Basha premton ‘luftë’ ndaj oligarkëve (kur të vijë në pushtet)

AKTUALITET


Lulzim Basha beson se lufta kundër informalitetit e nisur nga qeveria, bëhet për të grabitur paratë e  tyre dhe për të financuar, sipas Bashës, “lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”. Kryedemokrati shprehet se kryeministri Edi Rama është ‘përfitues ndaj informalitetit’, duke e akuzuar atë se “po vjedh gjithë buxhetin e shtetit”. Me një reagim në rrjetet sociale, kreu i opozitës, ka sulmuar qeverinë dhe aksionin ‘anti-informalitet’ ndaj biznesit në vend.

“Dhuna e gjobave dhe sekuestrimeve ndaj sipërmarrjeve të vogla që sigurojnë mbijetesën e shumicës së familjeve shqiptare, bëhet për të grabitur paratë e tyre për të financuar grykësine dhe lluksin e Edi Ramës dhe klientëve të tij milionerë. Si hajdut psiqik që është, vodhi të gjithë buxhetin e shtetit me kontrata dhe koncesione kriminale, por nuk do ndalet deri sa të vjedhë edhe pikën e fundit të mundit dhe gjakut të shqiptarëve. Edi Rama është kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare”, shprehet Basha.


Ndonëse aksioni kundër informalitetit në ekonomi ka pasur rezultate konkrete deri më tani, ku ndëshkimet nuk kanë qenë selektive ndaj biznesit, siç shpesh ka ndodhur në qeverisjet e shkuara, për kryedemokratin Basha, qeveria favorizon ‘oligarkët’ e vetë. “Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa dhe tarifa sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”, shprehet Basha.

Duke akuzuar qeverinë për PPP-të, Basha shprehet se kur Partia Demokratike të vij në pushtet, këto marrëveshje do të anulohen. Ndërkohë, premton se biznesit do t`i anullohen të gjitha politikat fiskale, duke ndëshkuar abuzuesit. “Do të anullojmë të gjitha politikat fiskale që janë me emër biznesi, do të lehtësojmë barrën fiskale për gjithë sipërmarrjen. Mbi të gjitha do të marrim masa për të ndëshkuar mafian që fshihet pas oligarkisë. Me parimin “ndiq paranë” do të bëjmë të mundur që biznesi i ndershëm të punojë dhe të ndëshkohen abuzuesit”, përfundon Basha




Skip to toolbar