Kur na ndajnë dhe pak ditë nga vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për negociatat, Realstory.al, fton qytetarët shqiptarë që të vazhdojnë të votojnë në sondazhin e hapur në faqen tonë, nëse BE do t`i hap negociatat Shqipërisë.
Vendet anatëre të Bashkimit Europian do të marrin vendimin, nëse do t`i thonë “Po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE. Shumica e vendeve anëtare kanë deklaruar votën “pro”, ndërsa tre vendet skeptike, Franca, Hollanda dhe Danimarka, ende janë të lëkundura për votën e tyre.
Megjithatë, në një shkrim të Reuters të disa ditëve më parë, ku citohej një diplomat francez që deklaronte se “Franca ishte kundër negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, po në të njëjtin shkrim, citohej një diplomat i një vendi që ishte “pro” negociatave, se nëse tre vendet skeptike do dalin kundër, do të ishte zhgënjim për vendet e tjera të BE-së.
“Kjo është shumë zhgënjyese për shumicën e vendeve anëtare. Besueshmëria jonë është në diskutim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë. Po, mbetet shumë më tepër për të bërë, por hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të pranohen”, citon Reuters, diplomatin e vendit që është gati t`i thotë “po” Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjermania merr situatën në dorë. Angela Merkel po punon për të bindur skeptikët e BE, që shprehen kundër negociatave, të paktën për këtë vit. Të dielën Merkel takon Macron, dhe gjasat janë që pas këtij takimi, Presidenti i Francës të ndryshojë qëndrim për negociatat. Nëse kapërcehet kjo pengesë, me gjasa as Hollanda dhe Danimarka nuk do të dalin nga rreshti, pavarësisht rezervave dhe kundërshtive që kanë./Realstory.al/