Conte: Qeveria dialog për krizën, opozita të mos verë kushte

Kryeministri italian Giuseppe Conte, gjatë vizitës së tij në Tiranë, foli për krizën politike, ku tha se i takon mazhorancës të paraqes një platformë për opozitën, ndërsa opozita duhet të heq dorë nga kushtet dhe të ulet për dialog. Conte tha se zgjidhja e krizës do të jetën edhe një sinjal pozitiv për BE duke treguar pjekuri politike.

Aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike ka rendësi për BE duke dhënë një sinjal për pjekurinë politike dhe institucionale. Shumica dhe opozita kanë të dyja interes që të zgjidhin këtë krizë vetë. Shumica t’i propozojë opozitës një platformë për një dialog më konstruktiv. Unë do ta theksoj edhe në takimet e tjera dhe që të zhvillohet pa parakushte.” tha Conte gjatë një konference të përbashkët për shtyp të kryeministrit Rama .

Në lidhje me negociatat, Conte shprehu edhe një herë mbështetjen e plotë të tij pa kushte për hapjen e tyre për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Conte vlerësoi arritjet e bëra nga qeveria shqiptare në drejtim të reformave të rëndësishme duke i cilësuar të mjaftueshme për hapjen e negociatave, por theksoi se vendi ka ende shumë punë para për të bërë. Conte theksoi se shtyrja sërish e negociatave do të çonte në një zbehje të interesit për integrimin si nga institucionet ashtu dhe nga qytetarët.

Italia e mbështet çeljen e negociatave. Ditën e premte do të mbështes këtë pozicion dhe do ta përqafoj me bindje dhe forcë. Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur fillimin formal të negociatave. Është e domosdoshme që të merren disa masa konkrete për nisjen e këtij rrugëtimi, më pas duhet një sërë reformash që duhet të nisen dhe përfundohen. Shqipëria dhe Maqedonia kanë arritur të drejtën për negociatat, ne do të luftojmë për këtë gjë. Ka shumë vështirësi për t’i përfshirë të gjitha vendet e BE në këtë, por nuk do të heqim dorë. Çelja e negociatave janë instrumentet më të mira për të garantuar zhvillimin si nga aspekti politik, ekonomik dhe sigurisë. Populli është shprehur pro anëtarësimi dhe ndaj kjo përbën edhe një shtysë më tej që institucionet të ecin më tej dhe të mos zhgënjehen. Nëse do të ketë shtyje do të ketë edhe një zbehje.” tha kryeministri italian Conte

Negociatat? Votoni në sondazhin e Realstory.al

Kur na ndajnë dhe pak ditë nga vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për negociatat, Realstory.al, fton qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë të votojnë në sondazhin e hapur në faqen tonë, nëse BE do t`i hap negociatat Shqipërisë.

Vendet anatëre të Bashkimit Europian do të marrin vendimin, nëse do t`i thonë “Po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE. Shumica e vendeve anëtare kanë deklaruar votën “pro”, ndërsa tre vendet skeptike, Franca, Hollanda dhe Danimarka, ende janë të lëkundura për votën e tyre.

A do t'i hapen negociatat Shqipërisë në tetor?

Megjithatë, në një shkrim të Reuters të disa ditëve më parë, ku citohej një diplomat francez që deklaronte se “Franca ishte kundër negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, po në të njëjtin shkrim, citohej një diplomat i një vendi që ishte “pro” negociatave, se nëse tre vendet skeptike do dalin kundër, do të ishte zhgënjim për vendet e tjera të BE-së.  

“Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen”, citon Reuters, diplomatin e vendit që është gati t`i thotë “po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjermania merr situatën në dorë. Angela Merkel po punon për të bindur skeptikët e BE, që shprehen kundër negociatave, të paktën për këtë vit. Të dielën Merkel takon Macron, dhe gjasat janë që pas këtij takimi, Presidenti i Francës të ndryshojë qëndrim për negociatat. Nëse kapërcehet kjo pengesë, me gjasa as Hollanda dhe Danimarka nuk do të dalin nga rreshti, pavarësisht rezervave dhe kundërshtive që kanë./Realstory.al/

PPE, thirrje BE: Shqipëria meriton negociatat

Partitë Popullore Europiane dolën me një deklaratë të përbashkët për mediat, ku u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të pranojnë hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deklarata, e mbajtur nga Presidenti i PPE-së, Joseph Daul, thekson se “Politika e Zgjerimit e BE-së, ka qenë mjet për ruajtjen e stabilitetit në kontinent”. “Politika e Zgjerimit të BE-së ka qenë një nga mjetet më të suksesshme për të sjellë stabilitetin dhe paqen në kontinentin tonë. Vendimet që do të merren më pas nga vendet anëtare nuk do të ndikojnë vetëm në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të kontinentit tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të fortë dhe për t’i qëndruar besnik angazhimeve tona në rajon”, thuhet në deklaratë.

Më tej, sipas Joseph Daul, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përparim në përputhjen me kërkesat për hapjen e këtij procesi, ndaj hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim në përputhje me kërkesat për hapjen e këtij procesi. Ndërsa mbetet shumë për të bërë, hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. Qytetarët, dhe veçanërisht rinia, e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë meritojnë një perspektivë evropiane pasi mbetet një burim motivimi dhe vendosmëri që ato vende dhe rajoni më gjerë të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të zbatuar më tej sundimin e ligjit, forcimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimit të pavarësisë së mediave”, shkruan PPE.

Duke e cilësuar vendimin e javës tjetër si historik për të ardhmen e kontinentit, PPE shprehet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët më të afërt, historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. “Vendimi i javës tjetër është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë e gjatë por është një rrugë që duhet të ndërtojmë së bashku, dhe nuk duhet të humbasim vrullin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë më të afërt; historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. BE nuk do të jetë e plotë derisa rajoni të jetë pjesë e bashkimit tonë”, shkruan PPE.

Shqipëria “flirton” me Holandën: Tetë ministret femra, letër për negociatat

Të martën në mbrëmje parlamenti holandez diskuton dhe voton nëse Shqiperisë t’i japë apo jo OK per hapjen e negociatave. Dhe në prag te seances së vështirë, qeveria shqiptare ka luajtur me kartën e bute. Tetë ministre të kabinetit qeveritar i janë drejtuar me një letër Qeverisë, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në Holandë, në prag të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave. Në letrën e siguruar ekskluzivisht nga Realstory.al, tetë ministret e kabinetit tonë qeveritar, shprehin krenarinë që Shqipëria është një nga 5 vendet me kabinetet më të balancuara gjinore në botë. “Tetë nga 15 ministri në Qeverinë shqiptare mbahen nga gra. Si nëna dhe vajza, si gra që luftojmë për familjet tona dhe për vendin tonë, ne dëshirojmë të ngremë me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, një çështje që ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët, perspektiva evropiane e vendit tonë”, thuhet në letër. Më tej, tetë ministret, shprehin admirimin për Holandën, si një vend me rekord të guximit politik dhe tolerancës sociale.

“Ne në Shqipëri e admirojmë Hollandën. Ajo që keni arritur shërben si frymëzim për të gjitha vendet e vogla. Ju jeni një vend me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik dhe tolerancës sociale. Ju ishit vendi i parë në botë që legalizoi abortin, hoqët dënimin me vdekje, lejuat të drejtat e grave dhe u bët vendi i parë në botë që legalizuat martesën e të njëjtit seks në 2001. Ju jeni gjithmonë në radhët e kryes, në të gjitha indekset ndërkombëtare për lirinë e shtypit, lirinë ekonomike, zhvillimin njerëzor dhe cilësinë e jetës”. Thuhet ndër të tjera në letër.

Më tej, ministret e kabinetit të Qeverisë sonë, tregojnë përparimet e Shqipërisë në 30 vite demokraci, duke evidentuar rolin e femrës në shoqëri dhe hapësirën e saj në poste drejtuese dhe funksione publike. “U futëm në rrugën e demokracisë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata dhe të errëta. Por, përkundër kësaj, gjatë këtyre tre dekadave kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe qytetarëve. Në ditët e sotme, gratë përbëjnë të paktën 50% në këshillat bashkiake dhe 60% e posteve të larta në sektorin publik mbahen nga ato. Në të vërtetë, ato janë duke drejtuar institucionet kryesore që janë duke luftuar për konsolidimin e sundimit të ligjit në Shqipëri: Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda”, thuhet ndër të tjera.

Më tej, në letër evidentohet bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Holandës, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar. “Bashkëpunimi midis agjencive tona të zbatimit të ligjit ka qenë i suksesshëm dhe ka dhënë rezultate të prekshme. Por natyrisht, kjo është para së gjithash është lufta jonë”, thuhet në letër, duke vijuar më pas me disa të dhëna statistikore për goditjen e grupeve kriminale. Duke evidentuar  punën për Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, tetë ministre të kabinetit qeveritar kërkojnë nga Holanda që të bashkohet me vendet e tjera të BE-së për t`i thënë “Po” Shqipërisë, si një mënyrë për të nxitur dhe më tej luftën kundër atyre, që tetë ministret i quajnë, “forca të errëta”.

“Dështimi i përpjekjeve tona për të filluar bisedimet e pranimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ju keni fuqinë ta parandaloni këtë. Drita jeshile për bisedimet e pranimit do të jetë sinjali më i fortë për mijëra njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Ne e kuptojmë qasjen e kujdesshme të Hollandës drejt zgjerimit. Ne nuk kërkojmë që ju të ndryshoni pikëpamjet tuaja, pasi nuk po kërkojmë kartën e hyrjes në BE. Ne thjesht po kërkojmë që të bashkoheni me vendet e tjera të Evropës, duke i shtrirë dorën Shqipërisë, dhe të na lejoni të çojmë përpjekjet tona në një tjetër nivel”, thuhet ndër të tjera në letrën e firmosur nga tetë ministre të kabinetit Rama. /Realstory.al/

Negociatat, Cakaj: Kroacia, mbështetëse e fuqishme

Ministri në Detyrë  për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me homologun  e tij kroat, Gordan Grlic Radman. Sipas Ministrit Cakaj, Kroacia dha “mesazh të fuqishëm” për hapjen e negociatave. “Kroacia sot ka dhënë një mesazh të fuqishëm në përkrahje të aspiratës evropiane të Shqipërisë jo vetëm duke e mbështetur hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor, por edhe duke e vendosur procesin e negocimit të Shqipërisë në qendër të Konferencës Ballkanike në kuadër të Presidencës Kroate të Këshillit të BE-së 2020”, shkruan Cakaj.

Ministri shprehet se diskutimi u përqëndruar te bashkëpunimi dypalësh me theks të veçantë shtimin e bashkëpunimit ekonomik. “Thelbi i takimit u përqëndrua te bashkëpunimi dypalësh me theks të veçantë në shtimin e përpjekjeve për të nxitur ndërlidhjen ekonomike, mobilitetin kulturor e rinor dhe zhvillimin e brezit Adriatik në përgjithësi. Në këtë kuadër, riafirmuam angazhimin e përbashkët për vazhdimin e projekteve të rajonit nëpërmjet Korridorit Blu dhe Linjës së Gazit Joniano-Adriatik”, shprehet Cakaj.

Më tej, Cakaj tregon se është rënë dakord, për fillimin e takimeve tripalëshe, Shqipëri-Kosovë-Kroaci, që do të sjellin përfitime të drejtpërdrejta. “Në shërbim të thellimit të bashkëpunimit rajonal, u dakordësuam parimisht për fillimin e takimeve trilaterale mes Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Kroacisë. Një bashkëpunim i tillë, krahas përfitimeve të drejtëpërdrejta, do të jetë edhe në shërbim të frymës euroatlantike të rajonit”, shprehet Ministri.

Hahn: Reformat u kryen, jepni “PO” për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Për komisionerin Hahn, reformat e kërkuara nga BE janë kryer dhe kjo duhet të çojë në hapjen e negociatave. Ndërsa ditët afrohen për vendimin, komisioneri i Zgjerimit në detyrë Johanes Hahn bën apel për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij të dy vendet i kanë përmbushur kushtet e tyre dhe thekson se ka ardhur koha që shtete e BE të flasin me një qëndrim pozitiv, ashtu si dhe drejtuesit e lartë të unionit.

 “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i janë përgjigjur reformave të kërkuara, tani është koha që edhe shtetet anëtare të përgjigjen. Faleminderit drejtuesve të BE -së për qëndrimin e fortë për hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet në Tetor” shkruan Hahn në Tëitter.

Më 18 tetor pritet të merret një vendim përfundimtar në lidhje me hapjen apo jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa përfaqësuesit e lartë të BE kanë dërguar një letër vendeve anëtare, ku kërkojnë dhënien e dritës jeshile për dy vendet.

Reuters: Macron mund të vendosë fatin e Shqipërisë

Fati i Shqipërisë në BE është në dorë të Macron. Kështu deklaron agjencia e lajmeve Reuters, e cila citon një eurodeputet duke thënë se është Franca ajo që mund të ndërrojë mendjen e skeptikëve si Holanda apo Danimarka për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Reuters thekson se nëse ministrat e BE-së nuk arrijnë një marrëveshje më 15 tetor, kancelarja gjermane, Angela Merkel, mund të kërkojë ndihmë nga Macron, për të arritur kompromisin dhe të gjithë të japin dritën jeshile.

“Duke lënë pjesën për Maqedoninë e Veriut të pandryshuar (hapje negociatash), (drafti i deklaratës së ministrave të BE) nuk jep datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, por propozon një listë me shumë reforma që Tirana duhet të realizojë përpara se ky takim të realizohet”, shkruan Reuters, duke iu referuar draftit të deklaratës që pritet të miratohet nga ministrat e BE-së në takimin e 15 tetorit.

Disa në Bruksel presin që Franca të kërkojë edhe më shumë kushte nëse Parisi jep “PO”.

Hapja e negociatave u kërkuar edhe nga përfaqësuesit e lartë të BE, të cilët i kërkuan një letër vendeve anëtare duke kërkuar dritën jeshil për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Rama i ashpër me BE: Është në krizë, nuk është gati të bëjë “krushqi” me ne

Kryeministri Edi Rama foli ashpër në Kuvend, në debatin për miratimin e Rezolutës për “Hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”. Rama u është përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës në Kuvend, por dhe asaj jashtë parlamentit, në lidhje me kushtet e vëna nga Gjermania. Kryeministri u shpreh se kushtet Gjermane janë për politikë të brendshme, dhe jo për hapjen e negociatave.

“Kushtet Gjermania i ka vënë në funksion të politikës së vetë të brendshme. Ka vota pro ka dhe vota kundër, me gjithë kushtet. Të jeni të qartë, Gjermania ka thënë Pro për një arsye. Kancelaria ka vënë veton se nuk ka ndarje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Grupi parlamentar u rreshtua “pro” Shqipërisë. 9 kushtet nuk janë 9, por janë 999. Sepse ne, në procesin e integrimit, duhet të ndërtojmë Shqipërinë Europiane. Ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë, siç u thanë, do të bëhen. Sa kohë ka që u fol, çfarë është Vettingu; pushim nga puna. Jo, është pastrim i sistemit”, tha Rama.

Më tej, Rama shpjegoi se në situatën në të cilën ndodhet Bashkimi Europian aktualisht, asnjë vend anëtar i tij, nëse do të ishte kandidat, nuk do të merrte dritën jeshile për hapjen e negociatave.  “Sot cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin të futej në BE nuk do të futej dot në BE. Sot cilido nga vendet që është në BE aktualisht, nuk do futej në BE dhe madje vende që ishin në BE përpara rënies së komunizmit, nuk do futeshin dot në BE”.

Duke vijuar me kritikat ndaj Bashkimit Europian, Rama u shpreh se Unioni është në krizë, pasi brenda tij diskutohet jo zgjerimi, por dalja e vendeve anëtare nga BE. “Sot që flasim, Sepse BE është në një debat të brendshëm i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin në BE por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera. Dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur pa ngrënë arra në dorë, dhe atyre që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhen fare, as me argumentet e përdorura këtu për politike të brendshme, dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor. Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto 3 kushte, pasi t’i i plotëson të thonë se kanë kushte të tjera, kjo do të thotë se nuk janë gati ata. Mos u bëni qesharakë ”, tha Rama. /Realstory.al/

Gjermania mesazh opozitës: Mos bllokoni reformat. Nuk vendosëm kushte të tjera

Ministri Gjerman i Evropës, Michael Roth, shprehet prerë; Shqipëria ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim. Këtë qëndrim, Roth e mbajti në një intervistë dhënë për Deutsche Welle. Ai tregoi se “shpreson që në 15 tetor në Bruksel të ketë sukses për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”. “Tani kjo ndodhi dhe shpresoj që më 15 tetor në Bruksel do të kemi sukses së bashku në dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë”, shprehet Roth. Ndërsa shton se dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme.

“Ne kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Evropian. Të dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam më optimist se para gjashtë muajsh, sepse në fund të fundit duhet të dërgojmë sinjale pozitive inkurajuese në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet ia vlejnë”, shprehet ai.

Franca ende nuk është shprehur nëse do të thotë  “PO” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Michael Roth tregon se “Bashkimi Evropian duhet të jetë i besueshëm”, duke dhënë një mesazh indirekt për vendet skeptike. “Bashkimi Evropian duhet të jetë i besueshëm dhe t’u qëndrojë angazhimeve të tij. Dhe, nëse kushtet janë përmbushur, atëherë duhet të bëjmë edhe ne një hap përpara. Shpresojmë se do ta bëjmë këtë tani, por është e qartë për të gjithë se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Ne nuk jemi në prag të anëtarësimit, por në fillim të negociatave të anëtarësimit”, shprehet Roth.

Michael Roth i jep përgjigje dhe opozitës në Shqipëri, nëse pikat e vendosura nga Bundestagu Gjerman janë kushte apo jo. Ai shprehet se Parlamenti në Gjermani nuk formulon kushte, këtë tagër e ka Komisioni i BE-së. “Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me  numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu  ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita”, shprehet Roth.

Më tej, ai i kërkon opozitës që të jetë konstruktive, duke hequr bllokadat për Reformën Zgjedhore. “Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada. Mua më ka konfirmuar qeveria shqiptare se do ta konsultojë draftin e saj me OSBE/ODIHR-in. Në këndvështrimin tim , kështu  do të sigurohet plotësimi i kushtit që kërkon që ligji zgjedhor të marrë parasysh edhe kërkesat e OSBE-së. Pastaj pjesa tjetër është në dorë të deputetëve. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv”.

“Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë. Por nuk janë kushte të reja, ato tani do të përmbushen shumë shpejt, kështu që për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë. Përkundrazi. Çdo gjë do të shkojë mirë”, shprehet Roth. Kujtojmë se të mërkurën opozita publikoi një paketë me 5 kushte drejtuar qeverisë për të marrë pjesë në hartimin e Reformës Zgjedhore.

Finlanda, “ok” Shqipërisë për negociatat

Finlanda mbështet hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe është e angazhuar për të lobuar tek vendet e tjera anëtare të japin po të njëjtën vendim pozitiv më 18 tetor. Lajmi i mirë është konfirmuar nga ministri i jashtëm Gent Cakaj, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij finlandez, Pekka Haavisto. Ministri finlandez tha se vendimi për hapjen e negociatave do të merret në unanimitet, duke vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria. Në lidhje me problemet e brendshme të BE, Haavisto tha se nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit me këto vende, me të cilat ndahen të njëjta vlera të përbashkëta.

Ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, por ai duhet të merret në unanimitet me të gjitha vendet. Ne jemi në bisedime me të gjitha vendet dhe me Tiranën për progresin e bërë. Vendet nuk i bëjnë këto ndryshime për shkak të BE, por për zhvillimin e tyre. Të gjitha këto hapa janë pjesë e demokracisë dhe transparencës demokratike. Problemet e tyre të brendshme nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit”, theksoi Haavisto.  

Ministri Cakaj tha se është një sinjal i mirë që Finlanda po ndihmon në lobimin pro Shqipërisë në vendet anëtare të BE, ndërsa shtoi se dhe angazhimi politik dhe diplomatik i qeverisë është fokusuar për të siguruar mbështetjen e vendeve anëtare për çeljen e negociatave në tetor.

Finlanda është mbështetëse për një vendim pozitiv për Shqipërinë në tetor dhe po angazhohet drejtpërdrejtë në punën për të bindur vendet anëtare të bëjnë të njëjtën gjë. Për më shumë, krahas mbështetjes politike, Finlanda ka dhënë një mbështetje të konsiderueshme teknike në shërbim të përmbushjes së detyrimeve të Kapitullit 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare) të legjislacionit evropian.” – tha Cakaj

Finlanda është shteti që mban kryesinë e radhës të Këshillit të Bashkimit Europian, dhe sigurisht që një punë lobuese e tij pro Shqipërisë do të ishte një ndihmë e madhe në lidhje me marrjen e dritës jeshile edhe nga vendet e tjera anëtare. Më 26 shtator Bundestagu miratoi me 395 vota rezolutën pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, një vendim që pritet të ketë ndikim edhe tek vendet skeptike të BE. Franca, Holanda dhe Greqia, të cilat janë treguar më skeptiket në lidhje me hapjen e negociatave për Shqipërinë, ende nuk kanë shprehur një vendim.

Skip to toolbar