Partizani e Kukësi i falen portierëve. Flamurtari ndal Skënderbeun

Flamurtari mori pikën e tretë në dhjetë javë kampionat, ndërsa Skënderbeu humbi shansin për t`u larguar nga zona e ftohtë e renditjes. Ndeshja e së hënës pasdite mes skuadrës vlonjate dhe asaj korçare u mbyll në barazim 1-1. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja gjeti rrjetën në minutën e 23` me Dejvi Bregun.

Sulmuesi i Skënderbeut shënoi pas një asisti brenda zonës nga Nazmi Gripshi, teksa me të djathtën e tij gjuajti fortë drejt rrjetës dhe ndryshoi shifrat e takimit. Ndërkohë, Skënderbeu dominoi lojën gjatë pjesës së parë, duke tentuar disa herë portën, por goli i Bregut ishte i vetmi që realizuan. Në fund të pjesës së parë, ishte sulmuesi shkodran i Flamurtarit, Xhevair Sukaj ai që vendosi barazpeshën në takim.

Në pjesën e dytë, Flamurtari u mbrojt mirë duke mos lejuar hapësira në mbrojtje, ndërsa Skënderbeu nuk shfaqi grintën e duhur për të mposhtur një rival që ndodhet në vendin e fundit. Kështu, skuadrat ndanë nga një pikë mes tyre. Skënderbeu ndodhet në vendin e shtatë me 14 pikë pas barazimit të së hënës ndërkohë Flamurtari mban vendin e fundit në renditje me 3 pikë.

Supersfida e kësaj jave ishte ajo mes Partizanit dhe Kukësit që u zhvillua në “Selman Stërmasi”. Të dyja skuadrat e mbyllën pjesën e parë të lojës me rrjeta të paprekura, por duke rrezikuar  jo pak në portat respektive. Megjithatë, pjesa e parë nuk solli asnjë gol. Edhe pjesa e dytë nuk pati prekje rrjete nga topi.

Merita ishte e portierëve respektiv të të dyja ekipeve, ku në disa raste Alban Hoxha bëri mrekulli duke shmangur gola të sigurt, sikundër Xhika te Kukësi që gjithashtu ndali sulmin e Partizanit. Pas barazimit të së hënës, Partizani rimerr kryesimin e kampionatit duke udhëhequr me 18 pikë, ndërsa me 3 pikë më pak, Kukësi ndodhet në vendin e pestë të renditjes.

Partizani, Lerda ka dilema por e gëzon Trashi

Partizani rikthehet në fushën e lojës të shtunën, pasi luan në transfertën ndaj Vllaznisë. Trajneri i të kuqve, Franko Lerda beson se ndeshja e të shtunës do të jetë e bukur, pasi përballë do të ketë jo vetëm një skuadër të mirë, por edhe një stadium, që pritet të jetë i mbushur plotë me tifozë.  “Kam parë shumë mirë lojtarët mi. Skuadra ka treguar një kondicion të mirë gjatë kësaj kohe. Luajmë në një stadium shumë të bukur dhe në një fushë të mirë. Do të luajmë përballë një kundërshtari që sapo ka ardhur në Kategorinë Superiore dhe është i rreshtuar mirë taktikisht. Ndeshjet që ka bërë këtë javë kanë qenë të mira. “Loro Boriçi” do të jetë i mbushur dhe kjo na jep një motiv më shumë për të bërë një ndeshje të mirë”, tha Lerda.

Megjithatë, tifozët e Partizanit nuk do të udhëtojnë dot drejt Shkodrës. Shkak është dënimi me dy ndeshje i Komisionit të Disiplinës, pas trazirave në derbi. Ndërkohë, Franko Lerda shprehet se do të ketë ndryshime në formacion për sfidën ndaj Vllaznisë. “Mund të ketë ndryshime dhe sot mund të fiksoj formacionin. Kam dilema në mesfushë por edhe ata që do të luajnë do të shohim. Nuk kemi një numër 2 të mirëfilltë. I vetmi lojtar i atij pozicion është Idrizi por Mala e bën shumë mirë rolin e mbrojtësit kur luajmë me 4”, tha Lerda.

Shpesh herë, gjatë kryerjes së ndërrimeve në lojë, disa prej lojtrëve të Partizanit kanë shfaqur shenja tensioni dhe pakënaqësie. Franko Lerda është përgjigjur ndaj gazetarëve se skuadra është e qetë dhe punon si familje. “Mendoj se e keni parë gabim pasi kemi skuadër të qetë. Ndonjë koleg i juaji që vjen dhe sheh diçka por ne kemi marrëdhënie të mirë dhe punojmë si një familje e vërtetë dhe grup. Siç e kam thënë këto javë, e përgatis skuadrën për të hyrë në fushë për fitore. Këtë do të kërkojmë sepse në drejtimin e çdo skuadre kam zbritur në fushë për maksimumin. Se si zhvillohet ndeshja, mbetet për t’u parë por ne përgatitemi për maksimumin”, tha trajneri.

Në fund ai komplimentoi dhe Lorenc Trashin, i cili shënoi ndaj Moldavisë me kombëtaren. Italiani u shpreh se mbrojtësi duhet të vijojë me të njëjtën paraqitje edhe në takimet e tjera. “Ka ndeshje me Francën dhe nëse shënon do të jetë më e mrekullueshme. Trashi është ndër më të rëndësishmit dhe po tregon maksimumin. Sikur 1% të kisha ndikuar unë në formën që po kalon do të isha i kënaqur dhe performacën e tij e ka vlerësuar edhe Edi Reja duke e aktivizuar titullar”, përfundoi trajneri i Partizanit.

Trashi: Demi e mbajti fjalën

Lorenc Trashi foli të premten në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes që Partizani do të luajë në transfertë ndaj Vllaznisë. Mbrojtësi i të kuqve, që u aktivizua titullar dhe shënoi gol ndaj Moldavisë me ekipin kombëtar, rrëfeu eksperiencën e tij kuqezi në dy ndeshjet e fundit eleminatore. Trashi u shpreh se futbollistët e tjerë të kombëtares i kishin dhënë kurajo në momentin që trajneri Reja vendosi ta aktivizonte titullar.

“Ishte grumbullimi i tretë për mua me kombëtaren. I pari ka qenë me Panuçin, nuk kam debutuar atëherë, por mundësia m’u dha tani. Me Rejën ishte komplet ndryshe. Më ka mbështetur shumë, ashtu si dhe çunat. Në momentin që u bë formacioni për ndeshjen me Moldavinë, të gjithë më kanë dhënë kurajo dhe më kanë thënë të luaja i qetë”, tha Tashi.

Mbrojtësi i Partizanit shprehet se Superliga është kampionat i fortë dhe me lojtarë cilësorë. Ndaj sipas tij, shumë prej këtyre futbollistëve duhet të grumbullohen në kombëtare. “Aktualisht është Alban Hoxha me mua në kombëtare. Telushi është grumbulluar, po ashtu edhe Mala. Partizani ka lojtarë shumë të mirë, por çdo lojtar ka një moment të vetin. Unë e them që Kategoria Superiore ka shumë talente me cilësi dhe kush do ta meritojë, e them me bindje të plotë se do t’i vijë momenti”, shprehet Trashi.

Lorenc Trashi deklaroi pas ndeshjes me Moldavinë, se Presidenti Gaz Demi i premtoi një shpërblim të mirë. Pas kthimit në Tiranë, futbollisti shprehet se është takuar me presidentin e klubit dhe ai e mbajti fjalën. “E ka mbajtur fjalën, pasi e mban gjithmonë. Ai më ka folur shumë gjatë grumbullimit dhe sa erdha në Tiranë, e takova dhe e mbajti premtimin”, u shpreh Trashi.

Synimi i lojtarit është largimi nga Shqipëria, kërkesë për të cilën i kërkoi “nder” dhe trajnerit Edy Reja. Ai shprehet se tashmë shpreson që të gjejë një klub të interesuar. “Është folur shumë për një largim. Por kjo gjë nuk varet nga unë. Kombëtarja shërben shumë mirë për një karrierë më të mirë në Europë. Shpresoj të gjejë një klub që është i interesuar për mua dhe sigurisht të gjejë gjuhën edhe me Partizanin”, u shpreh Trashi.

Pas kombëtares vjen kampionati, dhe për futbollistin tashmë duhet përqëndrim maksimal ndaj Vllaznisë. Ai shprehet se ndaj shkodranëve nuk do të jetë e lehtë. “Partizani nuk ka ndikuar në rënien e Vllaznisë, pasi ata kanë rënë vetë. Ata kishin shumë probleme. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, duke parë që po kalon një moment të mirë. Vllaznia është një ekip legjendar në Shqipëri. Është një gëzim që unë shënova në kombëtare. Ajo ndeshje ka kaluar, nuk e harroj dot si ndeshje, por duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e rradhës”, u shpreh ndër të tjera Trashi.

Historike! Vajzat e Partizanit kualifikohen në turin e dytë të Champions League

Ngjarje historike. Ekipi i volejbollit për femra i Partizanit arriti të sigurojë kualifikimin në turin e dytë të Champions League. Pasi fituan në takimin e parë në Tiranë me rezultatin 3-1, ekipi i Partizanit në volejboll për femra, fitoi takimin e dytë ndaj skuadrës boshnjake Bimal-Jedinstvo, me rezultatin 2-3. Vajzat e kuqe fituan setin e parë të takimit me shifrat 21-25 duke dominuar.

 Në të dytin, ato pësuan një rënie në lojën e tyre, duke bërë që boshnjaket të fitojnë setin me shifrat 25-19. Seti i tretë foli përsëri për vajzat shqiptare, të cilat fituan me rezultatin 18-25. Duke fituar këtë set, vajzat e kuqe siguruan automatikisht kalimin në turin tjetër, por ato nuk u ndalën me kaq. 

Seti i katërt u fitua nga boshnjaket me shifrat 25-21, ndërkohë që seti final pa lojtaret e kuqe triumfuese, të cilat arritën të fitojnë me shifrat 13-15. Pas kualifikimit në turin tjetër, vajzat e Partizanit do të përballen në turin tjetër të Champions League ndaj ekipit hungarez të Vasas. Kampionet e Shqipërisë kanë bërë një paraqitje fantastike, duke bërë një hap historik në sportin e volejbollit në Shqipëri.

Ra nga kati i gjashtë, Aldo Teqja gati të lërë spitalin

Gjendja shëndetësore e portierit Aldo Teqja është duke u përmirësuar. Klubi i Partizanit deklaroi të enjten se futbollisti po shkon drejt përmirësimit të plotë, ndërsa pritet të lërë spitalin. “Klubi njofton se gjendja shëndetësore e portierit Aldo Teqja është drejt përmirësimit të plotë. Shumë shpejt pjestari i skuadrës pritet të lërë ambientet e spitalit të Traumës. Klubi dhe tifozët vazhdojnë ti qëndrojnë pranë Aldos përgjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tij në ambientet e spitalit”, shkruan klubi në një njoftim.

Ndërkohë, gjatë ditës së enjte portieri Aldo Teqja është vizituar nga drejtuesit e skuadrës në ambientet e spitalit. Trajneri Franko Lerda, Drejtori Sportiv Olsi Rama si dhe drejtues të tjerë ishin pranë futbollistit, me të cilin bën dhe një foto. Aldo Teqja u rrëzua disa ditë më parë nga kati i gjashtë i apartamentit ku banonte.

Fillimisht, në informacionin zyrtar, u tha se futbollisti ishte vetëhedhur pas gjendjes së rënduar psikologjike, ndërsa më pas ky version u përgënjeshtrua. Familjarët e futbollistit deklaruan se djali i tyre ra nga ballkoni i pallatit, pasi ishte duke rregulluar tendën. Pavarësisht versioneve, lajmi i mirë ishte që 24-vjeçari shpëtoi mrekullisht nga rënia prej lartësisë, vetëm me disa dëmtime, por që nuk i rrezikuan jetën.

Champions-volejboll, Partizani thyen kampionet e Bosnjes

Skuadra e Partizanit në volejboll për femra, shkroi historinë mbrëmjen e të mërkurës. Në pallatin e sportit “Feti Borova”, vajzat e kuqe, mundën 3-1 skuadrën Jedintsvo Brcje, takim i vlefshëm për turin eliminator të Champions League. Skuadra e drejtuar nga turku Nejat Sançak bëri paraqitje të shkëlqyer duke triumfuar ndaj kundërshtareve boshnjake.

Në fakt, fitorja erdhi me përmbysje, pasi skuadra e Partizanit e nisi keq duke u mundur në setin e parë me rezultatin 25-15 nga ekipi mik. Më pas, vajzat e kuqe, triumfuan në setin e dytë me rezultatin 25-22.  Në dy setet e tjera, ekipi i Partizanit arriti të fitonte me rezultatin 25-20 (në setin e tretë dhe të katërt), duke arritur një rezultat të shkëlqyer në takimin e parë.

Ndeshja e kthimit do të luhet në Bosnjë. Ekipi i Partizanit të femrave është pothuajse i ndryshuar, në krahasim me atë të disa muajve më parë që u shpall Kampione e Shqipërisë. Kujtojmë se skuadra kundërshtare e ekipit të femrave të Partizanit, është kampione e Bosnjes për sezonin e shkuar.

“I rënduar psikologjikisht”. Portieri i Partizanit u vetëhodh nga pallati

Të shtunën në mbrëmje Tirana u trondit nga një ngjarje e rëndë. Portieri 24 vjeçar i Partizanit, Aldo Teqja është vetëhedhur nga kati i gjashtë i pallatit. Ky është informacioni paraprak zyrtar që jep Policia e Shtetit. Sipas uniformave Blu, 24-vjeçari është vetëhedhur nga pallati rreth orës 19:40 të mbrëmjes në rrugën “Medar Shtylla”. Dyshohet se Aldo Teqja ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Për momentin ai ndodhet në Spital nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, me një njoftim të klubit të Partizanit, mësohet se futbollisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Klubi njofton se pjestari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë nën mbikqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jasht rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit”, shkruan Partizani.

Kujtojmë se Aldo Teqja u bashkua me klubin e Kuq këtë sezon, pasi u largua nga Skënderbeu. Futbollisti ishte pjesë e skuadrës së Skënderbeut  për disa sezone, ndërsa në sezonin e fundit ai luajti si titullar në Korçë. Kurse, këtë sezon, ai u bashkua me Partizanin për një aventurë tjetër, por nuk gjeti hapësira, pasi portier i parë është Alban Hoxha. Është e paqartë, nëse gjendja e rënduar psikologjike e futbollistit vjen për shkak të mos aktivizimit në skuadër, apo për arsye të tjera.

Skënderbeu merr kreun. Ndalet Tirana e Partizani

Tirana nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Flamurtarit, në takimin e javës së 7-të të kampionatit, që vinte fill pas derbit. Bardheblutë e nisën mirë takimin, me Hasanin që gjeti rrjetën vetëm pas katër minutash lojë. por, goli i sulmuesit bardheblu, u pasua nga një autogol i Ngoo. Sulmuesi anglez realizoi në portën e Ilion Likës në të 13` duke vendosur barazpeshën në fushën e lojës. Megjithatë, Hasasni mendoi për rikthimin e avantazhit në të 38`.

Me avantazhin 1-2, Tirana mendoi se e fioi ndeshjen, por vlonjatët surprizuan në të 90+2`, kur Ardit Hoxhaj realizoi golin e barazimit për Flamurtarit. Kjo ishte pika e dytë për këtë sezon për skuadrën vlonjate, ndërsa Tirana shkon në kuotën e 11 pikëve. Në takimin tjetër të së shtunës, Partizani dhe Teuta ndanë gjithashtu ndanë nga një pikë mes tyre. Avdyli kaloi Teutën në avantazh në të 37`, ndërsa Trashi shënoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë për Partizanin.

Skënderbeu është rikthyer te fitorja në kampionat, pasi mundi Luftëtarin 2-0. Të dy golat e fitores së korçarëve u shënuan në kohën shtesë, nga Dita dhe Muja në të (90+3` dhe 90+3`). Tre pikët e të shtunës, e ngjisin Skënderbeun në vendin e parë në renditje me 12 pikë, po aq sa Teuta që mban vendin e dytë. Ndërkohë, Partizani ndodhet në vendin e tretë me 11 pikë, po aq sa Tirana dhe Bylis, që ndajnë vendin e katërt dhe të pestë.

Partizani zbret Tiranën me këmbë në tokë

Tifozët bardheblu do të presin të paktën  9 javë të tjera kampionat, për të shpresuar një rezultat pozitiv ndaj Partizanit. Të kuqtë e nisën atje ku e lanë në maj. 1-2 fitonin sfidën e fundit ndaj Tiranës aq fituan dhe të dielën në mbrëmje ndaj rivalit të tyre historik.

Ajo që duhet të ishte ndeshja e kthesës, e vazhdimësisë, ajo që do duhet të konfirmonte pretendimet dhe stekën e Tiranës këtë sezon…ajo tregoi një tjetër Tironë… Makthi nisi një orë para sfidës, me një sherr masiv mes dy tifozerive. Një sfidë që pritej të dhuronte spektakël në tribuna (jo se nuk pati), nisi në mënyrën më të keqe të mundshme, me gjak!

Pesë vite pa fitore, pesë vite të dëshpëruara, pesë vite presion, bënë të vetën. Tirana e nis me vrull pjesën e parë, pasi etja për fitore dhe dëshira për të shënuar, tejkalonte edhe vetë pritshmëritë e tyre. Skuadra duket sikur bën mirë në minutat e para, madje duke krijuar dhe iluzionin e golit. Partizani tërhiqet në gjysmëfushën e vetë, ndërsa skuadra bardheblu shkon afër golit. Fati nuk është me Tiranën. Ai i buzëqesh përsëri Partizanit.

Goli i parë erdhi nga këmbët e Kordeiro. Braziliani shfrytëzoi njën gafë të mbrojtjes së Tiranës, dhe futet në zonë, duke mposhtur Likën. Më pas ishte Solomon, që gjeti rrjetën duke përfituar nga asisti i Malës. Sulmuesi i të kuqve realizoi një gol të bukur me kokë, duke bërë që ekipi bardheblu të dorëzohet shumë shpejtë. Pjesa e dytë është e ekuilibruar.

Tirana kërkon të gjejë baraspeshën, por njëherazi mbrohet duket rritur vigjilencën në mbrojtje. Goli vjen dhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes, kur Hasani gjen rrjetën dhe ngushton shifrat në 1-2, pas një goditje këndi. Por vetëm kaq, një gol nderi që nuk i mohon as fitoren e tre pikëve e as suksesin e radhës në derbi Partizanit…Fitorja e të dielës e ngjit Partizanin në kuotën e 10 pikëve në vendin e pestë, me po kaq pikë sa të kuqtë.

Përgjakje para derbit, dhunë në fushë

Pak minuta para se të fillojë derbi mes Tiranës dhe Partizanit, mes tifozëve të skuadrës ka plasur dhuna dhe sherri. Në vend që fusha e blertë të dhurojë spektakël, në fakt është shoqëruar me dhunë dhe flakadanë.

Tifozët e të dy skuadrave kanë nisur të zihen pasi kanë hyrë në stadium. Ato kanë kaluar gardhin e stadiumit dhe kanë nisur të përplasen mes tyre me e sende të forta dhe flakadanë.

Policia private që ishte planifikuar për mbarëvajtjen e ndeshjes, nuk ja ka dalë dot në ndalimin e tifozëve të shumtë që u sulën në fushë, kjo ka bërë që të ndërhyjë edhe policia e shtetit dhe FNSH për qetësimin e  situatës. Sherri fillimisht ka filluar në distancë me ofendime mes tifozëve të Tiranës dhe Partizanit, dhe më pas janë sulur drejt fushës dhe në sheshin mbrapa portës. Nga përplasja ka pasur të plagosur, madje disa tifozë janë parë me gjakderdhje në pjesën e kokës dhe fytyrës.

Ky është një fillim jo i mirë i ndeshjes së shumëpritur në derbin kryeqytetas. Dyert për tifozët u hapën që në orën 17:00 në mënyrë që Policia të anashkalojë radhët e gjata për të hyrë në stadium. Situata ka dalë nga kontrolli për disa minuta, por policia ka bërë të mundur qetësimin e saj.

Skip to toolbar