Presidenti Ilir Meta është i gatshëm, që jo vetëm të ndryshojë datën e zgjedhjeve, por edhe të lërë mandatin si president, nëse kjo i shërben zgjidhjes së krizës politike në vend.
Përmes një reagimi për mediat, Presidenti i Republikës ka
shprehur mbështetjen për deklaratën e djeshme të parlamentit Gjerman, sipas të
cilit “zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës nuk janë demokratike”. Meta citon
nenin 3 të Kushtetutes që garanton pluralizmin politik në Shqipëri, ndaj thotë
se ka detyrim kushtetues që të garantojë pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.
“Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të
tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik
nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme
politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të
barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e
vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të
zgjedhur”, thekson Presidenti.
Në këtë kuadër, ai thekson se është i gatshëm të rishikojë
datën e zgjedhjeve. “Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale,
që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të
Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore
dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me
vullnetin e shprehur të palëve politike”, thekson presidenti, i cili i bën
thirrje Ramës e Bashës të heqin dorë nga “hartimet” publike por të gjejnë gjuhën
e dialogut.
Ndërsa në fund shton se është gati të lërë mandatin e
presidentit.
“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga
Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të
mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe
mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element
si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte
qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e
tyre të lirë”, shkruan Meta.
Reagimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Presidenti i Republikës përsërit shqetësimin e thellë mbi
krizën kushtetuese, institucionale, politike dhe të përfaqësimit ku ndodhet
vendi.
Thellimi i dallimeve mes palëve dhe kokëfortësia për mohimin
e kësaj krize kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e rrugëdaljeve të arsyeshme
dhe të qëndrueshme nga kjo gjendje që po rrezikon stabilitetin dhe demokracinë
në vend.
Me angazhimin maksimal si Kreu i Shtetit, kam bërë thirrje
të përsëritura për prapësimin nga kjo rrugë e konfliktit, duke u ofruar për të
dhënë çdo kontribut dhe për të bërë gjithçka që do të afronte palët politike
drejt një zgjidhjeje, që ka në themel interesin kombëtar dhe rrugëtimin e
pandalshëm evropian të Shqipërisë.
Nxitur nga zhvillimet e djeshme, përshëndes dhe mirëpres
angazhimin e shprehur të Parlamentit Gjerman për zgjidhjen e krizës, duke iu
bashkuar thirrjes së tyre drejtuar të
gjitha palëve politike në Shqipëri, për të marrë përgjegjësitë vendimmarrëse
për të gjitha çështjet që lidhen me stabilitetin demokratik në vend, në mënyrë
gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtuar asnjë temë.
Gjithashtu, si Kryetar i Shtetit, kam përgjegjësinë
kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së
Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të
kërcënohen.
Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë
strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë
problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë
zgjedhjen mes alternativave konkuruese.
Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të
tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik
nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme
politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të
barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e
vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të
zgjedhur.
Unë kam përgjegjësi kushtetuese, që brenda caqeve që
Kushtetuta më lejon, të siguroj respektimin, në formë e në përmbajtje, të
Kushtetutës. Për mua bashkëjetesa demokratike dhe uniteti i popullit janë
parime kushtetuese që duhen mbrojtur, përpara çdo rregullimi tjetër dytësor apo
formal.
Bashkohem me thirrjen e Parlamentit të Gjermanisë se është
përgjegjësia e vendimmarësve politikë që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë
dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen, sepse nëse kjo
nuk ndodh ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.
Ndaj:
• me
përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit;
• me
vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik dhe që
garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
• me frymën
e tolerancës, në funksion të paqes, mirëqenies dhe solidaritetit shoqëror;
shpreh angazhimin tim për të përmbushur përgjegjësinë
kushtetuese për të garantuar unitetin e popullit dhe parimet bazë të
bashkëjetesës demokratike, që rrezikohen nga kriza politike në vend.
Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që
në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës,
të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj
një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të
palëve politike.
Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike,
stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme
janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë
këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve.
U bëj edhe një herë thirrje palëve, të ndalojnë retorikat si
reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman.
Të ndalojnë hartimet publike justifikuese dhe të angazhohen
me sinqeritet dhe përgjegjshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejtë dhe
të qëndrueshme.
Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci,
mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire,
stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin
tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të
rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve
shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve
shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së
cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.