Meta uron Pashkët: Përmes dialogut, tejkalohet çdo sfidë

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët ortodoks për festën e Pashkëve duke e cilësuar atë si një “dritë që nuk perëndon kurrë”. Gjatë urimit Meta tha se para padrejtësive, korrupsioni dhe dhunës, shpresa dhe e mira nuk vdes kurrë.

Gjithashtu ai bëri thirrje se përmes dialogut dhe mirëkuptimit, shoqëria jonë do të ketë një të ardhme më të mirë në familjen europiane.

“Me besimin në Zot dhe duke përqafuar gjithmonë vlerat më të mira hyjnore, morale e sociale, por edhe kombëtare, me dashuri, harmoni të plotë, dialog, mirëkuptim, bashkëpunim e vëllazërim, secili prej nesh dhe shoqëria jonë në tërësi, mund të tejkalojë çdo sfidë, pavarësisht sakrificave, për të ecur e sigurt drejt së ardhmes më të mirë, në familjen europiane.” – shkruan Meta

Në vigjilje të kremtimit të Ditës së Ringjalljes së Krishtit, u uroj nga zemra besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit…

Publiée par Ilir Meta sur Samedi 27 avril 2019

Kryepeshkopi Janullatos uron Pashkët me një mesazh shprese

Në ditën e Pashkëve Ortodokse ka ardhur urimi i Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, i cili ka dhënë një mesazh për të gjithë besimtarët ortodokse. Kryepeshkopi ka edhe një mesazh për të dalë nga rrugë pa krye, politike, sociale dhe kishtare.

“Ngjallja e Krishtit na ofron shpresë të pamasë. Kjo shpresë buron nga lajmi i gëzuar se u mund vdekja, armiku i paepur i njeriut, e mundi Jezu Krisht. Ngjallja forcon shpresën për tu përballur me çdo energji vdekjeprurëse që na mundon. Forcon shpresën se do të mposhtet përfundimisht padrejtësia, smira, korrupsioni, gënjeshtra dhe arroganca, që e vrasin paqen duke e çuar Shqipërinë në dekadencë.

Gjithashtu shpresë e Pashkëve na jep fuqi dhe na siguron se me anë të ndriçimit të Krishtit do të gjendjen daljet shpëtimitare nga rrugët pa krye, politike, kishtare, sociale që na mundojnë. Krishti u ngjall vëllezër e motra, shpresa paskale do të ndriçojë jetën tonë”, shprehet Kryepeshkopi.

Moment kritik për vendin, gjeni zgjidhje! Mesazhi i Pashkëve për politikën

Në ditën e Pashkëve, në urimin për mbarë shqiptarët, Imzot George Frendo ka ndarë dhe një mesazh për politikën shqiptare. Ndërsa ka thënë që në krye të fjalës së tij se vendi ndodhet në një moment kritik, ai bëri thirrje që politikanët të gjejnë sa më parë një zgjidhje.

“Sivjet po kremtojmë pashkët në një moment shumë kritik dhe të tensionuar në vendin tonë. Unë nuk jam politikan, nuk po flas si politikan por jam bari dhe si bari shpirtëror që e do Shqipërinë dhe shqiptarët nuk mund të hesht përballë kësaj situate. U bëj apel të gjithë politikanëve, kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjedhje të drejtë dhe të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët se sa për pozitën që kanë. Situata tashmë është shumë e rëndë dhe sa më shumë të zgjasë, më të mëdha do jenë pasojat për popullin. Ne nuk duam vetëvrasjen e kombit. Krishti i ngjallur në takimet e tij me njerëz pati gjithmonë të njëjtin urim ‘Paqja me ju’, atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti iu thotë falni ashtu sikurse unë iu kam falur. Atyre që protestojnë me dhunë, me vandalizëm Jezusi i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit kur i tha ‘Të gjithë ata që rrokin shpatën nga shpata do të vdesin. Dhe atyre që kanë autoritet politik iu kujton se në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët apostujve iu tha ‘ju dhashë shembull; që sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin. Ngjallja e Krishtit na jep shpresë dhe shpresa nuk na bën optimistë, por na jep kurajë për të përballuar problemet dhe na bën të aftë për t’u angazhuar për një shoqëri më të mirë. Ju uroj nga zemra paqen e gëzimin e Krishtit! Gëzuar!”, u shpreh imzot George Frendo në gjuhën shqipe.

Skip to toolbar