Basha konfuz: Duhet ndryshim, fituam në 30 qershor, Rama Ik

AKTUALITET


Lulzim Basha ka patur të hënën një ditë të ngjeshur takimesh me aleatët. Aksioni opozitar pas mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, tashmë është më konfuz se kurrë. PD është praktikisht pa asnjë pushtet, humbi dhe bashkitë, të cilat në fakt ishin furnizuesi kryesor i opozitës me protestues, prej shkurtit deri në qershor. Tani që zgjedhjet u mbajtën dhe kryebashkiakët e opozitës duhet të largohen, për ti lënë vendin të zgjedhurve të PS, opozita duhet të mendojë për aksionin e saj nëse do të vijojë të jetë në rrugë apo do të pranojë dorën e shtrirë të dialogut, ofruar nga kryeministri Edi Rama.

Në fakt, gjatë  takimeve të aleatve me Bashën, u la të kuptohet se protestat mund të jenë një alternativë e aksionit opozitar. Por, vetë Basha, duket se nuk është më me këtë mendim, të paktën publikisht nuk e shprehu në daljen për shtyp që pati nga Selia Blu, mbrëmien e së hënës. Por, Basha, ndonëse nuk e njeh 30 qershorin si ditë zgjedhjesh, ai i njeh një meritë kësaj date, pasi ka kuptuar se “shqiptarët duan ndryshim”.


Në fakt, Lulzim Basha përmendi ndryshimin shpesh në fjalimin e tij, por asnjë fjalë për rrugën se si do të vij ky ndryshim, asnjë fjalë për rezistencë, asnjë fjalë për protesta. “Ndryshimi është qëllimi im më i madh. 85% e shqiptareve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje”, tha Basha. Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha, ndonëse i tërhequr nga gjuha e ashpër ndaj kundërshtarit, u shpreh përsëri se Rama duhet të largohet.

“Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon: Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Dhe 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje te lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drej të ardhmes”, u shpreh Basha.

Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet Basha e lexon si konfirmim të kauzës së opozitës, duke u shprehur se 30 qershori e nxori më të fortë PD-në. “Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë. Farsa dështoi. PD doli më e forte dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori”, u shpreh Basha.

Në fakt, PD nuk doli më e fortë nga 30 qershori. Basha, tashmë që nuk ka më asnjë pushtet lokal, duket se më shumë se sa Edi Ramës, po i trembet zërit kundër brenda së djathtës. Ndaj, 30 qershorin vijon ta quajë si fitore, të tijën, të PD-së, të Shqiptarëve.




Skip to toolbar