Dy muaj pas tërmetit, Basha: Thumana, krim shtetëror

Pak orë pasi qeveria prezantoi platformën onlinë për të aplikuar për rindërtimin, erdhi dhe reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha. Duke kujtuar ngjarjen tragjike të dy muajve më parë, Basha akuzon qeverinë se dështoi për menaxhimin e situatës. Sipas Bashës, qeveria ende nuk ka faturën e dëmeve gati, nuk ka një vlerësim përfundimtar për objektet e pabanueshme dhe të dëmtuara. Gjithashtu ai akuzon se shumë familje janë ende nëpër çadra duke kaluar ditët e ftohta të dirmit.

“Dy muaj pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ndërsa përkujtojmë me dhimbje 51 jetët e humbura, të gjithë jemi dëshmitarë sesi shteti i babëzisë dhe korrupsionit ka dështuar në çdo detyrë. Sot nuk ka ende një faturë reale dëmesh të vlerësuara. Sot nuk ka ende një vlerësim përfundimtar të objekteve të pabanueshme dhe të dëmtuara. Sot ka ende mijëra familje që kalojnë ditët e ftohta nëpër çadra, pa asnjë ndihmë nga shteti.

Sot qytetarët vazhdojnë të sorollaten nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë bonusin e qerasë. Sot ka mijëra qytetarë të cilët nuk kanë ku të fusin kokën dhe nga dëshpërimi, janë futur në banesat e dëmtuara duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të fëmijëve. Sot fëmijë e të moshuar janë në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak të kushteve të vështira në të cilat po mbijetojnë që prej dëmtimit të shtëpive. Ende banorët pyesin se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre, por nuk marrin përgjigje.

Ende sot nuk ka asnjë masë për të ndihmuar në ringritjen e biznesit në Durrës e në zona të tjera të dëmtuara nga tërmeti.  Shumë biznese po mbyllen e qindra qytetarë po mbeten pa punë. Rënia ekonomike e Durrësit sjell rënie ekonomike të të gjithë vendit. Sot është e qartë për qytetarët se kjo qeveri dhe ky kryeministër i dështuar prodhon vetëm gënjeshtra dhe korrupsion, gjë të cilën e vërtetoi edhe raporti i Transparency International”, shkruan Basha.

Më tej, Basha rikthehet te retorika e “oligarkëve”, duke u shprehur se “150 milion dollarë që u jepen 10 oligarkëve, t`u akordohen qytetarëve”. Ndërsa akuzat nuk i kursen as për prokurorinë, që sipas tij, për 24 viktimat e Thumanës, të cilën Basha e quan “krim shtetëror” nuk ka ende asnjë hetim apo të arrestuar.

“Nëse 150 milion dollarët që Edi Rama u jep 10 oligarkëve do të ishin akorduar për qytetarët, sot do të ishin strehuar në banesa me qera cdo qytetar që është lënë në mëshirë të fatit. Nëse qeveria do të kishte miratuar paketën ndihmëse për biznesin e dëmtuar, do të kishte nisur rimëkëmbja.  Ndërkohë për krimin shtetëror në Thumanë që mori 24 jetë, nuk ka asnjë të arrestuar, asnjë hetim serioz, vetëm heshtje nga prokuroria politike që mbron Dakon dhe Bushin me urdhër të Edi Ramës.

Çdo ditë dështimi dhe mashtrimesh, është një ditë vuajtjesh më shumë, një mundësi e humbur për tu ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe për të kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike dhe rikthimin në normalitet të jetës së mijëra familjeve. Dhimbja dhe vuajtja e tyre nuk mund të kapërcehen me lugën bosh të një kryeministri të dështuar”, shkrun Basha.

Prokuroria, tre akuza për Kajmakun

Prokuroria e Tiranës ngriti tre akuza zyrtare për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Realstory.al mësoi nga burime nga Prokuroria e Tiranës se Agim Kajmaku akuzohet për tre vepra penale: “Falsifikim të dokumenteve kryer në bashkëpunim”, “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij” dhe “Falsifikim formularësh”. Për dy akuzat e para, Agim Kajmaku do të hetohet për shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës një ditë pasi KQZ i kishte hequr atij mandatin.

Ndërsa akuza e “Falsfikimit të formularëve” është ajo e ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme pasi rezultoi se ish-kryebashkiaku i Vorës kishte gënjyer në formularin e vetëdeklarimit para se të zgjidhej në krye të Bashkisë së Vorës, duke mos deklaruar se kishte qenë i arrestuar në Greqi. Ndërkohë, Realstory.al mësoi gjithashtu se këto tre akuza i janë komunikuar zyrtarisht avokatit, pasi Agim Kajmaku vijon të jetë ende person në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare. Ndërkohë, hetimet vijojnë ende, ndërsa Prokuroria e Tiranës nuk konfirmoi mbylljen e tyre dhe dërgimin e çështjes në gjykatë.

Po çfarë rrezikon Agim Kajmaku, nëse arrestohet dhe dënohet për këto tre vepra penale?

Sipas Nenit 186 të Kodit Penal, falsifikimi i dokumenteve dënohet me burgim deri në tre vjet. “Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Ndërkohë, në Nenin 190, të Kodit Penal, ku përcaktohet vepra penale e falsifikimit të formularëve, thuhet: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”, thuhet në Kodin Penal.

Ndërsa, për veprën penale të “Kryerjes së funksionit pas dhënies fund të tij”, dënohet me gjobë deri në një vit burgim. “Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, thuhet në Nenin 249 të Kodit Penal./Realstory.al./

Apeli ndaj Dokles, Prokuroria: 4 shkeljet e gjyqtares

Prokuroria e Krujës pas apelimit të vendimit për lirimin nga burgu të Endrit Dokle ka paraqitur relacionin në të cilat rendit të gjitha shkeljet që gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka kryer në lidhje me vendimin që ajo mori ditën e martë për lënien e lirë të një të dënuari me burgim të përjetshëm.

Prokuroria renditi 4 shkelje të kryera nga gjyqtarja Hoxha, ku përfshihet periudha e vuajtjes së dënimit nga i pandehuri, arsyet se pse nuk duhet të përfitonte lirim me kusht, llogaritja gabim e kohës së lirimit me kusht dhe sjellja e tij gjatë vuajtjes së dënimit.

Prokuroria tha se Dokle është përsëritës i dënimeve të kryera me dashje dhe si një i dënuar me burgim të përjetshëm nuk duhet të përfitonte lirim me kusht pa vuajtur të paktën 35 vite burg. Në lidhje me “sjelljet shembullore” dhe riintegrimin e tij në shoqëri, prokuroria thekson se nuk ka prova të qarta se Endrit Dokle nuk përbën më një person me rrezikshmëri në shoqëri.

Me renditjen e këtyre arsyeve prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Hoxha, pasi nuk ofronte garanci për të qenë e paanshme në këtë proces gjykimi dhe nuk ka krijuar një proces të rregullt dhe ligjor gjyqësor.

Një nga shkeljet e lirimit me kusht të Dokles është periudha e vuajtjes së dënimit, ku i dënuari duhet të ketë kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe sipas llogaritjen Dokle ka kryer rreth 20 vite burg.

Koha e vuajtjes së dënimit nuk plotëson kushti kryesor e cila përbën një parakusht procedural pa të cilën gjykata nuk mund të analizojë arsyet e veçanta që të legjitimojnë lirimin e tij përpara se të përfundojë dënimin e dhënë për të” shprehet prokuroria.

Në shkeljen e dytë është fakti se përfituesi i lirisë me kusht nuk duhet të ketë kryes krime të përsëritura dhe në rastin e Dokles, prokuroria vlerëson se “Kërkuesi është përsëritës për krime të kryera me dashje, ku është deklaruar fajtor për veprën penale Grup i strukturuar kriminal  dhe trafikimi i narkotikëve”

Në lidhje me identifikimin e “arsyeve të veçanta” dhe sjelljes shembullore si një nga kushtet thelbësore për aplikimin e lirimit me kusht, prokuroria vlerëson se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. “Kjo mund të lejohet vetëm, kur i dënuari mund të ketë kryer  jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. Në çështjen objekt gjykimi rezultoi se kërkuesi nuk plotësonte kushtet çka nënkupton se nuk provohet ekzistenca e arsyeve të veçanta apo sjelljes shembullore, nuk ka vuajtur as 25 vite sipas ligjit para ndryshimeve dhe as 35 vite sipas ligjit në fuqi  nga dënimi i dhënë. Kërkuesi konsiderohet se ka vuajtur rreth 20 vite pra nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit” shprehet prokuroria.

Edhe llogaritja gabim nga gjykata e kohës së provës është një tjetër shkelje e gjyqtares, ku prokuroria thekson se  “koha e provës do të jetë e barabartë me kohën e mbetur të masës së dënimit me burgim, për të dënuarin që lirohet me kusht.” Pra gjykata ka gabuar në zbatimin për analogji të  kohës e caktuar dhe ka caktuar në mënyrë jopropocionale dhe ligjore kohën e shërbimit në provë vetëm për 5 vite.  

Më 14 janar gjyqtarja Enkelejda Hoxha pranoi kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit, Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite ku 5 vitet e fundit u konvertuan në shërbim prove për shkak të sjelljes së tij të mirë.

Zbardhet dosja hetimore për konvaleshencën

Nga tërmeti i 26 nëntorit, u shemb dhe godina e Kavalishencës në Durrës, ku si pasojë mbeti i vdekur kryekomisar Bajram Hajdarmataj. Prokuroria e Durrësi  administroi dokumentacionin nga disa institucione që lidhej me ndërtesën e Kavalishencës. Për shembjen e kësaj godine, ku humbi jetën pedagogu i Akademisë së Policisë, Bajram Hajdarmataj, Prokuroria ngriti akuzën “shpërdorim i detyrës”, ku nën akuzë janë drejtori Ahmed Doda dhe nëndrejtori i saj, Kujtim Hasa.

ABC Neës ka siguruar një  pjesë të dosjes hetimore për ngjarjen në fjalë, ku Prokuroria e Durrësit shprehet se “Shtetasi Ahmet Doda, në cilësinë e Drejtorit të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, nuk ka marrë masa drejtuese dhe organizative për nxjerrjen e urdhërave dhe udhëzimeve mbi respektimin rekomandimeve me shkrim të “Akt konstatimit të situatës pas tërmetit” datë 26.09.2019 , të hartuar nga nga ana e inxhinierëve të Bashkisë Durrës, duke sugjeruar si masë provizore përmosqëndrimin në këto ambiente”.

“Sidoqoftë nga verifikimet e kryera nga ana e policisë Gjyqësore, rezulton se pas marrjes së akt konstatimit të inxhinierëve, i dyshuari Ahmed Doda ka  ngritur një grup pune duke ngarkuar Përgjegjësin e sektorit të Shërbimeve, të dyshuarin Kujtim Hasa, si dhe dy kujdestarët e Hotelit nr.4, të Shtëpisë së Pushimit të MB Durrës, në lidhje me verifikimin e dëmeve dhe pasojave të konstatuara nga akti i konstatimit të inxhinierëve. Nisur nga më sipër bazuar në faktet dhe provat e administruara rezulton se me mos veprimet e tij shetasi Ahmet Doda, dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal”, konstatojnë prokurorët.

SPAK shkrin Krimet e Rënda. Prela shkon në Durrës, Marku mbetet në Tiranë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë të enjten mbledhjen e tij të radhës. Pas shumë vitesh ekzistencë, praktikisht të enjten në 12 dhjetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda do të shkrihen, pasi vendin e tyre e zë Prokuroria Speciale, SPAK. Në një njoftim zyrtar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se të enjten do të zhvillohet mbledhja e radhës së tij, ku do të bëhet transferimi i prokurorëve që aktualisht janë të emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të Apelit për Krime të Rënda.

12 prokurorët që do të mbyllin përfundimisht punën në këto dy organe të akuzës janë: Arens Çela, Blerim Tominaj, Besim Hajdarmataj, Artan Bajrami, Eugen Beçi, Doloreza Musabelliu, Elisabeta Imeraj, Manjola Kajana, Përparim Kulluri, Vladimir Mara, Sonila Muhametaj dhe Pranvera Pustina. Këta prokurorë pritet të emërohen në detyra të reja nga KLP. Gjithashtu, do të ndërpritet caktimi i përkohshëm i prokurorëve që ushtrojnë detyrën pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të krijimit të Prokurorisë së Posaçme, dhe caktimet e reja të përkohshme të tyre.

Konkretisht, Prokurori Isa Jata lë Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Donika Prela lë drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe kthehet si prokurore në Prokurorinë e Durrësit. Prokurori Anton Martini lë Krimet e Rënda dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë e Shkodrës.

Prokurori Dritan Prençi lë Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe kthehet në Prokurorinë e Kukësit. Gjithashtu, KLP pritet të miratojë dhe largimin nga detyra e Drejtues së Prokurorisë së Elbasanit të Enkeleda Millonait, pasi ajo është emëruar si prokurore në Prokurorinë e Posaçme. Ndërkohë, KLP do të miratojë edhe rikthimin e Arta Markut si prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. /Realstory.al/

Tërmeti, Prokuroria nis hetimet në Durrës, Krujë dhe Tiranë për ndërtimet

Prokuroritë në Durrës, Krujë dhe Tiranë regjistruan çështjen penale për godinat e dëmtuara nga tërmeti, që sollën 51 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur. Në Durrës e Thumanë do të hetohet nga institucionet lizbatuese, të cilat do të hetojnë raportin e kolaudimit të ndërtesave, nëse janë respektuar lejet e ndërtimit dhënë nga bashkia apo komuna, si dhe parametrat teknikë për konstruksionin metalik dhe betonin.

Në organin e akuzës së Prokurorisë së Durrësit pritet të hetohet të paktën 200 dosje të objekteve të pabanueshme. Për të hetuar këtë çështje janë ngritur dy grupe pune nga Prokuroria e Durrësit, raporton “Panorama”. Në përbërje të këtyre grupeve do të ketë inxhinierë dhe ekspertë të cilët do të verifikojnë të gjitha raportet e ndërtimit të këtyre objekteve. Do të verifikohet gjithashtu dhe leja e dhënë për këto objekte. Një grup ekspertësh dhe prokurorësh do të verifikojnë dosjet e godinave që u shembën dhe për pasojë mbetën të vdekur 51 viktima në Durrës e Thumanë.

Sipas grupit hetimor Polici-Prokurori mësohet se është urdhëruar sekuestroja e dosjeve me lejet e ndërtimi, raporti i institutit sizmologjik për këto ndërtime, raporti i kolaudimit, nëse është respektuar apo jo leja e dhënë, dhe parametrat teknikë për konstruksionin metalik dhe betonin. 200 dosje të objekteve të shpallura të pabanueshme në Durrës do t’i nënshtrohen hetimit të Prokurorisë dhe Task-Forcës së ngritur për përgjegjësitë njerëzore pas tërmetit. Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 k.penal.

Të njëjtën gjë po bën dhe Prokuroria e Tiranës, e cila nisi hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve. Edhe nga kjo prokurori po hetohet për veprat penal të “Shpërdorimit të detyrës”, ku po hetohet për organet që kanë dhënë lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë.

Një tjetër vepër penale është ajo e “Ndërtim i paligjshëm”. Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Tiranës ka ngritur një grup hetimor. Në vijim të veprimeve të kryera, prokuroria do të kërkojë informacion nga Bashkia e Tiranës për banesat e evidentuara tashmë sit ë prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kuhstet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar strukturave të tjera shtetërore.

Ndërkohë, Prokuroria e Krujës deklaroi se është vënë menjëherë në lëvizje për të verifikuar nëse në këtë ngjarje, ka apo jo elementë të veprave penale.

Drejtuesi i Prokurorisë, Prokurorët dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë Krujë kanë shkuar në Njësinë Administrative Thumanë, ku rezulton se ishin shembur tre pallate, e si rezultat i kësaj shembje kanë ndërruar jetë 24 persona. Po ashtu është vijuar puna në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, të cilët janë urdhëruar që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura në vendgjarje, duke i orientuar t’i trajtojnë si vendngjarje ku ka ndodhur një krim dhe të kryhen në çdo rast veprimet hetimore perkatese.
 Rezulton gjithashtu se në rrethin ku ushtron kompetencat territoriale Prokuroria Krujë, janë dëmtuar një numër mjaft i madh banesash, nga të cilat një pjesë janë shpallur të pabanueshme dhe pjesa tjetër me dëme të konsiderueshme. “Përveç pallateve të rrëzuara, IKMT-ja ka prishur edhe disa pallate të tjerë të deklaruara të pabanueshme. Edhe në këto raste oficerët e policisë gjyqësore kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë në cilesinë e provës materiale mbetje të këtyre pallateve.
 Lidhur me këto raste ka dyshime,  se mund te jenë konsumuar elemente të figurave të veprave penale të parashikuara nga nenet 289 e 248 te K.Penal”, deklaroi Prokuroria e Krujës.
Për këtë arsye janë urdhëruar oficerët e policisë Gjyqëesore që të verifikojnë:
Çdo banesë të dëmtuar rëndë, ose të shpallur të pabanueshme. Të bëjnë kqyrjen e tyre.Të marrin me cilesinë e provës një kopje të raportit të grupeve të konstatimit të dëmeve.
Të sekuestrojnë menjëherë me cilesinë e provës, çdo dokumentacion lidhur me këto ndërtime (Projekt, leje ndertimi, akt kolaudimi etj.), në çdo institicion shtetëror ku ato ndodhen. Të merren vendime për kryerje të aktit të ekspertimit vlerësues për dëmin ekonomik në çdo rast.
Deri në këto momente janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore të domosdoshme në lidhje me vendngjarjet  (tre pallatet e rrëzuara ku u shkaktuan viktimat në Thumanë ) dhe ndërkohë vazhdojnë veprimet edhe në objekte t՞ tjera të dëmtuara rëndë.
Pas përfundimit të këtyre veprimeve të domosdoshme hetimore, janë urdhëruar Oficeret e policise Gjyqësore që të bëjnë referimet përkatëse dhe në varësi të elementeve të veprave penale që do të konstatohen, do të konkludohet për regjistrimin e procedimeve penale përkatëse.

“Astiri”, Balliu merret i pandehur nga prokuroria

Klevis Balliu, ish-deputeti i Partisë Demokratike, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës. Ai ishte mëngjesin e të enjtes në prokurori, ku u thirr pas protestave tek Unaza e Re. Balliu së bashku me banorët e zonës së “Astirit”, u përplasën me policinë duke tentuar të pengonin IKMT të prishin ndërtimet që i hapin rrugë zbatimit të projektit të Unazës së Re. Pasi u paraqit në prokurori, Balliu mbajti një fjalë për mediat, duke u shprehur se banorët do të dëmshpërblehen, ndërsa dhunuesit do të shkojnë në burg.   

“Banorët do të vazhdojnë dhe do të marrin shpërblimin cent për cent. Ata që i dhunuan do shkojnë në kokërr të burgut. Nuk prisja asgjë më shumë, as më pak, dhe as më shqetëson e bezdis, pasi ne e dinim që në momentin që vendosëm të përballemi me mazhorancën, ata do të bënin gjithçka, qoftë, arrestime, dhunë, shtyrje, gaz lotsjellës. I dinim të gjitha këto, por ajo që na shqetëson sot është se qytetarët mbetën pa shtëpi. Na shqetëson dhimbja e tyre. Gjatë gjithë kohës, qeveria ka gënjyer banorët, duke iu thënë se nuk preken, por që tani do t’i rrafshojnë banesat”, tha Balliu.

Ndërkohë, ish-deputeti i PD, u pyet nëse i druhet dënimit, duke lënë të kuptohet se e pret diçka të tillë. “Këtu gjithçka ndodh. Ata shkuan për t’i vrarë. Neve nuk po na çon ligji nëpër gjykata, por Edi Rama”, tha Balliu, ndërsa avokati i tij u shpreh se kjo është një formë presioni. “Është thjesht një formë presioni, nuk mund të marrësh të pandehur një komunitet të tërë atje për grumbullim të paligjshëm, ndërkohë që ata janë në të drejtën e tyre”.

Pse ra akuza për pastrim parash ndaj Bashës

Prokuroria njoftoi të premten se ka dërguar në gjyq kreun e PD, Lulzim Basha vetëm për një akuzë, falsifikim formularësh, duke hequr dorë nga akuza për pastrim parash. Por kjo heqje dore duket vetëm momentale, pasi prokuroria ka kërkuar në gjykatë garancinë që ka kërkuar lobisti Nicolas Muzin për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me financimin e parave ruse në SHBA për llogari të Partisë Demokratike.

Prokuroria, në kërkesën e saj për gjykim ka argumentuar se amendamenti 5 i Kushtetutës së SHBA, të drejtën e të cilit ka kërkuar të ushtrojë Muzin, për të mos u vetë inkriminuar për hetimin shqiptar, nuk ka efekt jashtë territorit amerikan. “Prandaj duhet garancia që të jepet konform ligjit penal dhe procedural, pa cenuar rendin juridik të Republikës së Shqipërisë”, citohet nga prokuroria në kërkesën e saj për gjykim.

Kjo do të thotë se vendimin e garancisë që Muzin nuk do të hetohet në Shqipëri për lobimin rus të PD në SHBA duhet ta marrë një gjykatë shqiptare, pasi kjo nuk është një e drejtë e prokurorisë. Vetëm pasi gjykata të vendosë për të dhënë një garanci të tillë, atëherë pritet që prokuroria t’i dërgojë këtë garanci autoriteteve të drejtësisë amerikane për të marrë dëshminë e lobistit Muzin./Realstory.al/

Prokuroria: Kajmaku gënjeu në formular për dënimin. Kreu i Vorës e mohon

Pas publikimit të shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme nga Partia Demokratike, ku vërtetohej se Agim Kajmaku ishte i njëjti person me shtetasin Jorgo Toto, i arrestuar dhe hetuar në Greqi, Realstory.al mësoi se e njëjta shkresë e Prokurorisë ka mbërritur dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë, pritet që KQZ të mblidhet për të marrë një vendim në lidhje me z.Kajmaku, i cili më herët ka herdhur poshtë akuzat se ishte i dënuar apo hetuar në shtetin fqinj. Ndërkohë, Realstory.al tentoi të kontaktonte kryebashkiakun e Vorës për të marrë një prononcim prej tij në lidhje me verifikimin e Prokurorisë së Përgjithshme, por ai nuk u përgjigj.

Ndërkohë, në shkresën e publikuar nga Partia Demokratike, sipas Prokurorisë, “Zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës, me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto”, thuhej në këtë shkresë.

Gjithashtu theksohej se “se subjekti Agim Kajmaku ka pasur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar, në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqej ndaj tij”, thuhet në shkresë.

Në këto kushte, Agim Kajmaku është subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin, pasqyrimi i të dhënave të rreme në formularin e vetëdeklarimit, i cili plotësohet nga kandidatët për kryetar bashkie, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim sipas nenit 190 të Kodit Penal”. Ndërkohë, Neni 190 i Kodit Penal flet pikërisht për falsifikimin e formularëve dhe në pikën 1 të tij deklarohet se falsifikimi i tyre dënohet nga 6 muaj deri në 4 vite burg.

Pak pasi Partia Demokratike publikoi letrën e Prokurorisë së Përgjithshme, ku vërtetohej se personi Agim Kajmaku ishte i njëjti me Jorgo Toton, reagoi kryebashkiaku i Vorës, që akuzohet për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit. Me anë të një shkrese zyrtare, Agim Kajmaku i drejtohet Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, duke sqaruar se nuk kishte dijeni për procesin gjyqësor në ngarkim të tij që zhvillohej në Greqi. Kajmaku sqaron në letër, se pasi ishte informuar nga media për hetimet ndaj tij, ai kishte kërkuar nga Gjykata e Janinës informacion në lidhje me këtë çështje.

“Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve  përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam patur dijeni më parë. Me kërkesën time nëpërmjet përfaqësuesit ligjor është kërkuar heqja e pezullimit, vënia në lëvizje e kësaj çështje dhe dërgimi i saj për gjykim pranë gjykatës kompetente përkatëse. Mbi këtë bazë çështja është gjykuar nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda Janinë, e cila në pëfundim të këtij hetimi ka vendosur në datë 12 shtator 2019 shpalljen të pafajshëm të të akuzuarit për aktin e vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara që pretendohet se është kryer në Arta, Greqi datë 13 janar 2003”, shkruan Kajmaku.

Ndërkohë, lidhur me mospasqyrimin e të dhënave të sakta në “Formularin e Vetëdeklarimit”, Agim Kajmaku shprehet se kjo gjë ka ndodhur për shkak të mospasjes dijeni për çështjen. “Lidhur me mospasqyrimin e të dhënave të sakta në “Formularin e Vetëdeklarimit” të fakteve lidhur me ndonjë masë sigurimi ose urdhër kërkimi ndaj personit tim sqaroj se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së plotë të dijenisë time lidhur me fakte të tilla sikundër del edhe nga përmbajtja e shkurtimit të vendimit duke qenë se i gjithë procesi hetimor është zhvilluar në mungesën time. Në dijeninë time ngjarja e vitit 2003 është trajtuar administrativisht nga ana e autoriteteve policore greke dhe çdo gjë ka përfunduar aty pa u përfshirë ndonjë autoritet gjyqësor”, shprehet Agim Kajmaku, duke pretenduar se në ngarkim të tij nuk pati kurrë proces gjyqësor, të paktën në dijeninë e tij.

Megjithatë, Prokuroria e Përgjithshme pretendon të kundërtën. Në shkresën e saj, thuhet se Kajmaku “nga verifikimet e kryera konfirmohet se subjekti Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin që ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor penal në zhvillim. Kjo, sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër rezulton se subjekti ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datë 30.03.2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në “Agim Kajmaku”, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në Formularin e Vetëdeklarimit”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.

/Realstory.al/

PD: Prokuroria e faktoi, Kajmaku i dënuar në Greqi

Sipas Partisë Demokratike, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, është vërtetuar zyrtarisht se është i njëjti person me shtetasin Jorgo Toto, i dënuar vite më parë në Greqi. Në një konferencë për mediat, Sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi, u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme vërtetoi zyrtarisht denoncimin e Selisë Blu për dënimin e Agim Kajmakut në Greqi. “Agim Kajmaku u përpoq të mashtronte opinionin publik. PD solli fakte të pakundërshtueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi ishte kandidati i Ramës për Vorën. Sot denoncimi është provuar zyrtarisht nga Prokuroria, ku ka provuar denoncimin e PD. Rezulton që Interpol Tirana ka sqaruar se nga Interpol Athinë, nga krahasimi i gjurmëve të Agim Kajmakut ka përputhshmëri me Jorgo Toto. Më tej prokuroria ka sqaruar se Agim Kajmaku, kandidat i Ramës në Vorë, është i njëjti person me Jorgo Toton”, tha Bardhi.

Sipas Gazmend Bardhit, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se Agim Kajmaku kishte dijeni që ishte nën hetim në Greqi dhe se ndaj tij kishte proces gjyqësor. Ndaj, Sekretari i Partisë Demokratike, kërkoi që Edi Rama të shkarkojë nga detyra kryebashkiakun e Vorës. “Konfirmohet nga TIMS. Konfirmohet se Agim Kajamku ka patur dijeni se ka qenë në hetim në Greqi dhe se ndaj tij kishte proces gjyqësor në Greqi. Nga ana tjetër rezulton se ai ka kryer veprime për fshehjen e këtij fakti duke ndryshuar emrin e mbiemrin por as nuk ka deklaruar tek dekriminalizimi”. “Agim Ymer Kajmaku përfshihet. Pas vendimit të Prokurorisë, është rrëzuar. Rama nuk ka vullnet për të luftuar krimin pasi pushtetin e ka në lidhje me krimin. Të shkarkojë menjëher nga detyra, Agim Kajmakun i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar për një krim në Greqi ku duhej të dënohej deri në 10 vjet”, tha Bardhi.

 

Skip to toolbar