Pranga “tregtarit” kosovar në Elbasan me 19 pistoleta serbe dhe 1.6 kg tritol

Policia e Elbasanit ka arrestuar në flagrancë një 51-vjeçar nga Kosova, me inicialet Y.A., i cili është kapur duke trafikuar armë, municione dhe lëndë eksplozive luftarake. Sipas një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit njofton se në fshatin “Papër” të Elbasanit, është ndaluar shtetasi kosovar, të cilit i janë gjetur në mjetin e tij 19 pistoleta të kalibrave të ndyshëm, 400 fishëkë luftarak dhe 1.6 kg tritol TNT.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë. Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë , Shqipëri e vende të tjera.

Skip to toolbar