Xhaçka i heq “spaletat” Komandant Metës: rriji larg ushtrisë

AKTUALITET


Pak ditë më parë, në një takim që presidenti Meta zhvilloi me ambasadorët e huaj në Tiranë u tha atyre se do të nxirrte ushtrinë në rrugë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Po sa shanse ka që kjo të ndodhë? Për këtë ka folur ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila tregon rastet se kur mund të aktivizohet ushtria për të mbrojtur institucionet, ndërsa shton se në asnjë skenar Meta nuk mund të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë.

“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e rendit kushtetues. Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, u shpreh Olta Xhaçka në një intervistë në A2 CNN.


Me siguri që edhe Presidenti e di këtë, pra që kompetencat e tij si Komandant i Forcave të Armatosura kalojnë përmes Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, por deklarata para ambasadorëve duket se është bërë për t’i dhënë më shumë peshë vendosmërisë së tij për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor.




Skip to toolbar