndërprerë pasi lojtarët e Brescia-s nuk kanë dashur më të zbresin në fushën e lojës.

Video/ Coman çon Shqipërinë në ‘koma’, Cikalleshi shënon në fund

Francë 4-1 Shqipëria. Kombëtarja jonë e futbollit nuk ka arritur të përballojë më shumë se 8-të minuta kampionët e botës. Ndonëse nisi me 5 minuta vonesë, për shkak të gafës së rëndë me himnin, Franca ka vendosur diktatin në fushën e lojës menjëherë sapo ka nisur takimi. Në fakt, skuadra e “gjelave”, ka përfituar nga një rreshtim i gabuar i skuadrës tonë, pasi trajneri Reja kishte tërhequr sulmuesin Odise Roshi në mbrojtje, madje duke e kaluar në krahun e majtë. Kaq ka mjaftuar që francezët të lezojnë lojën dhe të kalojnë në avantazh që në minutën e 8-të me Coman.

Sulmuesi kaloi mjaftë mirë para Odise Roshit, duke shfrytëzuar në mënyrën e duhur asistin e Varanes nga mesi i fushës. Franca kalon në avantazh, Shqipëria bie shumë shpejtë. Megjithatë, Reja kupton gabimin me Roshin dhe e kalon atë në krahun e djathtë, por jo në sulm. Përsëri një gabim që kushton shtrenjtë. Mbrojtja vendase nis një top nga njëri krah i fushës në tjetrin, ku Roshi nuk arrinë ta ndalojë. Sfera përfundon në këmbët e Hernandez që futet në zonë dhe pason te Giroud që nuk e ka të vështirë të shënojë golin e dytë.

Në të 37`, Franca ka një tjetër mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por Griezmann nuk dërgon topin në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë, pasi sfera përplaset me traversën. Megjithatë, Franca nuk ndalet me kaq. Në të 68`, Coman gjen përsëri rrjetën pas një asisti të shkëlqyer të Griezmann, duke mposhtur për herë të tretë Strakoshën. Ikone për ‘gjelat’ në minutën e 85`, kur shënoi një gol të bukur, pasi kaloi mbrojtjen tonë. Ndërkohë, një minutë para fundit të ndeshjes, Sokol Cikalleshi shënon nga pika e bardhë e penalltisë, por goli vlen sa për statistikë.

Francë 4-1 Shqipëria, gjithçka merr fund sa i përket ëndrrës për kualifikim. Franca rikthehet te fitorja pas humbjes me Turqinë në qershor, dhe ngjitet në krye të Grupit H me 12 pikë, po aq sa Islanda dhe Turqia. Pas humbjes të së shtunës, kombëtarja kuqezi duket se nuk do të ketë më asnjë shans për kualifikim për Euro 2020. Ndërkohë takimi i radhës për të besuarit e Edy Rejas është të martën më 10 shtator kundër Islandës në “Elbasan Arena”.

U-21, Shqipëria fiton ndaj Uellsit me rezultatin 3-1

Shqipëria U-21 e drejtuar nga trajneri Alban Bushi ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Uellsit në miqësoren e dytë të zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana”.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 2-0, ku golat për kuqezinjtë u shënuan nga Bullari në minutën e 8-të dhe Mala në minutën e 15-të.

Golat nga kuqezinjtë  nuk munguan as në pjesën e dytë, ku ulmuesi i ri Armando Broja ka shënuar në minutën e 69-të. Golin e vetëm Uellsi e ka shënuar në minutën e 91-të kohës shtesë. Kjo ishte fitorja e dytë në harkun e tre ditëve, ku në miqësoren e parë U-21 fitoi me rezultatin 2-1 në “Selman Stermasi”.

Përballja me Moldavinë, Reja: Skema 3-5-2, por nuk kam vendosur për formacionin

Kombëtarja shqiptare pritet të përballet ditën e martë me Moldavinë në “Elbasan Arena”, pjesë e kualifikueseve në “Euro 2020”. Trajneri i Kombëtares, Edy Reja ka folur në një konferencë për shtyp në lidhje me humbjen që pati me Islandën dhe skemën që do të ndjek gjatë ndeshjes me Moldavinë. Reja tha se do të ndiqet skema 3-5-2, por do të bëhen disa ndryshime në mbrojtje.

Skema 3-5-2- “Unë nuk pashë probleme në këtë repart, por në sulm jam dakord. Duhet të gjejmë zgjidhje për të sulmuar, të çojmë më shumë topa në zonë. Na mungoi finalizimi, ata nuk arritën të bënin më shumë se sa një rast në portë.

Ndryshimet- “Mbrojtja mund të jetë me 3 ose 4. Në mesfushë do të ketë ndryshime dhe në sulm padyshim, pasi ka lodhje. Në fillim duhet të flas me lojtarët dhe pastaj do shihni formacionin. Kemi dhe 24 orë ende për të parë.

Potenciali i skuadrës- I kemi të gjitha mundësitë, na duhen disa mesfushorë të mirë për të kaluar më para. Me Islandën pamë anën e djathtë që ishte shumë mirë, do të shohim dhe repartet e tjera ku çaluam.

Formacioni- Nuk kam vendosur ende. Kam Uzunin dhe Sadikun që janë gati. Mund të jenë tre katër ndryshime dhe do të vlerësohen me tej. Mbrojtja ka bërë mirë, por mund të ketë ndryshim.

Erdhi Reya, por retë e zeza nuk ikin, ankohet për mbrojtjen (si Pannuci)

Trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja ka folur pas ndeshjes për RTSH, duke komentuar humbjen e ekipit tonë kundër Islandës, në takimin e tretë kualifikues për Euro 2020.  Trajneri kuqezi ka shprehur keqardhje për pësimin e golit, teksa pesë lojtarë dështuan të ndalin kundërshtarin në mbrojtje.

Ndeshja e humbur? “Më vjen keq, nuk luajtëm keq, sidomos në fillim. Ata nuk bënë ndonjë gjë të madhe, përveç lojës ajrore. Luajtëm më mirë, e kërkuam golin deri në fund, kur ranë fuqitë. Mëkat, sepse patëm dy raste për gol në fillim, patëm raste edhe në pjesën e dytë. Mbetet fakti që luajtëm mirë, luftuam shumë dhe krijuam raste. Për rezultatin më vjen shumë keq, jam i tërbuar, sepse ishte edhe një penallti në favorin tonë. Mëkat, fati nuk qenka me ne”, u shpreh Reja.

Pësimi i golit në atë mënyrë, ju vjen keq? “Goli erdhi në qendër, me 3 mbrojtës. Kur dikush niset në sulm, nuk mund të driblojë 3 lojtarë. Ndoshta mund të bëhet një faull taktik, nuk mund të bëhet ai gabim aty, edhe pse lojtari depërtoi bukur dhe u tregua i zoti. Patëm 3 mundësi ta ndalnim, ishte një gabim fëminor, i pafalshëm”.

Çfarë kuptuat nga ndryshimet? “Ishte e vështirë, u mundova të ndryshoj pak ritmin me Kaçen, për të bërë diçka për faullet, goditjet nga këndi, sepse ai është i zoti teknikisht. Patëm disa raste në fund, duhej më shumë cinizëm e vendosmëri. I vendosëm në vështirësi, por nuk ditëm të shënojmë”.

Humbja me Islandën, Hysaj: Na vjen keq për trajnerin, por duhet të vazhdojmë kështu

Kapiteni i ekipit tonë kombëtar Elseid Hysaj ka folur pas ndeshjes me Islandën, duke u shprehur se ndihej i keqardhur për humbjen. Sipas tij, ekipi kishte punuar shumë dhe donte fitoren, ndërsa për rastin personal, ku pati një mundësi shënimi, Hysaj, për RTSH, tha se gjuajtja ishte me këmbën e gabuar.

Keqardhje për ndeshjen? Na vjen shumë keq, luajtëm shumë mirë, kishim rastet tona, për këtë gjë na vjen keq për trajnerin, skuadrën, sepse kemi punuar shumë këtë javë.

Rasti personal për gol? Ishte këmba e gabuar, por dhe topi po shkonte në qoshe, më ka munguar dhe fati sepse kam shumë vite që kërkoj të shënoj por s`po mundem.

Çfarë duhet të presim për të ardhmen? Besoj që duhet të vazhdojmë, të vazhdojmë kështu në ndeshjen e radhës. Llogaritë i bëjmë në vonë.

Hysaj: Jemi gati për Islandën, të ardhmen e vendos pas kombëtares

Ndaj Islandës, Elseid Hysaj do të jetë kapiten i ekipit tonë kombëtar. Mbrojtësi ka shoqëruar trajnerin Edy Reja në konferencë për shtyp këtë të premte, një ditë para ndeshjes zyrtare. Hysaj është shprehur se skuadra është gati, dhe synim është fitorja. “Besoj se jemi gati pasi kishim kohë dhe kemi bërë mirë në stërvitje. Jemi gati si skuadër për të fituar këtë ndeshje”, u shpreh mbrojtësi.

25-vjeçari foli dhe për skemën që do të përdoret ndaj Islandës, duke u shprehur se ndihet mirë me 3 mbrojtës në qendër, pasi i jep më shumë mundësi në lojën në krah. “Besoj se me këtë skemë jam mirë në krah pasi krahun e njoh më mirë se qendrën megjithatë unë do të luaj aty ku trajneri më vendos”, tha Hysaj.

Hysaj ka qenë i rezervuar i kur është pyetur për të ardhmen, duke u shprehur se për të do të mendojë pas ndeshjeve me Kombëtaren. “Kam edhe 2 vite me Napolin dhe tani për tani po mendoj për Kombëtaren dhe pas kësaj ndeshjeje të Kombëtares do të mendoj për pushimet”.

Në fund, ai ka folur dhe për kundërshtarin e të shtunës, duke u shprehur se nuk duhet nënvlerësuar.

“Islandën e njohim dhe ka bërë shumë mirë e ka lojtarë të fortë që luajnë në skuadra të mira. Nuk duhet nënvlerësuar pasi jemi mundur dhe duhet kujdes në disa lëvizje. Mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë në fushë. Nuk është sikur në Europian që tregoi se ka potencial por ka edhe fazën e keqe. Me ardhjen e Rejas na ka ndryshuar fryma dhe të besojmë se jemi lojtarë më të fortë se ata që ishim”, tha Hysaj.

Skip to toolbar