Kanë dalë të tjera detaje nga hetimet për plagosjen e rëndë mbrëmjen e të dielës në zonën e Alliasit në Tiranë. Afërdita Laze, që mbeti e plagosur së bashku me bashkëshortin në banesën e tyre nga dy grabitës, tregoi për policinë ngjarjen e rëndë. Sipas dëshmisë së dhënë nga Afërdita Laze për policinë, zbardhur nga Balkanweb, ajo tregon se grabitësit kërkonin vetëm lekët. Afërdita rrëfen se në momentin që dëgjuan zhurma në banesë ndodheshin në dhomë. Bashkëshorti i saj, Petriti, që është plagosur më rëndë, ishte i pari që shkoi për të parë çfarë po ndohte kur u përballë me dy grabitësit e maskuar.
“Ishim në dhomë. Dëgjuam një zhurmë dhe vajzën që bërtiti; “kush është aty?”. Doli Petriti (burri) të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm “lekët, lekët” dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi t’i nxjerrë jashtë nga shtëpia, ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua me qëlluan dhe ikën me vrap”, tha gruaja.
Bashkëshortët Petrit dhe Afërdita Laze u plagosën mbrëmjen e të dielës në banesën e tyre nga dy persona të maskuar, që u futën për të grabitur lekët. Çifti Laze ushtronin një aktivitet biznesi “Furrë Buke”, të cilin e kishin në katin e parë të godinës ku dhe banonin. Petrit Laze ka marrë plagë në bark dhe ndodhet në gjendje më të rëndë, ndërsa bashkëshortja e tij Afërdita është dëmtuar në pjesën e gjymtyrëve, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.