Zgjidhja e krizës, Basha: PPE kërkon të ulemi për dialog me Ramën

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbështetjen e fortë të drejtuesve të BE-së dhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive anëtare. Sipas tij, gjatë takimeve që zhvilloi në Kongresin e Partive Popullore Europiane, i është komunikuar mbështetja nga drejtues të partive simotra të PD në Europë. Duke cituar rezolutën e miratuar nga PPE, ku shprehet mbështetja për hapjen e negociatave, Basha shprehet se Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet, duke nisur nga zgjidhja e krizës.

Kryedemokrati shprehet se “Partia Popullore Europiane nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut dhe miratimin konsensual nga partitë politike, të një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thotë Basha.

Më tej, kryedemokrati citon disa pjesë të tjera të rezolutës së PPE, që në thelb janë kushtet e Bundestagut gjerman për procesin e hapjes së negociatave, duke nisur hetimi për blerjen e votave, te ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë e deri te dënimin e personave me rekorde kriminale, prfshirë dhe ata që ushtrojnë funksione publike. Në fund, Basha thekson se: “PPE demonstron mbështetjen e qartë  për integrimin europian të Shqipërisë dhe bën thirrje për zgjidhjen e krizës së rëndë politike e cila sa vjen e po thellohet me shumë”.

PPE, thirrje BE: Shqipëria meriton negociatat

Partitë Popullore Europiane dolën me një deklaratë të përbashkët për mediat, ku u bëjnë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të pranojnë hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deklarata, e mbajtur nga Presidenti i PPE-së, Joseph Daul, thekson se “Politika e Zgjerimit e BE-së, ka qenë mjet për ruajtjen e stabilitetit në kontinent”. “Politika e Zgjerimit të BE-së ka qenë një nga mjetet më të suksesshme për të sjellë stabilitetin dhe paqen në kontinentin tonë. Vendimet që do të merren më pas nga vendet anëtare nuk do të ndikojnë vetëm në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të kontinentit tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të fortë dhe për t’i qëndruar besnik angazhimeve tona në rajon”, thuhet në deklaratë.

Më tej, sipas Joseph Daul, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përparim në përputhjen me kërkesat për hapjen e këtij procesi, ndaj hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim në përputhje me kërkesat për hapjen e këtij procesi. Ndërsa mbetet shumë për të bërë, hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm. Qytetarët, dhe veçanërisht rinia, e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë meritojnë një perspektivë evropiane pasi mbetet një burim motivimi dhe vendosmëri që ato vende dhe rajoni më gjerë të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të zbatuar më tej sundimin e ligjit, forcimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimit të pavarësisë së mediave”, shkruan PPE.

Duke e cilësuar vendimin e javës tjetër si historik për të ardhmen e kontinentit, PPE shprehet se vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët më të afërt, historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. “Vendimi i javës tjetër është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë e gjatë por është një rrugë që duhet të ndërtojmë së bashku, dhe nuk duhet të humbasim vrullin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë më të afërt; historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. BE nuk do të jetë e plotë derisa rajoni të jetë pjesë e bashkimit tonë”, shkruan PPE.

Euroskeptikët rriten, por më shumë liberalët

Dy familjet më të mëdha të partive të Bashkimit Europian, Partia Popullore Evropiane (PPE) e qendrës së djathtë dhe partia e qendrës së majtë e udhëhequr nga Social Demokratët (S&D), kanë dalë humbëse në zgjedhjet Parlamentare të Bashkimit Evropian të mbajtura katër ditët e fundit. Të dyja grupimet kryesore kanë humbur për herë të parë në 40 vjet shumicën e debutetëve, çka vështirëson shumë krijimin e një koalicioni me shumicë në Parlamentin e ri Evropian.

Rreth 427 milionë votues nga 28 shtete anëtare të BE ushtruan të drejtën e votës në zgjedhjet për Parlamentin e BE, të mbajtura mes 23 dhe 26 majit. Nevojitet një numër prej 376 deputetësh për të krijuar shumicën në Parlamentin Evropian që ka në total 751 vende, duke përfshirë edhe vendet e Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka zgjedhur deputetët e saj edhe një herë pasi BE pranoi zgjatjen e Brexi-t, me afat të fundit datën 31 tetor 2019.

Partia Popullore Evropiane pritet të ketë në Parlamentin e ri Evropian 179 vende, nga 221 që kishte në Parlamentin e periudhës 2014-2019. Partia e qendrës së majtë të socialistëve evropianë pritet të ketë rreth 150 vende, nga 191 që kishte më parë. Aleanca Qendrore e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, ka dalë grupi i tretë më i madh, me 107 deputetë, nga 67 vende në Parlamentin 2014-2019.

Aleanca e Lirë ka bërë gjithashtu progres, duke marrë 70 vende, nga 50 që kishin në parlamentin e mëparshëm. 58 vende do të kenë konservatorët dhe reformatorët evropianë. Një grupim i ri i sapoformuar i Evropës së Kombeve dhe Lirive ka marrë gjithashtu 58 vende në Parlamentin e ri Evropian. 56 vende do të ketë grupimi Evropian i Lirive dhe Demokracisë së Drejtëpërdrejtë, nga 48 vende që kishte më parë.

Tashmë fati i tyre varet edhe nga pozicionimi që do të ketë partia Fidesz e hungarezit Viktor Orban. Fidesz është zyrtarisht pjesë e grupit të PPE, po prej disa kohësh anëtarësia e saj është e ngrirë, për shkak të vendimmarrjeve të qeverisë Orban, të quajtura ksenofobe dhe autoritare. Kështu potencialisht Orban mund të poziciononte europarlamentarët e tij me grupin ekstrem nacionalist, duke ndryshuar shumë balancën brenda Parlamentit Europian.

Grupimi Konfederal i të Majtës së Bashkuar dhe Mjedisi i Gjelbër i Veriut ka marrë 38 deputetë në këto zgjedhje, ndërsa 35 deputetë janë kategorizuar si grupimi “Të tjerë”. Zgjedhjet e 2019 në BE patën një pjesëmarrje prej 51%, me një rritje të konsiderueshme krahasuar me 42.6% në 2014.

Kreu i PPE Manfred Weber shpalos prioritetet nëse fiton zgjedhjet parlamentare

Teksa qytetarët evropianë janë duke votuar për të zgjedhur Parlamentin e ri, kryetari i Partisë Popullore Europiane (PPE), Manfred Weber, kandidati kryesor për presidencën e Komisionit Evropian, ka folur në një intervistë për gazetën greke “Ekathimerini. Kreu i PPE ka përcaktuar objektivat kryesor nëse grupi i partive popullore do të fitojë zgjedhjet parlamentare. “Prioritetet e mia janë ndërtimi i një Evrope që mbron kufijtë e saj nga migracioni ilegal dhe kontrabandistët me 10.000 roje të reja kufitare deri në vitin 2022”.

“Një Europë që lufton terrorizmin dhe krimin e organizuar me një FBI evropiane, e cila do të ketë ekipe që shkëmbejnë informacione për të gjetur terroristët para se ata të sulmojnë. Një europë që ndal bisedimet e pranimit me Turqinë; që krijon mekanizma të rinj të sundimit të ligjit për të siguruar që Bashkimi Evropian të ruajë pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e shtypit dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Manfred Weber, duke renditur disa nga objektivat e tij themelore nëse Partia Popullore Europiane fiton zgjedhjet e PE dhe merr kryesimin e Komisionit Europian.

Më tej, kreu i PPE është shprehur se Bashkimi Evropian është larguar nga njerëzit, dhe se ai do ta forcojë lidhjen e BE-së me njerëzit. “Këto zgjedhje janë historike, sepse ato do të përcaktojnë deri në çfarë shkalle Bashkimi Evropian është në gjendje të përmirësojë jetën e evropianëve, duke garantuar sigurinë dhe prosperitetin e ekonomive të tyre. Mund të ruajë qëndrueshmërinë e modelit tonë shoqëror ose të paralizohet përgjithmonë dhe të ndahet”.

“Për një kohë shumë të gjatë, projekti evropian është ndërtuar në një distancë të madhe nga njerëzit: unë dua ta rindërtoj atë lidhje mes bashkimit dhe qytetarëve të saj. Prioriteti im është të ndërtojmë një Evropë të fortë që do të mbrojë qytetarët dhe vlerat e saj, një Europë të zgjuar me ide dhe novacione, që kujdeset për qytetarët e saj”, ka thënë Weber në intervistën për gazetën greke.

Skip to toolbar