Basha premton ‘luftë’ ndaj oligarkëve (kur të vijë në pushtet)

Lulzim Basha beson se lufta kundër informalitetit e nisur nga qeveria, bëhet për të grabitur paratë e  tyre dhe për të financuar, sipas Bashës, “lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”. Kryedemokrati shprehet se kryeministri Edi Rama është ‘përfitues ndaj informalitetit’, duke e akuzuar atë se “po vjedh gjithë buxhetin e shtetit”. Me një reagim në rrjetet sociale, kreu i opozitës, ka sulmuar qeverinë dhe aksionin ‘anti-informalitet’ ndaj biznesit në vend.

“Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar grykësine dhe lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij milionerë. Si hajdut psiqik që është, vodhi të gjithë buxhetin e shtetit me kontrata dhe koncesione kriminale, por nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare”, shprehet Basha.

Ndonëse aksioni kundër informalitetit në ekonomi ka pasur rezultate konkrete deri më tani, ku ndëshkimet nuk kanë qenë selektive ndaj biznesit, siç shpesh ka ndodhur në qeverisjet e shkuara, për kryedemokratin Basha, qeveria favorizon ‘oligarkët’ e vetë. “Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa dhe tarifa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”, shprehet Basha.

Duke akuzuar qeverinë për PPP-të, Basha shprehet se kur Partia Demokratike të vij në pushtet, këto marrëveshje do të anulohen. Ndërkohë, premton se biznesit do t`i anullohen të gjitha politikat fiskale, duke ndëshkuar abuzuesit. “Do të anullojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha do të marrim masa për të ndëshkuar mafian që fshihet pas oligarkisë. Me parimin “ndiq paranë” do të bëjmë të mundur që biznesi i ndershëm të punojë dhe të ndëshkohen abuzuesit”, përfundon Basha

Pas shkrimit të Realstory, Basha kujton 30 qershorin, harron oligarkët

Të premten pasdite, Realstory.al publikoi një shkrim, ku cilësohej se kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prej disa ditësh, në komunikimet e tij publike, kishte lënë në heshtje deklaratat për zgjedhjet e 30 qershorit. Basha, në turin e takimeve me simpatizantët e PD në qytete të ndryshme të vendit, sipas deklaratave të shpërndara nga zyra e shtypit në Selinë Blu, ishte fokusuar te komentet për situatën ekonomike në vend, duke bërë fushatë kundër oligarkëve. Disa orë më pas publikimit të këtij shkrimi në Realstory.al, Partia Demokratike nisi një tjetër deklaratë të Lulzim Bashës, e cila flet për një takim që ka zhvilluar në Rrogozhinë. Kjo deklaratë, duket si një kundërpërgjigje e shkrimit të Realstory.al, pasi nga fillimi i saj deri në fund, citohet Lulzim Basha që flet vetëm për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat i quan “farës antikushtetuese”.

 “30 Qershori ishte një farsë antikushtetuese që u zhvillua në dhunim flagrant të dekretit të Presidentit, kur me Kushtetutë, i vetmi që cakton datën e zgjedhjeve është Presidenti. Po me Kushtetutë, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi dekretet e Presidentit, është Gjykata Kushtetuese e cila nuk ekziston, sepse e shkatërroi me zell dhe me mburrje Edi Rama për t’i marrë ai pushtetet e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Basha. Më tej, Basha, duke folur për 30 qershorin, shprehet se PD-së iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe komisione e qendra votimi.

 “30 qershori është i paligjshëm dhe kriminal që në themel, sepse modeli shqiptar i kontrollit të zgjedhjeve, balanca politike, u shkatërrua, opozitës iu ndalua të merrte pjesë në KZAZ dhe Komisione e qendra votimi. I paligjshëm dhe kriminal sepse në gjysmën e rasteve u kthyem në votimet e diktaturës me një kandidat. Aty ku nuk kishte një  kandidat, kandidati tjetër ishte i paligjshëm, siç ishte e paligjshme paterica që krijoi Edi Rama një ditë para ditës së zgjedhjeve, me mercenarë të shitur të Edi Ramës”, është shprehur Basha

Dhe në fund, të deklaratës me 3 paragraf, përsëri flitet vetëm për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa si për ironi, nuk citohet asnjë fjalë për ekonominë dhe oligarkët.  “Pavlefshmëria e 30 qershorit ka marrë vulën që nuk e ka asnjë proces politik në 30 vite pluralizëm. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e 30 qershorit, refuzuan regjimin dhe u bënë pjesë e shumicës “Rama ik”. 30 qershori është nul. Uzurpimi i dhunshëm i pushtetit vendor është kriminal. Shumë shpejt do ta shporrim këtë pakicë kriminale nga Rrogozhina nga Kavaja, Durrësi, Elbasani dhe nga gjithë Shqipëria” është shprehur Lulzim Basha, pikërisht nga bashkia që ishte e drejtuar na opozita, por që pushteti u dorëzua në mënyrë paqësore.

Betimi i Veliajt, Rama: Me paratë e ‘oligarkëve’ kemi strehuar rreth 2 mijë familje

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konstituivin e Këshillit Bashkiak në Tiranë dhe ceremoninë e betimit për mandatin e dytë të Erion Veliajt. Rama mbajti një fjalim të gjatë dhe të mbushur me mesazhe, jo vetëm për opozitën, por edhe për anëtarët e rinj të këshillit bashkiak. “Uroj të gjeni në çdo hap arsye dhe vullnet për të rritur angazhimin në komunitet. Këshilli i shkuar ka qenë rëndom peng i politikë dhe është bllokuar me urdhra nga jashtë kësaj salle, por kjo nuk e ka penguar vendimmarrjen. Por kujdes njësoj e dëmshme do të ishte njësoj sikur numrat e sotme të sillnin mungesën e debatit dhe të prodhonin vendime në mungesë transparente. Askush nuk duhet ta harrojë se në 30 qershor banorët e Tiranës, votuan për të drejtën jo thjesht për të majtës. Duke marrë këtë në mendje, duhet të udhëheq çdo ditë punën tonë”, u shpreh Rama. Mesazhi për opozitën ka qenë lidhur me akuzat “se qeveria po u jep gjithçka oligarkëve”.

Rama u shpreh, se në kohën që bashkia drejtohej nga Lulzim Basha, në arkën e kryeqytetit u derdhën 11 milionë euro nga ‘oligarkët’ për 680 mijë metra katrorë leje ndërtimi të dhënë nga Basha. Ndërkohë, në katër vite që bashkia drejtohet nga Velia, arkës së bashkisë i janë derdhur 52 milionë euro, për 550 mijë metra katrorë leje ndërtimi të firmosura nga kryebashkiaku Veliaj.  “Më lejoni të filloj nga oligarkët, rëndom ndërtimaria është tabela e qitjes së tyre. sipas avazit të vjetër, çdo leje ndërtimi është aferë. Sa i paguanin oligarkët arkës së kryeqytetit deri dje? 4%, po sot? 8%. Pra e kemi dyfishuar. Në vitin 2014 Lulzim Basha firmosi leje për 680 mijë metër katrot leje ndërtimi, bashkia arkëtoi 11 milion euro. Veliaj firmosi 550 mijë metër katror leje ndërtimi, duke arkëtuar mbi 50 milion euro”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, ky taksim dyfish ndaj ‘oligarkëve’ ka pasur pasoja të rëndësishme dhe pozitive për qytetarët. Sipas tij, duke taksuar më shumë të pasurit, janë dhënë 1 mijë kredi të buta për strehim, dhe 830 bonuese qiraje. “Duke i taksuar më shumë të pasurit janë dhënë 1 mijë kredi të buta për strehim. 830 bonuese qiraje krahasuar me 89, pra 10 herë më shumë sesa në 4-vjeçarin e tyre. 120 banesa për romët -0 në 4-vjeçarin e Bashës. Sa për Kullat ja t’i numërojmë. Janë kulla të ngritura me baltë shpifje, saqë meraku mos shpifjet kthehen në kulla nuk është e aspak e pavend. Kulla si bukë, PPP si djathë. Unë numëroj vetëm 2 kulla, Plazën dhe Kulla në ndërtim, 2 kulla e stadiumit dhe ajo te banka e Shqipërisë, 4 kulla dhe 4 miliardë llafe për kullëzimin apokaliptik të Tiranës. 880 mijë m2 në vetëm 85 leje, ndërsa Veliaj, 130 m2 më pak për 100 leje ndërtimi më shumë”, tha Rama.

Skip to toolbar