Zbardhet vendimi për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve

Bashkia e Tiranës miratoi një vendim për heqjen e depozitave të ujit nga taracat e pallateve. Vendimi erdhi pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, ku në disa pallate u vu re se konstruksionet pësuan dëmtime edhe për shkak të mbipeshës në taraca nga depozitat e ujit. Vendimi i Bashkisë shpjegon procedurat që do të ndiqen për heqjen e depozitave të ujit, si dhe përgjegjësitë që kanë banorët dhe administratorët e pallateve.

Vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës parashikon marrjen e masave të menjëhershme për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, të cilët janë shpallur të pabanueshme me akt-konstatimi nga Instituti i Ndërtimit dhe banorët e tyre janë evakuuar, pasi godinat kërkojnë një rivlerësim të thelluar mbi gjendjen e tyre strukturore. Në kwto objekte, ky proces ka nisur të ndiqet menjëherë nga Bashkia e Tiranës, e cila është në terren për largimin e këtyre depozitave nga tarracat e pallateve.

Ndërkohë, sipas vendimit, në të gjitha pallatet e banimit ku nuk ka pasur dëme nga tërmeti i datës 26 nëntor, do të hiqen përkohësisht nga tarracat e përbashkëta të pallateve të banimit të gjitha depozitat e ujit, deri në momentin që asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët të jenë pajisur me raportin e hartuar nga eksperti licencuar mbi qëndrueshmërinë konstruktive të tarracës dhe objekteve në bashkëpronësi. Ky proces është përgjegjësi e banorëve dhe duhet të ndiqet nga vetë banorët e pallatit, në bashkëpunim të ngushtë me administratorin e pallatit.

“Për këto objekte banimi, asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë pajisur me raportin e inxhinierit konstruktiv të licencuar mbi qëndrueshmërinë e tarracës së pallatit. Një kopje e këtij raporti i dorëzohet dhe Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë, e cila sipas rastit njofton strukturat përkatëse. Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve në bashkëpunim dhe me strukturat përkatëse të Bashkisë Tiranë, jo më vonë se data 30 janar 2020 të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit”, thuhet në vendim.

Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve të banimit duhet të marrin masa për lokalizimin dhe vendosjen e depozitave të përbashkëtave të ujit në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara. Administratori është përgjegjës për administrimin dhe sigurinë e depozitave të përbashkëta. Vendosja e depozitave të përbashkëta të ujit, përveç garantimit të sigurisë për jetën dhe shëndetin e vetë banorëve, do të sjellë edhe një mirëadministrim të depozitave dhe furnizimit me ujë. Ku tashmë, jo çdo banor duhet të kujdeset për mirëmbajtjen e depozitës individuale, por sipas rregullave dhe ligjit të bashkëpronësisë, e gjithë tërësia e bashkëpronarëve, nëpërmjet administratorit të përzgjedhur, kujdeset për depozitën e përbashkët të ujit, ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të pallateve të reja të banimit. Bashkia e Tiranës do të mbështesë asamblenë e bashkëpronarëve dhe administratorët për lehtësimin e këtij procesi për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit, me qëllim dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të njerëzve.   

Për të verifikuar zbatimin e këtij vendimi, pas kalimit të afatit të parashikuar më sipër, Inspektorati Mbrojtjes së Territorit dhe Policia Bashkiake do të kryejnë inspektimet e nevojshme mbi plotësimin e detyrave të ngarkuara nga ky vendim dhe legjislacioni në fuqi.

Janë të pabanueshme, emergjencat në Lezhë: Jo të gjithë pallatet do shemben

Tërmeti shkaktoi pasoja të mëdha në disa zona të vendit. Një nga më të prekurit është dhe qarku i Lezhës. Përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj tha të dielën se vijon puna për inspektimin e godinave të prekura nga tërmeti. Ai u bëri thirrje qytetarëve, që sipas tij janë duke boshatisur apartamentetet duke marrë mobiljet, që të mos nxitohen. Sipas Xhafajt, jo të gjithë pallatet që janë shpallur të pabanueshëm do të shemben.

“Jemi këtu sot për të raportuar edhe njëherë ecurinë e ditës nga Qendra Operacionale e Shtabit të Emergjencave Civile në qarkun e Lezhës. Së pari, duam të tërheqim vëmendjen e të gjithë qytetarëve, të cilët janë duke lëvizur të gjithë pajisjet e tyre apo orenditë nga pallatet. Jo të gjithë pallatet të cilët janë përcaktuar si të pabanueshëm, do të shemben”, tha ai.

Këto pallate do t`i nënshtrohen një procesi të dytë rivlerësimi dhe për të vendosur më pas edhe ndërhyrjen për rikonstruksion. Ai tha se ka raste që do të ndërhyet edhe strukturalisht.

“Pra, do të ketë një proces të dytë rivlerësimi, gjatë të cilit do të vlerësohet edhe ndërhyrja e mundshme. Ka raste ku do të ndërhyhet strukturalisht, për gjithë të tjerat do të ketë një vendim specifik nga këshillat bashkiakë të të tre bashkive për të specifikuar atë që do të ndodhë. Dhe pastaj do të mundësohet edhe afrimi me këto godina i qytetarëve, të shoqëruar nga Policia dhe instancat e tjera ligjore dhe shtetërore për të mundësuar tërheqjen e orendive dhe mjeteve të tyre”.

Xhafaj shtoi se procesi i vlerësimit në terren vijon, ndërsa tha se Këshilli Bashkiak i Lezhës do të marri vendimin për dhënien e bonusit të qirave për të pastrehët.

“Sot ka vijuar vlerësimi dhe ricertifikimi i sigurisë së godinave masive në terren me 6 grupe nga Kosova. Nesër do të ketë një trajnim dhe një rishpërndarje të re të grupeve të vlerësimit nga të treja bashkitë në territor. Gjithashtu është marrë një vendim i Këshillit Bashkiak Lezhë për të vijuar me bonusin e qerave për qytetarët e Lezhës. Nesër do të ketë mbledhje të Këshillave Bashkiakë, si nga Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin ashtu dhe nga Këshilli Bashkiak i Mirditës për të marrë vendime në lidhje me këto”.

Në fund ai foli edhe për situatën e godinave publike. Etjen Xhafaj u shpreh se të dielën është evakuar një pjesë e spitalit të Laçit në drejtim të spitalit të Lezhës. Sipas tij, në këtë qytet është shtuar shërbimi ambulator ndërsa janë mbajtur hapur shërbimet e emergjencës.

“Gjithashtu, Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin do të shqyrtojë edhe njëherë situatën në lidhje me pallatet e dëmtuara. Sa u përket institucioneve publike dhe shërbimeve, sot është bërë evakuimi i një pjese të spitalit të Laçit, në bashkinë Kurbin, në drejtim të spitalit të Lezhës. Kemi reaguar menjëherë duke shtuar shërbimet ambulatore dhe gjithashtu duke mbajtur të hapur në qytetin e Laçit shërbimet e emergjencës. Është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin si me grupet e vlerësimit, ashtu edhe me ekipin tjetër të të gjithë ndihmës shtetërore dhe të Shtabit të Emergjencave Civile. Faleminderit!”, tha ndër të tjera Etjen Xhafaj.

Skip to toolbar