Nëna e Kostandin Kacifas, ekstremistit nga Bularati që u vra një vit më parë, Vasilia Kaçifa është vënë nën hetim nga Prokuroria e Gjirokastrës, pas referimit të dosjes nga Njësia Antiterrorizëm në Policinë e Fierit. Nëna e Kacifas, akuzohet për thirrje ekstremiste që nxisin urrejtje ose grindje midis kombësive dhe fesë, mësoi Realstory.al.
“Nga Njësia Rajonale Antiterrorizëm Fier u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasen V.K., 67 vjeçe, banuese në fshatin Bularat, pasi në varrezat e fshatit Bularat, gjatë cermonisë përkujtimore të 1 vjetorit të vdekjes së djalit, K. K., ka bërë thirrje që nxisin urrejtje ose grindje midis kombësive dhe fesë”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit, raporton Realstory.al.
Po çfarë ndodhi me Vasilia Kaçifas?
Pak ditë më parë, gjatë ceremonisë përkujtimore të Kostandin Kacifas, nëna e tij bëri deklarata të forta me tone nacionaliste kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke folur në gjuhën greke, Vasilia Kaçifas bëri thirrje për luftë, duke kërkuar që të rinjtë të “rrëmbenin armët dhe shpatat” për të mbrojtur “Vorio-epirin”.
“Djali im, trimi im, jemi grek, autoktonë, në këtë tokë jemi grek autoktonë, jemi ortodoksë, asnjëri nuk mund të prekë krishterimin tonë dhe kombin tonë. Jemi grekë. Tradhtarët. Përse i ndaluan njerëzit të vijnë në Kakavijë? Se janë tradhtarë. Çojuni trima, rrëmbeni tokën, jemi grekë autoktonë. Vorio-epiri është tokë greke, nuk na ndalon asgjë. Ju të gjithë të rinjtë, çohuni rrëmbeni shpatat dhe armët, mos kini frikë asgjë, se këta po na frikësojnë, këtu ka diktaturë nuk ka shtet, rrëmbeni bombat, rrëmbeni pushkët. Rroftë bashkimi. Jam krenare për ty biri im”, tha ajo.
Neni 265 i Kodit Penal parashikon se “Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla, e kryer me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet”./Realstory.al/