Ministrja e
Mbrojtjes Olta Xhaçka njoftoi se shumë shpejt do të nisë puna në terren për
bazën ajrore të Kuçovës, në bazë të projektit të NATO-s. Sipas ministres
Xhaçka, Forcat e Armatosura po vijojnë modernizimin vit pas viti përmes
projekteve e investimeve të rëndësishme.
Xhaçka shton
se brenda vitit do të instalohet dhe radari i ndërtuar në bashkëpunim me
kompaninë prestigjioze amerikane “Lockheed Martin” do të fuqizojë edhe më shumë
Forcën Ajrore.
“Viti pas viti, përmes projekteve e investimeve, Forca e Armatosur po modernizohet.🇦🇱 Shumë shpejt nis puna në terren për bazën ajrore të Kuçovës, sipas projektit të hartuar nga NATO. Brenda këtij viti, radari i ndërtuar në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze amerikane Lockheed Martin do të fuqizojë edhe më shumë Forcën Ajrore. Punët e mira bëhen me hapa të sigurt“ shkruan Xhaçka krahas videos.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë një konference
me ambasadorin e BE, Luigi Soreca u shpreh se jetët e humbura nga tërmeti do të
kishin qenë më shumë, nëse nuk do të kishte qenë ndihma e forcave të huaja në
operacionin e kërkim-shpëtimit.
“Do të kishim pasur me
shumë jetë të humbur pa 780 ekspertët që luftuan për shqiptarët, do të jenë në
mirënjohjen dhe zemrat e shqiptarëve. 400 është numri i objekteve të vlerësuara
deri tani. Shifrat flasin për përmasa apokaliptike të dëmtimeve. Sfidë është rimëkëmbja,
unë jam optimiste nga mesazhet, gatishmëria dhe ndihmat e vendeve të BE-së që
nuk do të jemi vetëm në këtë sfidë”, tha Xhaçka.
Më tej, Xhaçka shtoi se
dhimbja për jetët e humbura është e madhe. Megjithatë, ajo tha se mes zisë dhe
dhimbijes, solidariteti i jashtëzakonshëm të jep shpresë.
“Miku i mirë
njihet në kohë të vështira. Shqipëria nuk është vetëm. Tërmeti ishte
shkatërrues por do ia dalim që të ndërtojmë çdo banesë në Durrës dhe Thumanë.
Na lëndojnë jetët e humbura. Duhet të kalojë shumë kohë përpara se plagët të
shërohen. Bëmë gjithçka për të ndihmuar për cilindo që kishte nevojë për
ndihmë. Mes zisë edhe dhimbjes e vetmja gjë e bukur që të jep shpresë është
solidariteti i jashtëzakonshëm që vërshoi nga shqiptarët dhe partnerët. Një
ngjarje e tillë do të kishte qenë e vështirë të përballohej vetëm”, tha
ministrja.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se
situata e përmbytjeve e krijuar nga reshjet e pazakonta është drejt përmirësimit
dhe se problematikat janë prezente vetëm në disa zona. Gjatë një deklarate për
mediat në lidhje me situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura mbrëmjen e së hënës,
ministrja Xhaçka tha se falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë të institucioneve
dhe mekanizmit të ri të Mbrojtjes Civile ka pasur një reagim shumë herë më
pozitiv dhe të efektshëm se herët e kaluara.
Xhaçka tha se problematikat paraqiten
kryesisht në Bashkinë Kamëz të qarkut të Tiranës, ku në 105 banesa ka ende
prezencë uji, ndërsa dalja e lumit Ishëm nga shtrati ka çuar në përmbytjen e
tokave bujqësore në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuc. Përmbytje të banesave
ka pasur edhe në Kurbin dhe Fushë Krujë, ndërsa ministrja shtoi se Forcat e Armatosura
po punojnë me kapacitete të plota për ardhjen në ndihmë të qytetarëve dhe zgjidhjen
e zgjidhjen e problemeve të tyre.
“Në vetëm
disa orë ka pasur reshje me intensitet të pazakontë, sa për 1 muaj. Situata është
e stabilizuar, me përjashtim të disa zonave, të cilat po asistohen nga
autoritetet. Kemi pasur mundësinë të testojmë sërish mekanizmin e ri të
Mbrojtjes Civile që ka çuar në koordinimin mes institucioneve në një nivel të
ri dhe shumë më tepër efikase sesa në të shkuarën. Akset rrugore dhe sistemet
kryesore të furnizimit me energji dhe ujë janë funksionale.
Në
qarkun e Tiranës, në 105 banesa ka prezencë uji, kryesisht në Bashkinë Kamëz,
ku 400 efektivë e mjete janë në gjendje gatishmërie. Në Fushë Krujë në 10
familje në fshatin Larush dhe 8 familje në Bubq ka prani uji në banesat e tyre,
ndërsa dalja nga shtrati i lumit Ishëm, ka përmbytur toka Bujqësore në fshatrat
Bilaj, Murqine dhe Mallkuc. Në Kurbin, rritja e nivelit në kolektorin
Laç-Milot, përmbyti disa banesa” tha Xhaçka, e cila
shprehu solidaritetin me familjet në vështirësi deri në zgjidhjen e problemeve
të tyre.
Ministrja
e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një bilanc të situatës, një ditë pas tërmetit të
fuqishëm që tronditi vendin. Në një dalje për mediat, Xhaçka u shpreh se të
gjitha strukturat janë angazhuar në terren për të përballuar situatën. Sipas
ministres, dëmet e shkaktuara nga tërmeti kanë qenë më modeste se sa mund të
priteshin nga një tërmet i këtyre përmasave, duke theksuar se kryesorja ishte
fakti që lëndimet në njerëz nuk ishin serioze për jetën.
“Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve. Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate”, tha Xhaçka. Më tej, ministrja u shpreh se në terren janë angazhuar qindra forca ushtarake dhe mbi 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë zhvilluar mbi 295 misione shërbimi.
“Vetëm
në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950
raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u
është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i
mëtejshëm. Në total, në rajonin Tiranë Durrës këto ekipe janë mbështetur nga 25
autoambulanca që vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe tani që flasim.
Ekipet mjekësore gjatë 24 orëve të fundit kanë asistuar në 295 misione për t’ju
ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, në thuajse 100% të rasteve
bëhej fjalë për situata mjekësore jo të rënda dhe që s’kanë pasur nevojë për
ndjekje të mëtejshme”, tha Xhaçka.
Ndërkohë,
më shumë se 24 orë pas tërmetit, Ministrja Xhaçka ka dhënë edhe një shifër për
numrin e banesave dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Në total janë 915
banesa e pallate të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa sipas ministres, familjet e
prekura janë kontaktuar dhe vazhdojnë të kontaktohen për t`iu ardhur në ndihmë.
“Të
gjithë familjet e prekura, në secilën prej 915 banesave dhe pallateve të
dëmtuara, janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë
atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës
socialë. Dua ta theksoj që, sipas raportimeve të deritanishme, në pjesën
dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht
plasaritje të suvasë apo mureve. Gjithsesi, ato godina qe ndërkaq jane te
evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët,
të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te
banueshme apo jo”, tha ministrja.
Situata e rënduar nga zjarret në vendin tonë,
ka bërë që të dalin në terren Forcat e Armatosura. Me anë të një postimi në
rrjetet sociale, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka reguar detaje nga
operacioni që po zhvillohet në kodrën e Shëngjinit, ku prej dy ditësh ka rënë
një zjarr i përmasave të mëdha. Xhaçka shkruan se flakët janë duke u mbajtur nën
kontroll, ndërsa thekson se deri tani nuk rrezikohet asnjë banesë.
“Kontribut i përbashkët i trupave dhe mjeteve
të MZSH, pushtetit vendor, Forcave të Armatosura dhe banorëve për mbajtjen nën
kontroll të zjarrit të rënë në kurorën e gjelbër të Shëngjinit. Asnjë banesë e
rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana
e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen
e plotë të flakëve”, shkruan Xhaçka.
Për shuarjen e zjarrit në Shëngjin mësohet të jenë bashkuar rreth 200 trupa të ushtrisë, forcave zjarrfikëse dhe shërbimeve të tjera të pushtetit vendor dhe atij qendror. Ndërkohë, më herët gjatë të premtes, Bashkia e Tiranës i shkoi në ndihmë Bashkisë së Lezhës, për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit në Shëngjin.
Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit
Evropian, Ursula von der Leyen vlerëson rolin e Shqipërisë në aleancën më të
madhe ushtarake në botë, NATO. Gjatë ceremonisë së organizuar në Berlin, për
nder të saj, ish Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, tanimë presidente e KE, i
shprehu nominalisht ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka
vlerësimet për rolin e saj në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO, duke e
cilësuar vendin tonë si një aleat të denjë.
“Gjithmonë kam admiruar rrugëtimin tënd pasi u
bëre pjesë e tryezës së NATO. Jam e lumtur që sot Shqipëria është një anëtar i
denjë i Aleancës”, iu drejtua zonja von der Leyen, ministres Xhaçka.
Në krah të kancelares gjermane Angela Merkel,
zëvendëssekretares së Përgjithshme të NATO, Rose Gottemoeller, ministres së re
të mbrojtjes së Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe dhjetra
personaliteteve gjermane e europiane, ministrja Xhaçka mori pjesë në një prej
ceremonive më të veçanta ushtarake, me traditë 200-vjeçare, që u rezervohet
personaliteteve më të spikatura të politikës,
ku ishin të ftuar bashkëpunëtorët më të afërt të ish – ministres Ursula
von der Leyen.
Kancelarja Merkel përshëndeti përzëmërsisht
ministren Xhacka, me të cilën, bashkë me 200 të ftuar të tjerën ndoqën
ceremoninë zyrtare të largimit nga detyra të znj. Von der Leyen dhe vijimin, në
postin e ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë të Annegret Kramp-Karrenbauer.
Znj. Ursula von der Leyen është e para grua që zgjidhet presidente e Komisionit Evropian dhe pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më datë 1 nëntor 2019.
Dy ditë më parë, Ilir Meta i
drejtohej me një letër shqetësuese, Kryeministrit Edi Rama, Ministres së
Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe disa institucioneve të tjera, ku kërkonte informacion
në lidhje me masat e marra për një tërmet, që sipas Metës pritet të godasë
vendin tonë dhe do të jetë me përmasa apokaliptike. Në përgjigjen, që Xhaçka i
kthen Metës, ajo qetëson Presidentin, duke i pohuar edhe faktin që “pas
konsultimeve me specialistë të fushës, rezulton se tërmetet janë një fenomen i
paparashikueshëm”.
“Përfitoj nga rasti për t’ju
informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me
Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia
për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë
me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat
të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët
tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë
sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për
shqetësimin tuaj”, shprehej Xhaçka..
Megjithatë, shqetësimit të
Presidentit, Olta Xhaçka i është përgjigjur duke i kujtuar edhe ligjin “Për
mbrojtjen civile”, miratuar së fundi në Kuvend, dhe dërguar në zyrën e
Presidentit për dekretim. “Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të
punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana
juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të
mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj
emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja,
parandalimi e zvogëlimi i riskut. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa
humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për
t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore,
përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten
të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”, shprehet Olta Xhaçka.
Pas kësaj kërkese të Olta Xhaçkës, ka ardhur reagimi i Presidentit me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, i cili është shprehur se “ligji ‘Për mbrojtjen civile’ është dekretuar para se të përfundojë afati”. Por duket se Presidenca në këtë rast ka dalë blof, pasi ligji, të paktën publikisht nuk gjendet askund i dekretuar. Nga një verifikim në faqen e presidencës, në seksionin e ‘Dekreteve’, shihen disa ligje të dekretuara ose jo, por ai për “Mbrojtjen civile” jo. Në fakt, as në Fletoren Zyrtare nuk është i publikuar ende dekretimi i këtij ligji.
Akuzat e hedhura
nga kreu i PD-së, Luzlim Basha dhe ish deputeti i PD-së Xhemal Gjunkshi, ditën
e mërkurës, se në Dibër janë duke u blerë vota dhe se janë shpërndarë armë në
qytet duket se do t’i kushtojë të dyve. Ministra e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe
Policia e Shtetit, kanë vendosur që t’i padisin për shpifje dhe t’i nxjerrin para gjykatës.
Basha tha se Ministrja
e Mbrojtjes se është duke blerë vota në Dibër, duke shpërndarë para me makinat
e ushtrisë me targa false. Përmes një deklarate në Facebook, ministrja Xhaçka bëri
të qartë se çdo shpifje ka një çmim dhe Basha do të mbajë përgjegjësi për këtë.
“Që Lulzim Basha
nuk i mendon e as i kupton pasojat e veprimeve që bën, këtë e mësuam të gjithë,
ditën që dogji mandatet dhe e la PD rrugëve. Por, le ta mësojë që veprimet kanë
kosto, shpifjet kanë një çmim, kur të shkojë përpara gjykatës për të sqaruar
llumin që nxjerr nga goja.” – shkruan Xhaçka
Të njëjtat akuza i
hodhi edhe ish deputeti i PD-së Xhemal
Gjunkshi, ku aludonte se Policia e Dibrës ka shpërndarë armë në qytet. Në
rastin e tij, padia do të bëhet nga Policia e Shtetit, e cila i ka cilësuar fake
news dhe do të përballet me Gjunkshin në gjykatë.
“Kjo deklaratë
është krejtësisht një shpifje e ulët dhe plotësisht e fabrikuar. Policia e
Shtetit e hedh poshtë me përbuzje një deklarim të tillë, që në fakt të vetmin
reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë. Aty ai do
të duhet që përpara ligjit të sqarojë motivet e kësaj insinuate të ulët.” – shkruhet në reagimin e Policisë.
Pak ditë më parë, në një takim që presidenti
Meta zhvilloi me ambasadorët e huaj në Tiranë u tha atyre se do të nxirrte ushtrinë
në rrugë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Po sa
shanse ka që kjo të ndodhë? Për këtë ka folur ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka
e cila tregon rastet se kur mund të aktivizohet ushtria për të mbrojtur
institucionet, ndërsa shton se në asnjë skenar Meta nuk mund të urdhërojë ushtrinë
të dalë në rrugë.
“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del
në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me
Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet
kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë
institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e
gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim
Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e
rendit kushtetues. Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje
Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në
kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes
Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se
ishte shaka sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, u shpreh Olta Xhaçka në një
intervistë në A2 CNN.
Me siguri që edhe Presidenti e di këtë, pra që
kompetencat e tij si Komandant i Forcave të Armatosura kalojnë përmes Kryeministrit
dhe Ministrit të Mbrojtjes, por deklarata para ambasadorëve duket se është bërë
për t’i dhënë më shumë peshë vendosmërisë së tij për të mos lejuar mbajtjen e
zgjedhjeve në 30 qershor.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar banorët e prekur nga tërmeti në fshatin Flloq të Korçës. Banorët prej disa ditës ndodhen të strehuar nëpër çadrat e ngritura nga Forcat e Armatosura, ndërsa vetë ministrja theksoi se po punohet për t’i mbështetur të prekurit nga tërmeti me ushqime, veshje, ilaçe dhe strehim.
“Ministria e Mbrojtjes do të japë ndihmë edhe në rimëkëmbjen e shtëpive dhe do të dëmshpërblehet çdo banor i prekur nga tërmetet. Në sensibilizim të ngjarjes, aksionit të Ministrisë së Mbrojtjes i janë bashkuar edhe struktura vullnetare.” – tha Xhaçka nga çadrat e banorëve.
Aktualisht shumë banorë janë strehuar përkohësisht në qendra sociale, spitale dhe çadra, pasi banesat e tyre janë bërë të pabanueshme për shkak të tërmeteve. Prej disa ditës Korça vijon të lëkundet nga tërmetet, duke i lënë banorët në gjendje paniku. Lajmi i “mirë” në këtë tragjedi, eshte se ajo ndodhi në fushatë dhe qeveria pritet ta zgjidhe qesen shpejt…