Policia shqiptare dhe ajo e Malit të Zi do të
kenë baskëpunim të intensifikuar gjatë sezonit turistik. Të mërkurën është
firmosur Protokolli i bashkëpunimit gjatë
sezonit turistik, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu
dhe homologu i tij malazez, VEselin Veljovic.
Në zbatim të këtij protokolli, Policia e
Shtetit do të dërgojë në Malin e Zi 4 oficerë policie, dy prej të cilëve nga
shërbimet e Policisë Kriminale dhe Strukturave për Hetimin dhe Parandalimin e
krimeve dhe dy të tjerë nga shërbimet e Rendit dhe Sigurisë Publike, për
periudhën kohore deri më 31 gusht. Ata
do të kryejnë shërbimet e tyre në Stacionet Policore të Ulqinit dhe Budvës.
Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, së
bashku me përfaqësuesit e Policisë së Malit të Zi, do të marrin pjesë në
aktivitete të ndryshme me qëllim forcimin e bashkëpunimit policor dhe
parandalimin e veprave kriminale si: trafikimin e qenieve njerëzore dhe
migracionin e paligjshëm, prostitucionin, trafikun e lëndëve narkotike,
mashtrimet me policat e sigurimit për mjetet motorike, mashtrimet me kartat e
kreditit dhe me shkëmbimin e parasë, falsifikimin e parave dhe dokumenteve
personale, prishjen e qetësisë publike, parandalimin e aksidenteve rrugore,
forcimin e sigurisë në rrugë, etj.
Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat
në lidhje me masat e marra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 30 qershor.
Drejtori i Policisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj gjatë deklaratës së tij
foli edhe për tubimet e kërkuara nga bashkitë që drejtohen nga opozita për
tubime pa orar dhe pa vend përcaktimi nga periudha 27 qershor deri me 2 korrik.
Dervishaj tha se këto tubime nëse bëhen gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore do
të cilësohen të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, që parashikon
masën nga 1-5 vite burg.
“Theksoj se gjatë ditëve të fundit nga subjekte politike janë dërguar njoftime në disa struktura vendore të policisë, nëpërmjet të cilave kërkohet organizimi dhe zhvillimi i tubimeve apo protestave në territorin e disa njësive të qeverisjes vendore, pa ndërprerje nga data 27.6.2019 deri në datën 02.07.2019, si dhe pranë KZAZ- ve e Qendrave të Votimit në territorin e disa bashkive. Kujtoj së në pikën 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, zhvillimi i mitingjeve ose veprimtarive të tjera zgjedhore…”. Sa më sipër sqaroj së çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet.” – tha Dervishaj,
Drejtori i Policisë së Rendit Publik tha më tej se janë
marrë të gjitha masat në mënyrë që ditën e diel, më 30 qershor të ketë një
votim sa më të qetë dhe të rregullt duke siguruar rendi publik. Dervishaj deklaroi
se Policia e Shtetit ka që në shkurt të 2019 që detajon këtë plan masazh për të
garantuar suksesin e çdo aktiviteti elektoral, të garantojë ruajtjen e qendrave
të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të
numërimit të votave, gjatë këtij procesi.
“Për sigurimin e rendit janë trajnuar 7.779 punonjës
të Policisë që do të angazhohen me detyra të ndryshme gjatë zgjedhjeve. 5.876
punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve
zgjedhore në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa 281 automjete civile, që do të
përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për
garantimin e rendit dhe sigurisë. Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90
KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë.” – tha Dervishaj
Dervishaj foli edhe për personat e përfshirë në lidhje
me sulmet ndaj KZAZ, të cilët do të hetohen për veprat penale që lidhen me
procesin zgjedhor. “Në këto ngjarje janë përfshirë 250 autorë, nga të cilët 59
janë arrestuar 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 persona janë shpallur në
kërkim.”
Dervishaj tha
gjithashtu se nga momenti i hapjes së
qendrave të votimit në orën 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën
19:00, ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave në
objektet ku janë vendosur qendrat e votimit.
Akuzat e hedhura
nga kreu i PD-së, Luzlim Basha dhe ish deputeti i PD-së Xhemal Gjunkshi, ditën
e mërkurës, se në Dibër janë duke u blerë vota dhe se janë shpërndarë armë në
qytet duket se do t’i kushtojë të dyve. Ministra e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe
Policia e Shtetit, kanë vendosur që t’i padisin për shpifje dhe t’i nxjerrin para gjykatës.
Basha tha se Ministrja
e Mbrojtjes se është duke blerë vota në Dibër, duke shpërndarë para me makinat
e ushtrisë me targa false. Përmes një deklarate në Facebook, ministrja Xhaçka bëri
të qartë se çdo shpifje ka një çmim dhe Basha do të mbajë përgjegjësi për këtë.
“Që Lulzim Basha
nuk i mendon e as i kupton pasojat e veprimeve që bën, këtë e mësuam të gjithë,
ditën që dogji mandatet dhe e la PD rrugëve. Por, le ta mësojë që veprimet kanë
kosto, shpifjet kanë një çmim, kur të shkojë përpara gjykatës për të sqaruar
llumin që nxjerr nga goja.” – shkruan Xhaçka
Të njëjtat akuza i
hodhi edhe ish deputeti i PD-së Xhemal
Gjunkshi, ku aludonte se Policia e Dibrës ka shpërndarë armë në qytet. Në
rastin e tij, padia do të bëhet nga Policia e Shtetit, e cila i ka cilësuar fake
news dhe do të përballet me Gjunkshin në gjykatë.
“Kjo deklaratë
është krejtësisht një shpifje e ulët dhe plotësisht e fabrikuar. Policia e
Shtetit e hedh poshtë me përbuzje një deklarim të tillë, që në fakt të vetmin
reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë. Aty ai do
të duhet që përpara ligjit të sqarojë motivet e kësaj insinuate të ulët.” – shkruhet në reagimin e Policisë.
Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas, të
cilët janë ndaluar nga shërbimet e qarkullimit rrugor, pasi janë gjetur në
shkelje të ligjit. Sipas një komunikate të Policisë së Shtetit, mësohet se një
person, emri i të cilit jepet vetëm me iniciale, Xh.V, është ndaluar gjatë një
kontrolli rutinë nga efektivët blu të qarkullimit rrugor.
Fillimisht, policia ka konstatuar se personi
drejtonte mjetin në gjendje të dehur, duke kaluar limitin e konsumit të alkolit
me 0.80 mg/l, teksa veç kësaj, ky shtetas nuk dispononte as lejen e drejtimit të
mjetit, e cila i ishte pezulluar në muajin mars po për drejtimin e mjetit në
gjendje të dehur.
Sipas komunikatës së policisë, mësohet se ky
shtetas i ka ofruar punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor 5000 mijë lekë
të reja, me qëllim shmangien e kontrollit policor.
Po për akuzën e “korrupsionit aktiv ndaj
personave që ushtrojnë funksione publike”, është arrestuar dhe një tjetër drejtues
mjeti, me inicialet Y.Sh, që gjatë kontrollit të policisë së shtetit është
konstatuar se nuk dispononte figuracionin e mjetit.
Për të shmangur gjobën, ky shtetas i ka ofruar efektivëve të policsië 1000 mijë lekë të reja, por, sipas polcisë, shtetasi është shoqëruar në komisariat.
Prej dy ditësh, vendi përballet me sulme të
rënda të opozitës ndaj KZAZ-ve dhe forcave të policisë, ndërsa uniformat blu kanë
firmosur urdhër-arreste vetëm për disa punonjës bashkie dhe militantësh të
opozitës, por nuk kanë ndërmarrë arrestime për urdhëruesit e dhunës,
pavarësisht se ata dalin çdo ditë, duke shpallur luftë, siç është Kryetari i
Bashkisë Tropojë, që është proceduar penalisht në gjendje të lirë, apo Voltana Schwarzenneger,
e cila shpall luftë e ndalohet ushtari Spahi.
Policia çdo ditë njofton për arrestime punonjësish bashkish e militantësh të PD, ndërsa Voltana shfaqet e krehur dhe e lyer çdo natë nëpër studiot e Tiranës, nga ku kërcënon me luftë civile. Edhe të enjten, policia njoftoi për arrestime në Mat, Klos dhe Kavajë, ndërsa në një ditë më parë në Kukës tërhoq nga KZAZ pas presionit të opozitës.
Sulmin
ndaj KZAZ në Kamëz, ndjekje penale 2 nënkryetarëve të bashkisë
Pavarësisht dhunës së ushtruar në KZAZ-në e
Kamzës, policia e Tiranës nuk ka arrestuar asnjë person, por i ka dërguar për ndjekje
penale në gjendje të lirë. Policia e Tiranës deklaroi ka dërguar për ndjekje
penale 14 persona për sulmin ndaj KZAZ-së në Kamëz, mes të cilëve janë dy
nënkryetarët e Bashkisë Kamëz, 4 policë bashkiakë dhe 3 punonjës të ujësjellësit.
Sipas policisë, këta persona dyshohen për 6
vepra penale, por asnjë nuk është arrestuar, pavarësisht se të gjitha veprat
penale parashikojnë dënim me burg. Veprat penale për të cilat dyshohen janë “Organizimi
dhe Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime te paligjshme”, “Kundërshtimi
i Punonjësve të Policisë së Rendit Ppublik”, “Goditja për shkak të
detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i
pronës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe
municionit”.
Për këto vepra penale, në protestat e opozitës
para Kryeministrisë dhe Kuvendit, policia është treguar më e ashpër, duke bërë
arrestimin e tyre, por siç duket policia ka zbutur qëndrimin, pavarësisht se opozita
po tenton të shkatërrojë materialet zgjedhore në bashkitë e djathta për të mos
lejuar procesin zgjedhor.
“Në përfundim të veprimeve të para
procedurale, këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku u sekuestruan në cilësinë e
provës disa mbetje te kapsollave plasëse, shpërthyese si dhe flakadanë, te
cilët u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratorike, si dhe nga
pamjeve filmike të administruara nga ana e policisë, u bë shoqërimi dhe
dokumentimi i ngjarjes dhe u proceduan në gjendje të lirë 14 persona”,
deklaroi Policia e Tiranës.
Personat e proceduar penalisht në gjendje të lirë
V. D., banues në Kamzë, me detyrë nënkryetar i
Bashkisë Kamzë.
A. D., banues në Tirane me detyrë nënkryetar i
Bashkisë Kamzë.
S. L., banues ne Zall Herr, me detyrë Punonjës
i Policisë Bashkiake Kamzë.
R. H., banues në Kamzë, me detyrë Punonjës i
Policisë së Bashkisë Kamzë.
U. K., banues në Kamzë, me detyrë Punonjës i
Policisë së Bashkisë Kamzë.
F. U., banues ne Kamzë, me detyrë Punonjës i
Policisë së Bashkisë Kamzë.
B. S., banues në Kamzë, me detyrë punonjës i
ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Bashkia Kamzë.
L. B., banues në Kamzë, me precedent kriminal
H. L., banues në Kamzë, me detyrë punonjës i
ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Bashkia Kamzë.
F. D., banues në Kamzë, me detyrë punonjës i
ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizimeve, Bashkia Kamzë.
D. M., banues në Kamzë.
Gj. P., banues në Valias
H. M., banues në Institut, Kamzë
Sh. H., banues në Kamzë
Arrestohen
3 persona në Vorë
Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona,
pasi gjatë mësymjes së KZAZ-së në Vorë, kanë djegur materialet zgjedhore. Sipas
policisë, gjatë tubimit, ku pjesa më e madhe e tyre ishin punonjës të Bashkisë
Vorë, por edhe të tjerë ende te pa identifikuar, janë përpjekur të futen në
ambientet e KZAZ nr. 26, në shkollën 9 – vjeçare Marqinet, ku dhe janë
përplasur fizikisht me forcat e Policisë, të vendosura para hyrjes së shkollës
në ruajtje të KZAZ-së nr. 26. Tre prej këtyre personave kanë kaluar hekurat e
rrethimit të shkollës nga ana e pasme e saj dhe janë futur forcërisht brenda
ambienteve ku ndodhet KZAZ-ja nr. 26, dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë
djegur tek shkallët e palestrës një kuti kartoni të dhomës së fshehtë të
votimit.
Policia tha se për këtë ngjarje ka arrestuar
tre persona, mes të cilëve një është
punonjës pranë bashkisë Vorë.
A. P., banues në Marqinet, Vorë
L. H., banues në Marqinet, Vorë
Y. H., banues në Marqinet, Vorë, punonjës
pranë Bashkisë Vorë.
Po ashtu janë dërguar për ndjekje penale 17
persona të tjerë.
Sulmet
ndaj 3 KZAZ-ve, 14 të arrestuar dhe 24 në ndjekje penale
Sulmet ndaj KZAZ-ve kanë çuar në pranga 14
persona, ndërsa 24 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 12 të tjerë
janë shpallur në kërkim policor. Sipas policisë, arrestimet janë kryer në Mat,
Klos dhe Kavajë, ndërsa 7 prej të arrestuarve janë punonjës të bashkive
respektive.
Policia e Shtetit njoftoi se arrestimi i
këtyre personave është bërë në lidhje me ngjarjen e ndodhur të mërkurën, ku
persona të ndryshëm kanë ushtruar dhunë ndaj Forcave të Rendit dhe Sigurisë, të
cilët mbanin në ruajtje KZAZ-të dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore të
KZAZ Nr. 16, që ndodhej në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa”, Bashkia
Mat dhe KZAZ nr. 17, që ndodhej tek Biblioteka e qytetit, Bashkia Klos.
Pas veprimeve hetimore për identifikimin e personave
me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, kanë
arrestuar në flagrancë 9 persona.
M. D., 53 vjeç, banues në Burrel (Punonjës
Policie i Bashkisë Burrel).
I. Ç., 44 vjeç , banues në Klos (Administrator
i njësisë administrative Suç, Klos)
M. L., 38 vjeç, banues në Klos (Përgjegjës i
zyrës së ndihmës ekonomike, Klos)
R. D., 62 vjeç, banues në Klos (punonjës në
mirëmbajtjen e rrugës, Klos).
E. D., 21 vjeç, banues në Burrel
Xh. Gj., 55 vjeç, banues në Burrel
E. T., 49 vjeç, banues në Klos
M. Gj., 62 vjeç, banues në Klos
H. K., 46 vjeç, lindur në Klos e banues në
Britaninë e Madhe.
Po ashtu, në Mat dhe Klos janë proceduar
penalisht në gjendje të lirë 12 persona si dhe janë shpallur në kërkim 12 të
tjerë.
Policia e Shtetit tha gjithashtu se ka ndaluar
pesë persona për sulmin ndaj KZAZ-së nr. 42 mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e
Kavajës, ku militantët e PD u konfrontuan me forcat e policisë. Dy nga të
ndaluarit janë punonjës të bashkisë së Kavajës, ndërsa tre të tjerë janë militantë
të PD-së.
Të mërkurën u arrestuan 14 persona, 7 për
incidentet në Tropojë, 5 për Shkodrën dhe 2 prë ngjarjet në Kamëz, ndërsa në
mbrëmje u ndalua ish-deputeti Bardh Spahia për sulmet ndaj KZAZ-ve.
Policia tha se vijon hetimi për arrestimin e personave të tjerë, të cilët kanë sulmuar KZAZ-të dhe janë konfrontuar me forcat e policisë në qytete të ndryshme.
Kukës
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Kukës, në
KZAZ nr.11, te gjimnazi “Havzi Nela”, Kukës, ku disa persona në bashkëpunim me
njeri-tjetrin, kanë tentuar të dëmtojnë materialet zgjedhore, kanë prishur
derën e palestrës dhe kanë vënë zjarr, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë,
pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e
Policisë Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, konkretisht:
-A. C., 46 vjeç, banues në Kukës, shofer në
Bashkinë e Kukësit.
-E. H., 42 vjeç, banues në Kukës, shofer në Bashkinë e
Kukësit.
-E. B., 26 vjeç , banues në Kukës, Inspektor i
Policisë Bashkiake.
-E. M., 35 vjeç, banues në Kukës.
Janë shpallur në kërkim 7 shtetas, si dhe janë
proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i paligjshëm i tubimeve”.
Tropojë dhe Shkodër
12 persona, mes tyre punonjës të policive bashkiake në Shkodër dhe Tropojë, specialistë të bujqësisë apo ndërmarrjeve të pastrim-gjelbërimit në këto bashki, janë arrestuar nga Policia e Shtetit për shkatërrimin e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Ndërkohë, në procedim të lirë janë disa persona për veprën penale të pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, mes tyre Isuf Çelaj, ish-deputet i partisë demokratike si dhe Besnik Dushaj, Kryetar i Bashkisë, Tropojë.
Ndërkohë, 20 persona të tjerë janë shpallur në
kërkim, ndërsa 29 janë shoqëruar në ambientet e komisariateve në drejtoritë
lokale të policisë, në qytetet ku kanë ndodhur aktet e dhunimit të KZAZ-ve. Ky është
bilanci i orëve të fundit që jep Policia e Shtetit, ku në një deklaratë për
shtyp, zëvndës drejtoresha e Pergjithshme e Policise se Shtetit Drejtuese e
Lartë Aida Hajnaj, u shpreh se gjatë orëve të fundit janë sulmuar 14 KZAZ në
bashki të ndryshme të vendit.
Megjithatë, ndonëse aktet e dhunës janë udhëhequr
dhe urdhëruar nga drejtues të bashkive të drejtuar nga të zgjedhur nën siglën e
opozitës, deri më tani, të arrestuarit e vetëm për aktet e dhunës, janë personat
që kanë qenë fizikisht dhe kanë dhunuar materialet zgjedhore. Sakq, veç rastit
të ish-deputetit Bardh Spahia, që është ndaluar në orët e mbrëmjes, policia
ende nuk ka bërë ndalimin e asnjë kryetari bashkie, që ka urdhëruar ndërhyrjen në
institucionet ku ndodhen KZAZ. Ndërkohë, Ministri Sandër Lleshaj është shprehur
se askush nuk do ti shpëtojë ligjit, qoftë dhunuesit apo urdhëruesit e dhunës.
Më poshtë, lista e plota e personave të
arrestuar dhe atyre të proceduar në gjendje të lirë për dhunimin e KZAZ-ve në
qytete të ndryshme të vendit.
Kështu Policia e Shkodrës arrestoi në
flagrancë 5 persona, konkretisht:
• Gentian
Bytyqi – polic i bashkisë Shkodër
• Alfred
Nikolli- polic i bashkisë Shkodër
• Adi
Garuci – specialist i bujqësisë, bashkia Shkodër
• Aleks
Ndoj – polic i bashkisë
• Orlando
Thepi
Mes 14 personave të shpallur në kërkim janë edhe ish-deputetë të zonës, anëtarë të Këshillit bashkiak si dhe punonjës të Bashkisë Shkodër. Ndërkohë 2 shtetas të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
Në lidhje
me dëmtimin e materialeve zgjedhore në KZAZ e Bashkisë Tropojë, tek Muzeu Historik, janë arrestuar në
flagrancë 7 persona, konkretisht;
• Ilir
Margjekaj, Punonjës i Bashkisë Tropojë, tek Pastrim-Gjelbrimi.
• Haxhi
Gjidia, Punonjës i Bashkisë Tropojë, tek Pastrim-Gjelbrimi.
• Bledar
Pepkolaj,
• Arjan
Gabraj,
• Ndricim
Ndrepepaj,
• Amarildo
Gecaj,
• Armando
Gecaj.
Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas
për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të
paligjshme”. Ata janë:
• Isuf
Çelaj, ish-deputet i partisë demokratike.
• Besnik
Dushaj, Kryetar i Bashkisë, Tropojë.
• Fatos
Buçpapaj, Kryetar i Njësisë Administrative Bujan.
• Gëzim
Gjoni, Kryetar i Njësisë Administrative Fierzë.
• Azgan
Haklaj
Gjithashtu janë shpallur në kërkim 6 shtetas
të tjerë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit
të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Pas sulmit dhe tentativës për të dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ në Kamzë janë shoqëruar 15 persona dhe po kryhen veprime hetimore ndaj tyre.
Të arrestuarit dhe proceduarit në Kavajë
31 të proceduar, ndër ta 6 të arrestuar, për sulmin ndaj KZAZ nr. 42 dhe ndaj punonjësve të Policisë, me shërbim në këtë objekt.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.06.2019, para KZAZ nr. 42 në Kavajë, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentativë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”, shtetasit:
• A. Xh., banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
• E. B., banues në Kavajë, punonjës i Bashkisë Kavajë (shofer).
• D. E., banues në Kavajë.
• L. D., banues në Golem, Kavajë.
• F. R., banues në Kavajë, punonjës i Ujësjellës – Kanalizime
• D. B., banues në Kavajë, punonjës i Ujësjellës – Kanalizime, Kavajë
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë sepse:
Ne datën 19.06.2019 rreth orës 20:05, në lagjen nr. 3 në Kavajë, kanë marrë pjesë në një grumbullim të paligjshëm, me qëllim lirimin e ambienteve të shkollës “Tre dëshmorët”, ku ndodhet KZAZ nr. 42.
Këta shtetas kanë tentuar te futen forcërisht në ambientet e shkollës ku ndodhet duke qëlluar me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba “molotov”, punonjësit e Policisë me shërbim, në ruajtje të KZAZ-së.
Nga veprimet e dhunshme të këtyre personave është dëmtuar rrethimi i jashtëm i territorit të shkollës, në anën jugore, janë dëmtuar edhe dy portat metalike të shkollës, si dhe ka pësuar lëndime nga goditja me sende të forta, edhe një punonjës Policie.
Nga veprimet hetimore të kryera, këqyrja dhe analiza e pamjeve filmike, raportet e shërbimit, janë administruar të dhëna, fakte dhe prova, që vërtetojnë se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar veprën penale: “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, ’’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor mbetur në tentative”, “Organizimi dhe Pjesëmarrja në grumbullim të paligjshëm” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarje, u shpallën në kërkim policor 25 shtetas, 12 prej të cilëve punonjës të Bashkisë Kavajë.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj .
Materialet hetimore do t’i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.
Focat “Shqiponja” kanë arrestuar në flagrancë një 23-vjeçar këtë të shtunë
në Tiranë, pasi mbante një armë të llojit pistoletë pa leje.
Nga një njoftim i Policisë së Shtetit mësohet se i riu me inicialet A.D.,
banues në Tiranë është kapur në rrugën “Dervish Hatixhe”, me një armë zjarri
psitolet e markës GLOCK- me një krehër me 15 copë fishekë luftarakë.
Gjithashtu nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 4, është parandaluar një rast i dhunës në flamije me pasoja të mëtjeshme, ku u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit; B. F. 42 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, u bë pas njoftimit të marrë se
ky shtetas ushtrone dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Policia ka shkuar menjëherë në
adresën e dhënë ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit B.F
një armë zjarri me mulli, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet
i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tirana ishte e shkretë mbrëmjen e të dielës në
orët e vona. Para Kryeministrisë vetëm policë dhe makina të medias. Një vajzë që
çan pa dashje rrethimin me biçikletë, policët shpejtojnë ta largojnë. Po ashtu
edhe një çift mbi 50 vjeç. Por policët nuk shpëtojnë nga të sharat e zonjës
bionde: “Përse i paguajmë taksat, që të mos të na lini të bëjmë xhiro me biçikletë
në Bulevard”?
Në fakt sheshin të dielën pasdite e mori Opozita. Siç ka bërë që nga 16 shkurti. Policët kanë qenë të pafuqishëm të garantojnë jetë normale për qytetarët. Ata në këmbë në bulevard apo shoferë me makina në Astir. Policët janë të zënë. Me sigurinë e qeverisë, institucioneve dhe të protestuesve që i dhunojnë në çdo protestë.
Tirana ishte e zymtë të dielën në mbrëmje. Në rrugicat gjysëm të errëta të Bllokut shëtisin përzishëm protestues që i vidhen protestës, agjentë civilë, që i largohen sheshit me dëshirën më të madhe për të mos u kthyer më aty. Në sfond dëgjohen shashkat dhe në celular vijnë njoftimet për të lënduarit e parë. Policia në orën 23, e ka zyrtare shifrën: janë shtatë. Edhe protestat janë shtatë. Nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Të njëjtat fjalë, i njëjti skenar dhe i njëjti përfundim. Por Lulzim Basha thotë se herës tjetër do jetë ndryshe. Rreth orës 22, një njoftim i ambasadës britanike, e largon atë dhe mbështetësit e tij drejt Selisë Blu. Atje i njëjti fjalim, por me dy ndryshime thelbësore: duke kopjuar fjalë për fjalë një fjalim të Edi Ramës në të gdhirën e 22 janarit 2011, kur pasi Artan Hoxha transmetoi pamjet e vrasjes së Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës, ai përdori fjalët Horr, për policët vrasës. Edhe Basha quan horra policët dhe Sandër Lleshajn. Policët e Lleshajt që ndryshe nga ata të Bashës ato ditë, nuk kanë qëlluar ende asnjëherë në këto pesë muaj. Bile dhe përleshjet trup me trup nuk kanë ndodhur asnjëherë. Një taktikë e re që ka shmangur viktimat. Por për Bashën të dielën ka të plagosur rëndë në kokë e trup te protestuesit. Mero Baze tek Tema, nuk ia kursen mërzinë në fytyrën e tij. Ai thotë se Basha është i mërzitur se nuk ka të vdekur. Ndërkohë mediat transmetojnë një protestues të plagosur nga fishekzjarret (“Keshtu, tha Lleshaj, “jane plagosur te gjithe”), por mediat pranë opozitës thonë se kanë prova për të kundërtën. Protestës në fund iu bashkua dhe Berisha. Eshtë i vetmi që qesh. Qesh pa fund dhe ngrë dy gishtat lart. Tek tuk i vijnë komplimentet nga protestues, që janë më pak se bodigardët që e shoqërojnë. Më të shumtët protestues, ndjekin Bashën.
Ndryshe nga Berisha, Basha duket që nuk ka humor të mjaftueshëm për t’u marrë me Të. Nga Selia Blu, në fund të protestës për herë të parë pa Monika Kryemadhin, ai lëshoi paralajmërimin se herës tjetër do flasë Sovrani. Tingëllon si kërcënim nga goja e njeriut dikur më të moderuar, më të dashur e të mikluar nga ndërkombëtarët. Të cilët sot i ka kundër, por që ende shpresojnë sadopak tek ai dhe arsyeja e tij. Arsye që reagon vetëm kur në celular i vijnë sms të rëndësishme. Ashtu si në mars kur në Oborrin e Selise blu u shfaqën për herë të parë shishet Molotov, por që atë ditë nuk u përdorën kurrë, nga një sms që erdhi nga Rruga e Elbasanit. Por u përdorën më vonë. Vetëm një herë. Të dielën ama pati vetëm shashka. Shashka dhe zhurmë. Si për të zbehur së paku tonin e zërit te Shtoltenbergut, shefit të NATO-s dhe deklaratës së tij të “tmerrshme”, që ngjan si kërcënimi më serioz ndaj aksionit të opozitës: ajo nuk mund t’i prishë zgjedhjet. Shtoltenberg që në minutë të fundit vendosi të përfshijë në agjendë edhe takimin me një përfaqesues të opozitës: Ilir Metën. I vetmi lider “opozitar” që foli të dielën për qetësi dhe për stabilitet dhe gruaja e tij që foli me mungesën e saj në protestë. (Ah po në mbrëmje foli dhe Petrit Vasili.) Mu direkt pas tij folën dhe amerikanët. Ndoshta rastësisht por fati nuk e ndihmon numrin dy të LSI këto kohë me ta. Vasili e quajti Ramën kriminel, ndërsa amerikanët protestën antidemokratike. Vasili thotë s’ka zgjedhje, por Shtoltenberg tha qe t’i mbajnë duart larg prej atyre ata që duan t’i prishin.
Por ata i kanë prishur tashmë. Opozita me bojkotin i ka kthyer zgjedhjet në 30 qershor në një referendum. Mes atyre që duan ruajtjen e statu kuosë dhe atyre që duan rrëmujë. Mes atyre që nuk duan Ramën, por duan Shqipërinë, një vend të qetë dhe pa trazira. Që duan Tiranën një qytet të qeshur dhe jo të bërë kaps nga protesta e mitingje pa fund. Ku ca hedhin shashka e të tjerë bëjnë sikur shpalosin programe. Më në fund edhe ndërkombëtarët janë dorëzuar tek e keqja më e vogël. Ashtu duken edhe shqiptarët. Basha kërcënoi të djelën se nuk flet më. Por në tre të mëngjesit niset për Berlin, atje ku do kërkojë sërish që gjermanët të flasin. Pikërisht me atë që ai thotë nuk do ta takojë e flasë: Edi Ramën. Arsyeja dhe jo logjika shtyjnë liderin (sa fjalë e madhe) të opozitës të kërkojë sërish e sërish e sërish atë që zemra nuk ia do kurrë: zgjidhjen politike të ëndrrës së tij: që t’i garantojë atij ardhjen në pushtet. Një ëndërr e pamundur që ia kërkoi Ramës në maj 2017, pastaj gjithë të tjerëve e përfundoi ta kërkojë edhe në rrugë. Deri tani pa sukses. Nuk ka patur numrat e mjaftueshëm, humorin e shqiptarëve dhe ndërkombëtarët me vete. Ndryshe do ta kishte bërë pa asnjë hezitim. Tashmë vetë demokratët e kanë të qartë se Edi Ramën më mirë të kishin pritur ta rrëzonin me vonë me votë. Tashmë edhe Sali Berisha që e gjen mënyrën të çojë përtej Oqeanit mesazhin se është i mërzitur me zgjedhjen e tij ereditare. Tashmë të shpëtojë ç‘të shpëtojë nga shtëpia dikur e madhe që ishte PD. Ambasadori Italian Cutillo, dikur mbrojtësi i tij më i flaktë, tashmë e tha publikisht: “Kriza erdhi nga opozita. Zgjidhja duhet të vijë nga brenda saj. Në vende me demokraci të konsoliduar këto zgjidhje vijnë nga demokracia e brendshme e partive. Por këtu tek ju…” Po Bashën çfarë mund ta shpëtojë vallë? Basha ik? Ndoshta dhe ajo do ishte një zgjidhje për PD, por jo për krizën ku është vendi. Dhe vendi duhet shpëtuar. Ndaj ndërkombëtarët duan zgjedhje, edhe në formë votimi të njëanshëm. Shqipëria nuk mund të rrezikohet. Shqipëria nuk mund të rrezikojë të tjerët.
Në orën 23 PD thotë se protesta e radhës do
jetë në 8 qershor. Do jetë finale thotë Basha. Por thellë thellë dobësia e
protestës është shpresa e vetme që dhe ai ka. Që të shpëtojë. Të shpëtojë nga
presioni i atyre që e futën në këtë rrugë atë dhe vendin. Që në fund të thotë:
“Nuk e bëra dot”.
Ashtu si te ai filmi i viteve 80, kur Beqir
Aga kthehet si diversant tek ish shërbyesit e tij dhe kërkon të shpërndajnë
trakte ku të thuhet: “populli është me ne”. Dhe i kërkon të vendosin zjarr në
kullën e barit në qendër të fshatit. Ish shërbyesit besnikë që nuk shohin edhe
ata komunistët me sy, e dinë ama se “popullin nuk e kanë me vete”. Dhe gruaja e
shërbyesit (Drita Pelingu), që në mënyrë dramatike i afrohet kameras dhe thotë:
“Jo Beqir Aga jo. Nuk jemi aq budallenj sa na pandeh ti. Kulla e barit, nuk do
të digjet!” (Dhe këtu dalin titrat finale).
Ndërkohë në ora 11 të natës një ish deputet i PD Bardh Spahia përballet në spital me ministrin Lleshaj. Secili ka ardhur për të plagosurit e vet. Askush nuk flet për të plagosurit e shumtë shpirtërorë që e kanë ndjekur me ankth e pa dëshirë, këtë farsë dramatike për kullën e barit, por që asnjëri nuk ka as çelësat e saj të kashtës. Kështu do presim takimin “historik” te 8 qershorit. Edhe ata që ruajnë kullën e barit dhe ata që bëjnë sikur duan ta djegin atë. Ajo nuk do digjet dhe të dielën këtë e kuptuan të gjithë.
Basha tha një të vërtetë: ora po numëron mbrapsht. Se kujt do ta marrim vesh shpejt. Ai nuk përmendi më prishjen e zgjedhjeve. Kulla e barit nuk është e tij. Do t’i duhet sërish ta shohë nga larg për një kohë të gjatë. Ndoshta një ditë do ta ëndërrojë sërish. Por pas 30 qershorit ndoshta. Tani secili është në pozicione që nuk ndryshojnë. Edhe nëse duan. Edhe nëse në vend të fjalëve, më 8 qershor do hedhë sërish shishe Molotov. Si në 2017, Ai arriti sërish me sukses të zgjasë jetën e një qeverie që flinte prej dy vjetësh e zgjohej vetëm kur prokuroria sulmonte Saimir Tahirin. Kësaj radhe duke e lënë të fitojë vetëm një palë zgjedhje parodike. Për më keq për të, me bekimin e një koalicioni të ri. Jo pro Ramës, por kundër Tij. Ndërkombëtarët. Ata, pronarët e vërtetë të Kullës së barit.
Një bashkëpunim i Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane është finalizuar me disa të arrestuar të akuzuar për bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Arrestimet janë kryer në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “SABBIA” . Në operacion u përfshinë Departamenti i Policisë Kriminale, “Interpol” Tirana, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe “Interforca” italiane në Shqipëri
Arrestimet janë ekzekutuar në provincat e Firences, Sienës, Brindisit dhe në Vlorë, aktivizuar nëpërmjet Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor “Interpol” dhe “Interforca” italiane në Shqipëri.
Në Vlorë është kapur dhe arrestuar shtetasi Flodian Serjani, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër, të dy me masë sigurie “Arrest në burg”.
Në Itali është arrestuar 1 shtetas, ndërsa për 2 të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Masat janë lëshuar në përfundim të hetimeve të nisura në janar të vitit 2018, nga Skuadra Hetimore e Repartit “Operation”, që kanë mundur të identifikojnë një grup të organizuar kriminal në fushën e narkotikëve.
Substanca narkotike u soll nga Shqipëria në brigjet e Brindisit me përdorimin e anijeve, të cilat zbarkuan në zona të izoluara bregdetare. Këtu gjetën mbështetjen logjistike të atyre që janë prekur nga krimi i organizuar në Puglia, përfshirë Saverio Palma, i cili u arrestua sot.
Droga, nëpërmjet korrierëve, transportohej më pas në vende të ndryshme të tregut në Itali. Vendet ku transportohej lënda narkotike janë Roma, Napoli, Milano dhe Firenze. Pikërisht në Toskanë, organizata kishte një bazë. Anëtarë të kësaj bande kriminale ishin Armand Lushaj, Indrit Hamzaj, Julian Aliaj. Ata dyshohet se shpërndanin drogën në komunat e Firences. Lënda narkotike sillej nga Shqipëria në Brindizi.
Ndërkaq, në mediat italiane thuhet se kreu i bandës kriminale dyshohet se është Flodian Serjani, një trafikant droge me lidhje të forta në Toskana dhe që udhëtonte shpesh mes Shqipërisë dhe krahinës së Brindisit për të organizuar mbërritjen e ngarkesave. Serjani u arrestua sot në Vlorë, Shqipëri. Gjatë hetimeve kundër grupit, janë sekuestruar rreth gjysmë ton drogë në periudha të ndryshme kohore.
Policia e Elbasanit ka arrestuar ditën e sotme një 28-vjeçar, i cili kërkohet nga Italia për përfshirje në organizata terroriste. Pas arrestimit të tij, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini.
Salvini përshëndeti aksionin e policisë shqiptare duke shtuar se nuk do të bëhej asnjë lëshim ndaj krimineleve që sjellin luftë.
“Bledar Ibrahimi 28 vjeç u arrestua në Shqipëri, pasi kërkohej për terrorizëm ndërkombëtar. Në shtëpinë e tij në Milano janë gjetur pajisje kompjuterike, gjurmë të kontakteve me fundamentalistët islamikë dhe dokumente e video që lavdëronin xhihadin islamik. Hetuesit dhe policia jonë ka bërë një punë të shkëlqyer. Gjithashtu falënderoj policinë e Tiranës për punën mjaft të mirë. Asnjë lëshim ndaj kriminelëve dhe fanatikëve të cilët na sjellin luftë në shtëpinë tonë.” –shkruan Salvini në Facebook.
Qeveria gjermane i dhuroi Policisë së Shtetit automjete e pajisje të sofistikuara me vlerë rreth 200 mijë euro, në kuadër të forcimit të kapaciteteve për luftën kundër paligjshmërisë dhe krimit të organizuar në veçanti.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Suzan Schutz nënshkruan protokollin e dhurimit të tyre, në prani të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Task Forcës Speciale Qendrore u theksua edhe njëherë bashkëpunimi mjaft i mirë që ekziston mes dy vendeve në fushën e shkëmbimeve policore. Këto mjete do të përdoren kryesisht nga Policia Kriminale dhe Task Forca Speciale, e cila është ngritur për të luftuar grupet kriminale në Shqipëri ose jashtë vendit.
“Kam kënaqësinë që pata mundësinë të pres Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë, me të cilën takohem në harkun e pak javëve, për herë të dytë në mjediset e Policisë së Shtetit. Sot jemi tek Task Forca Speciale ku sapo nënshkruam një protokoll për marrjen e një ndihme të konsiderueshme, e cila i adresohet Task Forcës “Forca e Ligjit”, pra i adresohet luftës kundër krimit të organizuar. Ndërkohë që para pak javësh, ne patëm mundësinë që të mirëpresim një paketë tjetër të rëndësishme ndihme që i adresohej kufirit.” – tha ministri Lleshaj në një deklaratë për mediat pas takimit.
Ndërsa ambasadorja e Gjermanisë Suzan Schutz tha se ndihma prej 200 mijë euro tregon edhe një herë bashkëpunimin mjaft të mirë që ekziston mes dy vendeve.