Raporti për korrupsionin, OSBE: Zbatoni reformën në drejtësi

AKTUALITET


Prezenca e OSBE në Tiranë, reagoi të enjten në lidhje me raportin e Transparency International për perceptimin publik të korrupsionit. OSBE shpreh keqardhje për rezultatet e raportit për perceptimin publik të korrupsionit në Shqipëri. Gjithashtu, Zyra e Prezencës së kësaj organizate, thotë se “prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese.

“Vërejmë me keqardhje vijimin e përkeqësimit të perceptimit publik ndaj korrupsionit në vend, siç dëshmon Indeksi më i fundit i Transparency International, rezultatet e të cilit u botuan sot. Shqipëria shënoi një pikë më pak në krahasim me vlerësimin e vitit 2018, duke humbur shtatë vende në klasifikimin global. Prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese”, thotë OSBE.


Megjithatë, OSBE i bën thirrje institucioneve shqiptare dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa kërkon më shumë transparencë për shpenzimet publike. “Në dritën e gjetjeve të Transparency International, Prezenca e OSBE-së i bën thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe atyre kundër korrupsionit, të sigurojnë integritet dhe transparencë më të madhe institucionale në shpenzimet publike, si dhe të zgjerojnë hapësirën për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në monitorim të pavarur”, thotë OSBE.

Ndërsa në fund, kjo organizatë përsëritë thirrjen që të adresohen në reformën zgjedhore rekomandimet e OSBE/ODIHR për financimin e partive në fushtat zgjedhore. ‘Meqenëse analiza mbarëbotërore e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit këtë vit thekson nevojën për adresimin e korrupsionit në zgjedhje, përsërisim thirrjen tonë për reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përfshirë ato lidhur me financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore”, thotë OSBE.

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi tw enjten Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet antikorrupsion. Perceptimi mbi korrupsionin mbetet i njëjtë në Shqipëri dhe për vitin 2019, ashtu si në vitin 2018, ku rezulton se Shqipëria nuk ka bërë hapa para dhe kjo ka bërë që ajo të zbresë në renditjen e 180 vendeve të futura në përllogaritje nga organizata Transparency International.




Skip to toolbar