U mbajtën peng nga Basha e Monika, Meta dekreton dy ligjet e Reformës në Drejtësi

Presidenti Meta, pas sulmeve ndaj reformës në drejtësi, më në fund ka vendosur të dekretojë dy projektligje të rëndësishme, pjesë e kësaj reforme, që janë mbajtur prej 30 muajsh të bllokuara nga opozita PD-LSI.  Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i cili tha se Meta ka vënë firmën në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.  Vetë presidenti kritikon vonesat e kuvendit në miratimin e këtyre dy projektligjeve por nuk thotë në asnjë moment se shkak për bllokimin e tyre ka qënë PD dhe LSI.

 “Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, u shpreh Tedi Blushi duke cituar shefin e tij, Meta.

Mirëpo, Presidenti harroi të thotë shkakun pse dy ligjet e sipërpërmendura mbetën të bllokuara për 30 muaj në sirtaret e Kuvendit. Në fakt, shkaku i vërtet ishte bllokimi që PD-LSI i bën këtyre dy ligjeve (lexo këtu lajmin e Realstory.al). Dy vjet e gjysmë  më parë, Gjykata Kushtetuese ktheu për rishqyrtim në Kuvend dy ligjet e miratuar së fundi.

Shkak ishin 22 nene, të cilat u shfuqizuam si të “papajtueshme me Kushtetutën”, dhe për këtë arsye duheshin rishkruar. Në këto kushte, mazhoranca i kërkoi opozitës aso kohe, PD dhe LSI, që të bashkëpunonin për të miratuar ndryshimet e sugjeruara nga Gjykata Kushtetuese në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, dhe ligjin tjetër “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, pasi duheshin 84 vota në Kuvend që këto dy ligjet të miratoheshin.

Por, PD dhe LSI refuzuan të ofronin bashkëpunim, duke bërë që ligjet e sipërpërmendura të mbeteshin në sirtarët e Kuvendit për dy vjet. Futja në parlament e deputetëve të rinj të opozitës, solli edhe nxjerrjen nga sirtarët e Kuvendit të këtyre dy ligjeve, të cilët u miratuan në seancën e 18 korrikut me 106 vota pro, duke plotësuar kuadrin ligjor të gjithë Reformës në Drejtësi. Në fakt, refuzimi i bashkëpunimit nga PD dhe LSI për miratimin e këtyre dy ligjeve, ishte prova që opozita bllokoi Reformën në Drejtësi, gjë të cilën në fakt Ilir Meta nuk e tha në konferencën për shtyp të zëdhënësit të tij.

Në përfundim, Blushi bëri dhe një rezyme të ligjeve që ka dekretuar presidenti Meta dhe ato që ka kthyer mbrapsht në Kuvend, sikur të kishte lexuar shkrimin e botuar të mërkurën në realstory. (lexo këtu). /Realstory.al/

Dy ligjet e Reformës, prova që PD-LSI, bllokoi “drejtësinë”


Në mbledhjen e fundit të Kuvendit për muajin korrik, para se deputetët të marrin pushimet, janë miratuar dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi. Kështu, me 106 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, është miratuar  projektligji “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe projektligji “Për statusin e gjyqytarëve dhe prokurorëve”.

Të dy këto ligje, u rikthyen përshyrtim përsëri në Kuvend nga Gjykata Kushtetuese dy vjet më parë, pasi 22 nene të tyre nuk ishin në përputhje me Kushtetutën. Këto nene u shfuqizuan nga Gjykata Kushtetuese, ndërkohë, dy vjet më parë, pas rikthimit të ligjeve për shqyrtim, mazhoranca kërkoi nga opozita e asaj kohe, PD dhe LSI, që të bënin ndryshimet e nevojshme dhe më pas me konsensus, ashtu si në miratimin në tërësi të Reformës në Drejtësi, të miratoheshin dhe këto dy ligje.

Por, opozita refuzoi të ofronte konsensus, dhe në këto kushte mazhoranca në mungesë të 84 votave në parlament, u detyrua të linte në sirtar dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, që rregullojnë funksionimin e organeve të sistemit të drejtësisë, dhe statusin e gjykatësve dhe prokurorëve. Megjithatë, pas largimit të opozitës nga parlamenti, deputetët e rinj të PD-LSI në Kuvend ofruan mbështetje për miratimin e dy ligjeve të fundit të Refomrës në Drejtësi.

Në këto kushte, mazhoranca i riktheu për rishqyrtim të hënën në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten, me shumicë të cilësuar, u miratuan ligjet e reja. Gjatë seancës së diskutimit në Komisionin e Ligjeve të hënën, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati u shpreh se “diskutimet për ndryshimet e këtyre projektligjeve janë realizuar sipas kërkesave të Gjykatës Kushtetuese, në prezencën e misioneve ndërkombëtare”. Këto ndryshime u japin mundësinë KLP dhe KLGJ-së për të marrë masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët dhe i hap rrugë emërimit të diplomuarve nga magjistratura. Për reformën në drejtësi, priten dhe korrektime nga ndërkombëtarët.

Me miratimin e dy ligjeve, “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe projektligji “Për statusin e gjyqytarëve dhe prokurorëve”, plotësohet gjithë kuadri ligjor i Reformës në Drejtësi, miratuar me konsensus nga mazhoranca dhe opozita dy vite më parë. Tashmë, zbatimi i kësaj reforme, lidhet direkt me krijimin dhe funksionimin e organeve të reja të drejtësisë, si: SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, plotësimi i vakancave në Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë.

Skip to toolbar