Sondazhi i Real Story: A do t`i hapen negociatat Shqipërisë në tetor?

Në 18 tetor, Shqipëria pret përgjigjen e një “provimi” të rëndësishëm, hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Nëse do të ketë një vendim pozitiv ose jo për Shqipërinë në këtë datë, Realstory.al, kërkon mendimin e qytetarëve, duke votuar në sondazhin e hapur në faqen tonë me pyetjen; A do t`i hapen negociatat Shqipërisë në tetor?. Të gjithë qytetarët, brenda dhe jashtë vendit, mund të votojnë në sondazhin tonë, duke shprehur mendimin e tyre lidhur me vendimin që do të marrin vendet e Unionit për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

A do t'i hapen negociatat Shqipërisë në tetor?

Pas qershorit, kur Komisioni i Europës rekomandoi hapjen pa kushte të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE, Këshilli i Europës vendosi që vendimin ta shtynte për në tetor. Momenti i të vërtetës po afron, ndërsa në vend ka optimizëm, të paktën nga mazhoranca dhe Kryeministri Edi Rama, që së fundi ka marrë konfirmimin e Gjermanisë për çeljen e negociatave.

Ndërkohë, disa vende anëtare të BE, kanë konfirmuara paraprakisht votën “Pro” për Shqipërinë, duke shtuar optimizmin. Së fundi, para Gjermanisë, ishin vendet e Grupit të Vishegradit, të cilat pas një takimi me kryeministriat e vendeve të Ballkanit, në një deklaratë të përbashkët kërkuan nga BE që të çel negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto katër vende, e cilësuan këtë veprim si “investim strategjik të BE-së” në Ballkan.

Grupi i V4: Negociatat me Shqipërinë, investim strategjik i BE

Kryeministrat e vendeve të Grupit të Vishegradit, pasi takuan partnerët nga Ballkani Perëndimor në Pragë, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët. Ata kanë përsëritur mbështetjen e tyre të paanshme për pranimin në BE të Ballkanit Perëndimor dhe besimin e tyre të vendosur se ribashkimi i Evropës nuk mund të jetë i plotë pa hyrjen e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, në deklaratë theksohet se “politika e zgjerimit të BE-së siguron një mjet të paçmuar për arritjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor; për rrjedhojë, një politikë e besueshme e zgjerimit përfaqëson një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e BE-së gjithashtu”.

Më tej, në deklaratën e përbashkët të vendeve të Grupit të Vishegradit, i bëhet thirrjeve vendeve anëtare të BE-së dhe Këshillit të Europës, që gjatë muajit tetor të marrin në konsideratë momentin e mirë pozitiv të krijuar si rezultat i avancimit të reformave (për Shqipërinë) dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës (për Maqedoninë  e Veriut), për të hapur negociatat e pranimit në BE të këtyre dy vendeve.

Duke e cilësuar hapjen e negociatave si një nxitje më të madhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në thellimin e reformave, vendet e V4 shprehen se hapja e negociatave, do të garantojë që “BE të vazhdojë të jetë lojtari kryesor në promovimin e transformimit pozitiv rajonal”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e vendeve të Grupit të Vishegradit. Në takimin e zhvilluar të enjten më 12 shtator ishte pjesëmarrës dhe Kryeministri Edi Rama, që gjithashtu ka konfirmuar qëndrimin pozitiv të vendeve të V4 për të mbështetur Shqipërinë në hapjen e negociatave me BE.

Meta pesimist për negociatat. Rama i përgjigjet nga Çekia

“11 tetori është një datë e parëndësishme, por po i jep rëndësi mazhoranca për të larguar vëmendjen nga 18 tetori”, u shpreh Ilir Meta të mërkurën pasdite në konferencë për shtyp. Kreu i shtetit shfaqi pesimizëm se vendi ynë nuk do të marrë dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian, pasi sipas Metës “qeveria duhet të kishte shfrytëzuar pushimet e verës për të punuar për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave”. Në fakt, kushtet janë përmbushur, këtë e tha Komisioni i Europës në progres-raportin e muajit qershor, ku rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Jo vetëm kaq, por përmbushjen e kushteve e konfirmoi gjithashtu Këshilli i Europës, që u shpreh se vendet kandidate, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet, por vendimi u shty për t`u marrë në tetor pasi Europa sapo kishte përfunduar zgjedhjet parlamentare, dhe vendet anëtare kërkuan më shumë kohë për t`u njohur me progres-raportin. Kryeministri Edi Rama, kritikave të shumta të Ilir Metës për qeverinë, të artikuluara të mërkurën gjatë konferencës për shtyp, nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt.

Megjithatë, nga Çekia, ai ka dërguar një mesazh në adresë të kreut të shtetit, duke konfirmuar se disa nga vendet anëtare të BE, jo vetëm do të mbështesin çeljen e negociatave, por njëkohësisht do të punohet për një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik. “Në Pragë me vendet e V4 (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia) dhe vendet e Ballkanit Perëndimor – Jo vetëm mbështetje totale nga V4 për çeljen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, po edhe një plan veprimi për të realizuar këtë objektiv strategjik”, ka shkruar Rama.

Deputetja gjermane e SPD: Të hapen negociatat, Shqipëria ka kaluar pengesat

Deputetja socialdemokrate gjermane e Bundestagut, Nezahat Baradari në një deklaratë për Deutsche Wellen e vlerëson si hap të rëndësishëm hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Të dyja vendet kanë bërë përpjekje të mëdha për reforma dhe me këtë i kanë përmbushur kushtet për fillimin e negociatave. Për vazhdimin e kësaj dinamike të reformave negociatat e anëtarësimit do të ishin një motor vendimtar.”

Sipas deputetes socialdemokrate Nezahat Baradari, Bundestagu duhet tani të hapë përfundimisht rrugën për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. “Me kushtet paraprake të formulurara për Shqipërinë dhe fokusimin në kapitujt e shtetit ligjor në negociatat e pranimit, do duhet të jenë mënjanuar të gjitha pengesat që i zinin rrugën miratimit.”

Partia Socialdemokrate Gjermane e mbështeti edhe në qershor hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kurse unioni CDU/CSU pritet që këtë javën të merret intensivisht me Shqipërinë, në kërkim të një qëndrimi për çeljen e negociatave./DW/

Basha ‘lobon’ për negociatat me BE (pas takimit me zyrtarin e DASH)

Zyra e shtypit në Partinë Demokratike ka shpërndarë një lajm të hënën, ku njofton se Lulzim Basha po ‘lobon për hapjen e negociatave të antarësimit të Shqipërisë me BE’. Sipas njoftimit të PD, mësohet se kreu i kësaj partie është duke marrë pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, që po zhvillon punimet në Bruksel. Gjatë takimit me drejtues dhe përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, sipas PD-së, Basha u ka kërkuar mbështetjen e vendeve të tyre për hapjen e negociatave të Shqipërisë, si garanci për të ndërtuar një shtet demokratik.

“Lideri i opozitës ka kërkuar mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.  Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikishtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PD.

Më tej, citohet dhe fjala e Bashës, ku mësohet se sipas kreut të PD, hapja e negociatave do të sjellë mbikëqyrjen e BE për ndarjen e politikës nga krimi. “Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, thuhet në njoftim.

Në fund, Basha, sipas njoftimit të PD, mësohet të jetë shprehur se vendi po kalon një krizë të thellë politike, ndërsa zgjidhja sipas tij, janë zgjedhjet e mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore. “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike. Zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikqyrura nga një qeveri tranzitore”, mësohet të ketë thënë Basha.

Ky është qëndrimi i parë pozitiv, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, mbajtur nga Basha në muajt e fundit. Më konkretisht, ky qëndrim vjen fill pas takimit që Basha pati me zyrtarin e lartë të Deprtamentit Amerikan të Shtetit David Kostelancik, që zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri pak ditë më parë, me fokus të veçantë ‘influencën ruse’.

Soreca me Hahn: Reformat sjellin integrimin

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me Komisionerin Johanes Hahn. Sipas një mesazhi në Twitter të ambasadorit të BE, mësohet se qëllimi i takimit ka qenë hapja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE. Soreca shkruan se ka informuar Komisionerin Hahn në funksion të vendimit që Këshilli i Europës do të marrë në muajin tetor për negociatat me vendin tonë.

“Jam i kënaqur që informova Komisionerin Johanes Hahn  mbi zhvillimet më të fundit të situatës politike në Shqipëri. Në funksion të tetorit, për vendimin e Këshillit të Europës për hapjen e negociatave të pranimit, është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë të përqëndrohet në procesin e Reformave”, shkruan Soreca.

Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në në 18 tetor, kohë kur është parashikuar të mblidhet Këshilli i Europës për të marrë një vendim. Më herët, ishte Komisioni i Europës që rekomandoi hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, duke u shprehur se ‘të gjitha kushtet janë plotësuar’. Ndërkohë, procesi i thellimit të reformave, është një nga kushtet kryesore për integrimi, ku reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj, shihen nga vendet e unionit si thelbësore  për të afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Tërhiqet Basha?! Pranon negociata me Ramën me ndërmjetësim gjerman

Kreu i PD, Lulzim Basha duket se ka bërë një tërheqje të fortë, duke nënkuptuar se do të pranonte negociata me Ramën, nëse Gjermania do të ishte negociatore, një derë e hapur për kryeopozitarin pas ftohjes së marrëdhënieve të tij me SHBA për shkak të protestave të dhunshme para zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas një sërë takimesh me ndërkombëtarët, i pyetur nëse gjermanët do të luajnë rolin e negociatorit, apo do të jetë një faktor tjetër ndërkombëtar për t’u ulur në tryezë me Kryeministrin Rama, kreu i PD ka deklaruar se Partia Demokratike është në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe vlerëson rolin e Gjermanisë.

PD dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorin ndërkombëtar. Ne vlerësojmë shumë rolin e tyre, vëmendjen e tyre, në këtë rast, pa dyshim vlerësojmë rolin dhe interesin dhe ndihmën që Gjermania dhe CDU/CSU, si pjesë e Bundestagut gjerman po japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet mbrapa, të mos mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në BE, të ecë drejt hapjes së negociatave. Padyshim që vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt BE, duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si një shoqëri europiane, si një politikë europiane”, deklaroi ndër të tjera Basha.

Prishja e marrëdhënieve me SHBA pas protestave të dhunshme duket se kanë bërë që Basha të shikojë për të tjerë partnerë strategjikë të PD-së, Gjermaninë. Basha tha se PD ka bashkëpunim me Gjermaninë dhe faktorin ndërkombëtar, por çmon interesimin e Gjermanisë për të ndihmuar vendin të dalë nga kjo krizë duke lënë të kuptohej se mund të jetë edhe negociatore e tryezës Rama-Basha. Kthimi i syve nga Gjermania si shpresa për të nxjerrë vendin nga kriza dhe rifutur edhe njëherë në jetën politike PD-në, konfirmon se Basha nuk ka mbështetjen e SHBA dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit.  Realstory.al  paralajmëroi më herët se lobimi që PD bëri pranë Kongresit Amerikan kundër emërimit të ambasadores Kavalec, si dhe qëndrimi ambig ndaj Reformës në Drejtësi dhe përplasjet e forta gjatë muajve të krizës, kur Basha injoroi hapur kërkesat e DASH, duket e kanë futur kreun e PD në ‘luftë të ftohtë’ me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Mitsotakis ‘veto’ Shqipërisë, Ngjela: Është i paaftë, ne kemi SHBA-BE me vete

Nga Spartak Ngjela

Kryeministri grek, për çeljen e negociatave të Shqipërisë, na paska dalë sot me një kusht për minoritetin grek në Shqipëri.

Cili është ky minoritet?

l.

Kryeministrat grekë, me ndonjë përjashtim, “minoritet grek” quajnë aneksimin e Jugut të Shqipërisë. Dhe, e dini pse? Se ata nuk mund të pranojnë që të ketë ortodoksë që të flasin shqip. Domethënë, shqiptarë. Sepse iu del zbuluar pushtimi i territoreve të gjera shqiptare, dhe gjithë politika e ndyrë që kanë bërë në 150 vjet kundrejt arvanitasve në Greqi dhe genocidit antishqiptar e antiçam në Epir.

Këta mesjetarë, pasi pushtojnë territoret shqiptare, me genocid, dëbojnë nga tokat e tyre shqiptarët myslimanë, si turq. Ky ka qenë turpi i tyre historik. Dhe këtë gjithmone ia ka pranuar edhe Stambolli; kurse pastaj, shqiptarët ortodoksë nuk i lënë të flasin shqip, dhe i detyrojnë të deklarohen “helenë”. Ja, kjo është metoda e tyre çnjerëzore kundër shqiptarëve në këta 150 vjetët e fundit.

Janë po këta, që, me anë të kishës greke, gjuhën shqipe e kanë quajtur “gjuhë të mallkuar”. Dhe, e dini pse? se gjuha shqipe është gjuha e parësore e gadishullit tonë, domethënë edhe e vetë Greqisë. Në shkollat greke nuk thellohen në atë që i thonë “greqishte e vjetër”, se ajo gjuhë mund të shpjegohet vetëm me gjuhën shqipe, sidomos me gegnishten.

E kuptoni tani se sa vuajnë këta kur shohin forcimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës?

ll.

Por ky, në fakt është kryeministri më i paaftë grek. Do ta shihni.

Kryeministër! Asnjë kusht nuk vini dot ju shqiptarëve. Edhe Uashingtoni, edhe Berlini, edhe Brukseli, që të dyja gjeopolitikat e mëdha të botës perëndimore, e kanë përcaktuar Shqipërinë dhe Kosovën në zonën e vet.

Pse, kryeministri grek, që nuk di se ku ka kokën, do ta mundë këtë politikë të madhe! Le më pastaj injorantët liderë të Shqipërisë që shkojnë deri te Erdogani për të njëjtën gjë. Qesharakë janë këta ballkanas që nuk dinë asgjë dhe iu duket se dinë gjithçka.

Gjithsesi, lodhen kot së koti dhe fare kot.

lll.

Po ku ka forcë politika e kryeministrit grek që të mundë gjeopolitikën e madhe USA-BE!

Pse nuk e ka atë forcë?

E para, se grekë nuk ka as në Athinë e jo më në Shqipëri. Athina ka qenë e gjitha me shqiptarë të quajtur arbëreshë, si shqiptarët e Italisë së Jugut. Por çmendurisë greke po i vjen fundi.

E dyta: Greqia i ka Gjermanisë 350 miliardë Euro borxh. E di kryeministri grek që Shqipëria është aleate e ngushtë me politikën e Berlinit? Dhe, a e di ky që vota e Greqisë tanimë kondicionohet nga Berlini?

E pra, pse flet kështu kryeministri grek?

Sepse ka frikë nga potenca që po akumulon dhe do të akumulojë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Sidomos kjo do të shihet qartë pas përfundimit të reformës që ka nisur kundër liderëve të korruptuar të Shqipërisë, të gjithë të shitur te fqinjët dhe te armiqtë shekullorë të shqiptarëve dhe kundër botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Por, një gjë është e sigurt: kjo kohë e re po punon për shqiptarët. Prandaj, edhe kryeministri grek është mirë ta rregullojë gjuhën brenda kontekstit historik.

Theu bojkotin shqiptar, Meta lutet për negociatat në Bosnje

Ilir Meta vendosi të thyente bojkotin e shqiptarëve ndaj Samitit të SEECP në Sarajevë, për shkak të ftesës denigruese që ju bë Kosovës për pjesëmarrjen në këtë samit. Kreu i shtetit shqiptar, vendosi të dilte kundër Hashim Thaçit dhe Gent Cakajt, duke shkuar në Bosnje, aty ku mesaduket, më shumë se sa për samitin, ka pasur qëllim takime me ndërkombëtarët (në kushtet që në Shqipëri e kanë anashkaluar totalisht. Lexo lajmin e Realstory.al për takimin e Metës me Erdogan). Megjithatë, Ilir Meta kërkon të justifikiojë vizitën e tij në Sarajevë, duke shkruar disa rradhë shkurt për këtë samit. Në postimin në rrjetet sociale, Meta shprehet se ka besim se Këshilli i Be-së do të vendosë për hapjen e negociatave me Shqipërinë në tetor.

“Përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues për në Bashkimin Europian është thelbësor. Mbetemi të përkushtuar dhe me shpresë se Këshilli i BE-së do të vendosë në tetor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut fqinje. I jemi mirënjohës vizionit të Kancelares Angela Merkel, që u përsërit edhe në Samitin e fundit të Poznanit, se dhënia e mundësisë vendeve të Ballkanit për t’i bashkëngjitur BE-së është në interesin strategjik të bllokut komunitar evropian”, shkruan Meta, duke përmendur edhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, për vizionin që ka pasur për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Be.

Shefi i ri i diplomacisë evropiane mbështet Shqipërinë për negociatat

Shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dhënë sinjale pozitive se do të jetë në krah të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Të paktën kështu kuptohet nga një lajm i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku thuhet se Ministri Gent Cakaj ka zhvilluar një takim me ministrin spanjoll, i cili i ka shprehur mbështetjen për integrimin e Shqipërisë.

“Gjatë qëndrimit në Tatra të Sllovakisë, Cakaj zhvilloi gjithashtu takim me Ministrin e Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit të Spanjës Josep Borrell, i cili vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e Shqipërisë përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Borrell siguroi për mbështetjen e Spanjës lidhur me hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, duke shprehur qëndrimin spanjoll se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian. Cakaj konfirmoi gjatë takimit se Shqipëria ka përmbushur kushtet teknike për të filluar këto negociata dhe është e bindur se hapja e negociatave me BE-në është mëse e merituar”, thuhet në njoftimin e MEPJ.

Ky qëndrim i Josep Borrell, është bërë gjatë Takimit Informal të Minstrave të Jashtëm të OSBE-së në Sllovaki, ku sipas Ministrisë tonë të Evropës dhe Punëve të Jashtme, edhe Austria, spanja dhe Suedia janë pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. “Nga ana e tij Cakaj u shpreh se marrja e vendimit pozitiv do t’i japë një impuls të ri angazhimit të Shqipërisë për të vijuar më tej me reformat. Ministri në Detyrë Cakaj tha se reforma në drejtësi në Shqipëri është e paprecedentë dhe se Shqipëria është e vendosur të vazhdojë reformat”, shkruhet dër të tjera në njoftimin e ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Skip to toolbar