Kryeministri “vetëburgoset”: Reflektim për kabinet të ri?

“Gjatë tërë muajit korrik, ne do të zhvillojmë një debat të brendshëm, për të analizuar qeverisjen qendrore dhe vendore, qoftë në bashkitë e drejtuara deri dje nga ne, qoftë në të tjerat që do të drejtojmë nga nesër dhe, për të programuar të tëra korrigjimet e nevojshme, në funksion të sfidës së vështirësuar tejmase”, ishte ky mesazhi i Kryeministrit Edi Rama, për anëtarët e qeverisë, drejtuesit e bashkive dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, mbrëmjen e 30 qershorit gjatë fjalimit të mbajtur pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Në fakt, tashmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çertifikuar rezultatin e 30 qershorit, si dhe pas ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës në 8 korrik, Kryeministri Edi Rama, që prej asaj dite, ka heshtur për aktualitetin dhe krizën politike në vend. Shefi i Qeverisë nuk ka bërë asnjë reagim ditët e fundit, qoftë në daljet për mediat, apo në rrjetet sociale, duke lënë të kuptohet se për të tashmë ka nisur një periudhë reflektimi. Ashtu si dhe në të shkuarën, Edi Rama e ka bërë zakon, që gjatë muajit korrik, të shkojë në Vilën Qeveritare në Vlorë, për të kaluar ditë pushimi pranë familjes së tij.

Rama ka publikuar shpesh foto pranë të birit ditët e fundit, buzë brigjeve të Jonit, me pamje tepër frymëzuese nga perëndimi i diellit mbi det. Një vend i shkëlqyer qetësie, që kushdo do e shfrytëzonte për të reflektuar. Mesaduket, edhe shefi i Qeverisë po e shfrytëzon momentin e pushimeve për të njëjtën arsye, reflektim. Në fakt, Rama e ka bërë dhe më herët këtë gjë. E bëri në verën e 2013, kur fitoi zgjedhjet ndaj PD-së, shkoi në Vlorë për pushime, dhe pasi u kthye prej tyre, Rama mori vendimin për emrat e kabinetit qeveritar.

Në 10 shtator 2017, kryeministri prezantoi kabinetin “Rama 2”, ndërsa një vit më pas, pas pushimeve të verës, shefi i qeverisë mblodhi ministrat në Vlorë, po në fillim të muajit shtator. Anëtarët e kabinetit dhanë llogari përpara Kryeministrit për performancën e tyre për dikasteret që drejtonin, ndërsa po aty, u lajmërua dhe ndryshim i qeverisë. Ndryshimet e ndodhën në dhjetor, Rama zëvendësoi disa anëtar të kabinetit, ndërsa disa ministra që mbetën i lajmëroi “se do të ishin në provë deri në korrik të vitit 2019”.

A është ky momenti? A po planifikon Kryeministri qeverinë “Rama 4?”. A është ky një moment që duhet të lërë pa gjumë disa ministra të Qeverisë? A do të ndikojë rezultati i 30 qershorit (ku PS nuk mori votat që priste në disa bashki dhe qarqe), te disa drejtues politikë të PS në këto zona? Kjo ende s`mund të thuhet, por zakoni e do që të besosh se kjo heshtje e Edi Ramës, nuk është e rastësishme.

Vetë kryeministri nuk po merr pjesë në procesin e analizës që po zhvillohet nga drejtuesit e qareve, pasi gjasat janë, që pasi të ketë përfunduar analiza, PS të zhvillojë një takim me strukturat, për të publikuar një raport përfundimtar të këtij procesi. Kjo mund të ndodhë në fund të muajit korrik, ndoshta dhe në shtator. Dhe këtu, me shumë mundësi, Kryeministri nuk do të ketë vetëm përgëzime.

Ndryshimet në qeveri, mund të shërbejnë edhe si një argument për të afruar opozitën në dialog, të cilën prej ditësh, Edi Rama e ka lënë të qetë në aksionin e saj, duke u përqëndruar te angazhimet që i detyron posti që mban, dhe stina e pushimeve. Moti i korrikut pasoi temperaturat e nxehta të qershorit, edhe në politikë ndodhi e njëjta gjë, por vetëm në ditët e para të korrikut. Pas datës 8, Shqipëria është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm, me furtuna dhe rrebeshe të forta. Tashmë, pyetja shtrohet, a do të ketë të njëjtin ngjashmëri dhe “moti” i politikës në Shqipëri?

Skip to toolbar