Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude
Juncker është shprehur i zhgënjyer sa i përket mos hapjes së negociatave me
Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke deklaruar qartazi se ky është një
gabim i madh historik i Bashkimit Europian.
“Jam shumë i zhgënjyer nga rezultati i
diskutimit për zgjerimin e Bashkimit Europian. Është një gabim i madh historik
të mos hapës negociatat e zgjerimit me ShqipërinE dhe Maqedoninë e Veriut. Një
gabim i madh historik!”, ka deklaruar Juncker, duke përsëritur zhgënjimin e
tij.
Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian me
rastin e debatit për përgatitjet për Këshillin Evropian të 17-18 Tetor 2019,
Juncker kërkoi që të mbahet premtimi me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Maqedonia
e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim thelbësor. Kjo është arsyeja pse
presidenti Tusk, presidentja e zgjedhur Von der Leyen dhe unë u shkruam një
letër shteteve anëtare duke i ftuar ata të bëjnë atë që u premtuan vendeve të
Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, pati
deklaruar Juncker para takimit të liderëve të 28 vendeve anëtarë të BE.
Kancelarja Angela Merkel ka deklaruar zyrtarisht mungesën e konsensusit mes vendeve të BE-së për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Merkel tha se ky vendim i BE-së ishte dëshpërues dhe patjetër që do të shkaktojë zhgënjim mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ajo tha se mirëkupton edhe qëndrimin e Presidentit Macron për reformimin e sistemit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Janë disa vende që kanë rezerva për hapjen e negociatave. Ne kemi diskutuar për këtë, problemi është se cili do të jetë efekti nëse hapen negociatat. Patjetër që do të zhgënjehen si kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Shqipërisë. Unë fola me Zaev, por e mbështes në një pikë Macron sa i përket procesit ë zgjerimit që duhet reformuar. Kemi rënë dakord për disa gjëra që duhen bërë. Ne vërtetë dëshirojmë që të ndodhë hapja e negociatave”.
Europa, i kujt është faji?
“Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave. Ndryshimi i emrit ka qenë një progres i madh, por edhe Shqipëria ka bërë progres, por nuk na ka bërë ende që të marrim një vendim unanim, ka pasur ndasi sa i përket një vendimi të përbashkët. Në Gjermani ka rezerva sa i përket Shqipërisë, bëhet fjalë për hapjen e negociatave të Shqipërisë, ata patjetër që duhet të përballen me disa kushte që ne kemi vendosur, në Shqipëri vazhdon të ketë probleme, përfshirë edhe emigrimi, megjithëse Shqipëria ka bërë maksimumin sa i përket kësaj çështje. Në fakt kur bëjmë premtime, patjetër që duhet t’i mbajmë dhe nuk duhet t’u kthejmë shpinën vendeve. Në fakt janë disa faza sa i përket anëtarësimit në BE”, tha Merkel.
E pyetur sërish për negociatat dhe nëse pati
një votim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kancelarja Merkel tha se kjo
çështje nuk është hedhur në votim. Ajo tha se për Shqipërinë disa vende të
BE-së kundërshtuar procesin e hapjes së negociatave. “Nuk patëm vendim. Nga
vendet e BE-së pati disa vende që e kundërshtuan hapjen e negociatave për
Shqipërinë”, tha ajo.
Negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e
Veriut po shkojnë sërish drejt shtyrjes, pasi kryeministrat e vendeve anëtare
të BE nuk kanë arritur të kenë asnjë marrëveshje gjatë të enjtes dhe paradites
së të premtes, ndërkohë që samiti vijon të diskutojë për çështjet klimaterike.
Euroactiv raporton se kryeministrat nuk kanë arritur
të kenë një dakordësi, duke e lënë pa vendim çështjen e negociatave me
Shqipërinë, ndërsa zërat janë se kjo çështje mund të diskutohet në një takim
tjetër të liderëve të BE-së. “Një rinisje e bisedimeve për zgjerimin nuk është
në axhendën e sotme, megjithëse një përmendje mbi ndryshimin procedural në
konkluzionet përfundimtare nuk përjashtohet plotësisht”, tha një diplomat i BE,
citon Euractiv.
Ndërkohë, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko
Borisov, ka deklaruar se asgjë nuk ka përfunduar për Shqipërinë dhe Maqedoninë
e Veriut sa i takon çeljes së negociatave. “Asgjë nuk ka mbaruar për
Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ajo vetëm po shtyhet. Është një fakt që ne
nuk pranuam të kishim një vendim me shkrim për zgjerimin në Këshill. Ata kanë
mbështetjen tonë që nga fillimi dhe gjithçka që filloi mund të përfundojë për
gjashtë deri në shtatë muaj. Kam pasur një bisedë të gjatë me Zoran Zaev, dhe e
këshillova që të mos jepte dorëheqjen. Ai bëri shumë dhe ka shumë për të
bërë” tha Borisov.
Pas raportit të
publikuar nga Këshilli Europës, ku konfirmohet përmbushja e të gjitha
detyrimeve nga Shqipëria për çeljen e negociatave, dhe pavarësisht shtyrjes së
marrjes së vendimit, që duket se do të jetë formalitet në tetor, ka ardhur dhe
reagimi i ambasadorit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca. Ai ka shkruar në Twitter
duke përshëndetur vendimin e KE-së duke u shprehur se në tetor do të jetë një
vendim i qartë dhe substancial për Shqipërinë.
“Këshilli i Europës
ka ripohuar sot angazhimin e tij për zgjerimin dhe për hapjen e negociatave me
Shqipërinë. Në tetor do të jetë “vendimi i qartë dhe substancial” nga Këshilli.
Tani është koha që të gjitha institucionet të vazhdojnë të përqëndrohen në
procesin e reformës, dhe në veçanti në mënyrë të drejtëpërdrejtë në Reformën në
Drejtësi”, shkruan ndër të tjera Soreca.
Më tej, ai u bën thirrje palëve politike në Shqipëri që të ulen për të vijuar punën me reformat. “Duhet nisur urgjentisht një dialog me të gjitha partitë për të kaluar situatën e tanishme politike, dhe për të siguruar që Shqipëria do të mund të vazhdojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Nuk ka kohë për të humbur”, shkruan Soreca.
Të martën më 18 qershor, Këshilli i Europës do të votojë për hapjen ose jo të negociatave për integrim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndonëse do të duhet të pritet java e ardhshme për të mësuar vendimin e KE, gjasat janë që s`do të ketë dritë jeshile për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut. Është transmetuesi ndërkombëtar “Reuters” që i ka kushtuar një artikull hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku për këtë të fundit shprehet se ka më shumë gjasa për të marrë një dritë jeshile këtë vit, por jo tani në qershor. “Maqedonia në rrugën e duhur për bisedimet e pranimit në BE, por jo Shqipëria”, është titulli i artikullit të Reuters.
“Maqedonia e Veriut ka gjasa të fitojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për të filluar bisedimet e anëtarësimit këtë vit, thonë diplomatët, por fqinji i saj ballkanik Shqipëria përballet me kundërshtimin e Francës, Gjermanisë dhe Hollandës”, thuhet në shkrim. “Pavarësisht nga retorika e BE-së se blloku duhet të pranojë anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor për të çimentuar rrugën e tyre evropiane dhe për të kompensuar ndikimin kinez dhe rus, ndjenja anti-imigracioni ka ngritur dyshime në disa shtete të BE-së veriore”, vijohet më tej.
Më tej, në shkrim
jepet e sigurt se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk do të kenë dritë
jeshile më 18 qershor, pavarësisht se këto vende kanë pasur mbështetjen e 13
shteteve anëtare të BE, duke përfshirë Italinë dhe Poloninë, Presidentin e
Këshillit Europian Donald Tusk dhe Komisionit Europian, që kanë bërë publike
thirrje për fillimin e negociatave zyrtare.
Reuters, shkruan se tani, mund të arrihet një marrëveshje midis vendeve të BE në shtator, por vetëm për Maqedoninë e Veriut, e cila gjithashtu është e vendosur të anëtarësohet edhe në NATO. “Maqedonia e Veriut ka një shans të mirë (për bisedimet e anëtarësimit në BE), duke pasur parasysh zgjidhjen historike të çështjes së emrit të saj”, tha një zyrtar i lartë i BE duke iu referuar një mosmarrëveshjeje të vjetër me Greqinë, që bllokoi rrugën e saj drejt BE dhe aleancës së NATO-s .
“Por Shqipëria është ende një çështje e madhe për disa qeveri. Nuk është aspak premtuese”, tha zyrtari. “Perceptuar si një nga vendet më të korruptuara të Europës, sipas Transparency International, Shqipëria – e cila tashmë është anëtare e NATO-s, ka bërë përparim të kufizuar në luftën kundër pastrimit të parave, thonë zyrtarët e BE dhe SHBA, pavarësisht shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar”, shkruan ndër të tjera Reuters.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një vizitë
zyrtare dy ditore në Pragë, ku u prit nga Kryetari i Parlamentit të Republikës Çeke,
Radek Vondráček.
Praga ishte stacioni i fundit i veprimtarisë lobuese të Kryetarit të
Kuvendit për të siguruar mbështetje për hapjen e negociatave. Në këtë vizitë Ruçi shoqërohej nga zëvendëskryetari i Komisonit të Jashtëm dhe anëtar i
Komisionit parlamentar të integrimit europian, deputeti Ralf Gjoni, si edhe
ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Çekisë, Ilirian Kuka.
Takimin e parë delegacioni parlamentar shqiptar e zhvilloi me
Kryeministrin e Republikës së Çekisë, Andrej Babiš. Kryetari i Kuvendit vlerësoi
marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis të dy vendeve dhe nënvizoi se “Këto marrëdhënie duhet të pasohen nga
intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe nxitja e investimeve çeke në
Shqipëri.”
Gjithashtu Ruçi, pasi falenderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të
pakushtëzuar të Çekisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, theksoi se “Ne jemi këtu
për të kërkuar nga Kryeministri
Babiš dhe qeveria e Republikës Çeke, si edhe katër vendet e Grupit të
Vishegradit, të lobohen pranë vendeve skeptike të BE-së për sqarimin e
arritjeve të reformave integruese në Shqipëri dhe hapjen e negociatave në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian.”
Kryeministri Andrej Babiš nënvizoi se “Ne i njohim arritjet e padiskutueshme të Shqipërisë dhe, përveç mbështetjes sonë dhe të Grupit të Vishegradit, do të bëjmë të gjitha përpjekjet që edhe vendet e tjera të BE-së të njohin e vlerësojnë këto arritje dhe të votojnë për hapjen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian.”
Ndërsa mbi situatën politike në Shqipëri, Kryeministri Babiš u shpreh se “Protestat paqësore janë një element i demokracisë, por qeverisja e vendit fitohet vetëm nëpërmjet konkurrencës në zgjedhje.”
Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Radek Vondráček,
Kryetari i Kuvendit, Ruçi, nënvizoi se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi
midis të dy vendeve është lehtësuar edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera
parlamentare.
Vondráček u shpreh se ky bashkëpunim do të vazhdojë e të thellohet, ndërsa
foli edhe për situatën politike në Shqipëri duke thënë se “Opozita
konstruktive bëhet në parlament dhe jo jashtë parlamentit.”
Kryetarja e Komisionit për Politikën e
Jashtme, Mimi Kodheli, gjatë qëndrimit në Bratislavë u takua me homologen
sllovake Csefalvayova, ku kjo e fundit i ka konfirmuar dhe një herë Shqipërisë
se Sllovakia është pro zgjerimit të BE. Një konfirmim i tillë për mbështetjen e
Shqipërisë u bë edhe nga Ministri i Jashtë i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, gjatë
takimit që pati me homologun shqiptar, Gent Cakaj.
Kodheli falënderoi Sllovakinë për mbështetjen
e dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe njëkohësisht vlerësoi
orientimin pro zgjerim. “Mirënjohje për mbështetjen e Sllovakisë në
procesin e integrimit të vendit tonë në BE, gjatë Presidencës së BE-së dhe më
pas edhe si mbajtës i Presidencës së Vishigradit. Shqipëria luan një rol
dinamik dhe stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kodheli.
Në vijim ajo prezantoi reformat e ndërmarra nga qeveria duke u ndalur
veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit, procesin e vetingut si dhe forcimin e
shtetit të së drejtës. Kryetarja Kodheli shprehu interesin për forcimin e mëtejshëm
të marrëdhënieve mes dy vendeve në terma konkretë, duke paraqitur klimën e
favorshme për investitorët. Duke u ndaluar tek turizmi si një pikë e fortë e
Shqipërisë, Kodheli tha se ftesa vlen për gjithë qytetarët sllovakë, të cilët
duan të vizitojnë bregdetin shqiptar apo të provojnë kuzhinën shqiptare duke
shprehur bindjen se nuk do të mbeten të zhgënjyer.
Në kuadër të bashkëpunimit, Kodheli tha se
diplomacia parlamentare është shumë e rëndësishme, por fatkeqësisht shkëmbimet
mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar të Sllovakisë janë ende të
zbehta. Në këtë drejtim, Kodheli ftoi homologen sllovake për një vizitë në
Tiranë.
Nga ana e saj, Csefalvayova falënderoi Kodhelin
për pasqyrimin e plotë të situatës në Shqipëri. “Shqipëria, Ballkani
Perëndimor i përkasin gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht Evropës.
Pikërisht për gabimet e bëra nga BE sot për përballemi me rrezikun që këto
vende të mos integrohen. Kjo nuk është absolutisht e drejtë dhe unë personalisht
jam një avokate e zgjerimit të BE-së”, tha Kryetarja e KPJ-së në Këshillin
Kombëtar të Sllovakisë.
Ajo vlerësoi reformat e realizuara në Shqipëri
dhe ndau të njëjtin mendim me kryetaren Kodheli sa i përket domosdoshmërisë së
rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve. Duke pranuar me kënaqësi ftesën për të
qenë në Shqipëri në një vizitë miqësore dhe zyrtare, Csefalvayova tha se do ta
realizojë në momentin e parë që axhenda do t’ia lejojë.
Në takim morën pjesë edhe deputeti Xhemal
Qefalia dhe ambasadorja e Shqipërisë në Sllovaki, znj. Enkeleda Mërkuri.
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi
gjatë seancës së sotme plenare se progres-raporti pasqyron qartë të gjitha
arritjet. Bushati deklaroi se dje ndjeu keqardhje nga reagimet e opozitës.
“Ka vende që edhe pse janë bërë para
Shqipërisë ia lejojnë vetes të ulen në dy karrige. Nuk është rastësi që raporti
identifikon mbështetjen e fuqishme të firmosjes së marrëveshjes së Prespës.
Raporti ofron një pasqyrë të qartë të të gjitha arritjeve. Unë kam 10 vite në
këtë sallë dhe më erdhi keq me reagimet e opozitës në lidhje me këtë sukses të
Shqipërisë. Ishin pasqyrë e dëshpërimit. Kam qenë ministër i jashtëm dhe në
2016 kemi bërë një debat. Po ashtu vjet kemi bërë debat nëse rekomandimi do
shtronte rrugën për hapjen e negociatave. Qeveria në këtë proces ka thjesht
barrën kryesore dhe duhet të bëjë detyrat. Merita është vetëm e shqiptarëve.
Mbi 90% e shqiptarëve nuk kanë asnjë dyshim për sa i përket kursit të
Shqipërisë”, u shpreh Bushati.
Kryeministri Edi
Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Luigi Soreca kanë dalë në një
konferencë të përbashkët për shtyp, ku kanë komentuar vendimin e Komisionit
Europian për rekomandimin e hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Rama u
shpreh se ky raport nuk ishte suprizë, ndërsa shtoi se kjo tregon se qeveria i
ka bërë detyrat.
“Rekomandimi pozitiv pa kushte i Komisionit Europian për çeljen zyrtare të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian, konfirmon se Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë në këtë proces. Kjo nuk është një surprizë, por afirmimin i faktit që i kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë me përpikmëri dhe pse i kemi bërë të gjitha. KE ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për Shqipërinë”.
“Vitin e shkuar Shqipëria mori një rekomandim pa kushte dhe KE vendosi që në qershorin e 2019, që po troket, të zyrtarizojë çeljen e negocitatave dhe në dhjetor të nisë procesi me konferencën ndërqeveritare, çka është e rëndësishme për ne, për të gjithë është se përsëri Komisioni konfirmoi progres dhe bazuar në fakte në shifra ka rirekomanduar çeljen e negociatave dhe ndryshe nga sa ka ndodhur në të shkuarën Shqipëria ka filluar procesin screning që për vendet e tjera ka nisur pas çeljes së negociatave”.
Më tej,
Kryeministri Edi Rama u shpreh se hapi i dytë, pas rekomandimit, është miratimi
nga Këshilli i Europës. Megjithatë, Rama në këtë pikë u ndalë, duke u shprehur
se ky është një vendim politik, ndaj, që Shqipëria të marrë dritën jeshile në
qershor, Kryeministri i kërkon bashkëpunim opozitës.
“Përkthyese mos përkthejë asgjë në gjuhë të huaj për mua për opozitën. Këtë e kam apel për Bashën dhe atë pjesë të opozitës që është rrugëve, deri në momentin e vendimmarrjes është mirë të mendojnë për Shqipërinë jo për partinë, të mendojmë për gjeneratën tjetër, jo zgjedhjet, që të mos furnizojmë ata që janë të lëkundur apo në kërkim të arsyeve për të thënë jo, me pamje të gënjeshtra që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana protestash partiake dhe jo popullore”.
Më tej, i pyetur nga gazetarët, nëse do të pranonte një ndërhyrje të Presidentit Ilir Meta për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, Kryeministria Rama tha se: “Por PS-ja shumica nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, të prerë dhe të qartë në 30 qershor nuk është çështja kush do të fitojë por duhet të fitojë Shqipëria institucionale që nuk mund ti nënshtrohet axhendave partiake të kujtdo qoftë. Në raport me Presidentin kam qenë dhe mbetem i bindjes se i duhet Çezarit ajo që i takon, e vlerësoj gatishmërinë e Presidentit dhe jam i bindur që nuk e keqkupton reagimin në raport me këtë pyetje se nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar. E sigurt është që në 1 Qershor PS do të fillojë fushatën në një betejë që nuk është thjesht kush do të zgjidhet por si do të jetë Shqipëria e së nesërmes” tha Rama.