BKH, drejt ngritjes. SHBA dhuron pajisje si ato të FBI

Të hënë do të hidhet hapi i parë i rëndësishëm për ngritjen e Prokurorisë Speciale, SPAK, që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. Një tjetër njësi që do të ndihmojë punën e SPAK dhe organeve të drejtësisë, do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH. Edhe ky institucion po mbështetet nga Shtetet e Bashkaura të Amerikës, të cilat jo vetëm do të trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI, por njëkohësisht do ta mbështesin dhe në anën logjistike. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpërndau një njoftim, ku tregon se SHBA dhuroi pesë poligrafë që do të shërbejnë për të kryer testimin e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme. Pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standarteve më të larta të integritetit”, thuhet në njoftim. Dhurimi i poligrafëve nga SHBA, është pjesë e një programi  të financuar nga Departamenti i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare.

“Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një program dhjetë javor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP). Drejtori i Përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC) – organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafeve – iu bashkuar drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, thuhet në deklaratë.

Poligrafët janë pajisje speciale që përdoren nga FBI gjatë hetimeve dhe marrjes në pyetje të personave të ndryshëm, duke matur përgjigjet fiziologjike të personit. Nëpërmjet kësaj pajisje, hetuesit zbulojnë nëse personi po thotë të vërtetën apo gënjen. Kjo pajisje do të përdoret fillimisht te vetë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, duke siguruar që ata do të kenë integritet të lartë në punën e tyre. Megjithatë, poligrafët e dhuruar nga SHBA, mund të përdoren më pas nga BKH për punën e saj hetimore.

Skip to toolbar