Shqipëri-Francë, bllokohen çantat me tymuese të tifozëve

AKTUALITET


Policia ka sekuestruar një çantë me tymuese dhe fishekzjarrë në një autobus që vinte me tifozë kosovarë për të parë ndeshjen Shqipëri-Francë në “Air Albania Stadium”.

Policia kishte paralajmëruar më herët se mjete të tilla nuk do lejoheshin duke ashpëruar masat dhe rritur kontrollet ndaj tifozëve, që tentojnë të fusin sende të kundërligjshme në stadiumin e ri.


Çanta me fishekzjarrë dhe kapsolla u gjet në autobusin që drejtohej nga shtetasi kosovar me iniciale B.M., nga policia kufitare e Morinës, të cilat u sekuestruan në cilësinë  e provës materiale. Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë.

Kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarrë dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozerisë dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore.




Skip to toolbar