Presioni i aleatëve, Basha: Ndryshojmë sistemin (por pa Ramën)

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, foli në News 24 në emisionin “Kjo Javë”, duke komentuar disa nga çështjet thelbësore të krizës politike në vend. Basha u shpreh se nuk do të bëhet marrëveshje midis opozitës dhe Kryeministrit Edi Rama.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë më marrëveshje PS-PD. Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme në raport me integrimin europian, për kriminalizimin e vendit, për kapjen e shtetit, për shkatërrimin e zgjedhjeve, për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve e tij në krime të shumta korrupsioni, vjedhje dhe të procesit zgjedhor”, u shpreh Basha. Më tej, Basha u shpreh se opozita do të rifillojë protestat si mjet për t`i bër presion qeverisë pas zgjidhjes së krizës, por pas 18 tetorit.

“Këtë po ju them, që protestat janë mjet për të arritur një qëllim dhe qëllimi që ne kemi është është t’u shërbejmë njërëzve, t’u shërbejmë qytetarëve për ta nxjerrë vendin nga kriza. Nxjerrja e vendit nga kriza do të vijë përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura në një ditë me zgjedhjet legjitime  vendore, në kushte që garantojnë lirinë e votës dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Kryedemokrati u shpreh se PD nuk tërhiqet nga kushet për Reformën Zgjedhore, duke i kërkuar qeverisë që të zbatojë planin e opozitës jashtëparlamentare. “Ka ardhur momenti të zbatojë këtë plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, që është në fakt edhe plani i partnerëve tanë, i Bundestagut dhe i Bashkimit Europian.  Propozimin sa i përket reformës zgjdhore e ka mbi tavolinë ose përndryshe të hapë krahun”, tha Basha.

Më tej, Lulzim Basha, duke folur po për Reformën Zgjedhore, pranoi një propozim të aleatëve për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Sipas tij, qytetarët duhet të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre. “Unë besoj se qytetarët kanë te drejtë të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, personalisht kam parashtruar disa herë idenë e një sistemi maxhoritar, qoftë edhe një sistemi kombëtar proporcional”, tha Basha.

Gjithashtu, ai propozoi ngritjen e një Senati, dhe reduktim të numrit aktual të deputetëve në Kuvend. “Personalisht besoj se në këtë fazë të demokracisë shqiptare kemi nevojë për një dhomë të dytë, për nje senat, një reduktim te numrit te deputetëve në dhomën deputetëve dhe një një senat, i cili të luajë rolin e nje hapi tjetër kontrolli dhe balance pushteti. Për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit, për të kufizuar cirkun e shëmtuar që shpesh shohim në Parlament, ku legjislacioni kalon brenda natës për të favorizuar faktorë ekonomikë, oligarkë apo edhe banda kriminale me aministi”, shtoi Basha.

Skip to toolbar